“Drejtori i Policisë dhe drejtuesit e tjerë, të vendosen me konsensus nga partitë politike si garanci për procesin e zgjedhjeve“
Sekretarja e Përgjithshme e PDIU-së, Mesila Doda, përsëriti thirrjen drejtuar krerëve të mazhorancës dhe opozitës të ulen në bisedime për të zgjidhur krizën politike në të cilën është përfshirë vendi. Në një takim me elektoratin e PDIU-së në Bupq, Doda i bëri thirrje krerëve të mazhorancës dhe opozitës të gjejnë rrugën e duhur për t’i garantuar shqiptarëve votën e lirë.
“PDIU ka këmbëngulur gjatë gjithë kohës që të kemi një proces zgjedhor normal, të qetë, të sigurtë dhe me një sistem që është i drejtë dhe e ka të barazvlershme votën për të gjitha partitë politike. Pikërisht për këtë arsye kemi këmbëngulur, e kemi rithënë dhe e themi edhe sot, se mënyra e vetme se si mund të ndërtohet një proces zgjedhor është që të paktën kreu i mazhorancës z.Rama dhe kreu i opozitës z.Basha duhet të ulen bashkë dhe të gjejnë modalitetet me qëllim që shqiptarët të votojnë të qetë, opozita të ketë të gjithë masat e sigurisë që ajo kërkon. Nga ana tjetër shqiptarët të kenë të gjithë sigurinë se për kë po votojnë dhe si do vlerësohet vota e tyre. Këtë e themi pasi gjysëm milioni vota që shkojnë për partitë e vogla prodhojnë 0 deputetë. Për këtë arsye kemi kërkuar ndryshimin e sistemit. Nuk ka asnjë shpjegim se pse kjo formulë që është sot në fuqi, do duhet të na shtrëngojë të gjithëve në koalicione parazgjedhore. Unë mendoj se PDIU, por edhe partitë e tjera duhet të masim forcat tona në terren, si parti më vete.
Në kushtet e sotme kjo është e pamundur dhe sot vetëm votat e paritve të vogla prodhojnë 9 mandate për njërën forcë politike dhe 7 për forcën tjetër. Për këtë arsye PDIU kërkon një sistem tjetër zgjedhor, një sistem që nuk i shtrëngon forcat politike që të kapin peng njëra-tjetrën, apo që të futen në koalicione dhe të parashikojnë se kush do të jetë fituesi i zgjedhjeve. Kjo është vetëm një pjesë e propozimeve që PDIU ka ofruar në këtë gjendje kaotike ku ka shkuar politika shqiptare. Ne propozojmë një pak kombëtar për reformën zgjedhore, në mënyrë që të ndryshohet sistemi aktual. Drejtori i Policisë dhe drejtuesit e tjerë të vendosen me konsensus nga partitë politike. Gjithashtu të bëhet zgjedhja e Presidentit me konsensus, sepse nuk kemi asnjë arsye mos ta zgjedhim me konsens dhe të përfaqësojë një figurë reale të konsolidimit të këtij vendi. Një pakt kombëtar për reformën në drejtësi dhe integrimin. Prandaj Rama dhe Basha duhet të ulen në një tavolinë, le ti japim një fytyrë tjetër politikës shqiptare”, -u shpreh deputetja Mesila Doda.
Ligjvënësja e PDIU-së, dënoncoi arrogancën e disa prej politikanëve, ndërkohë që theksoi se PDIU ka trimëruar politikën shqiptare, referuar edhe kërkesave të qeverisë shqiptare drejtuar palës greke për zgjidhjen e çështjes së Çamërisë.
“Shikoj shumë shpesh një ton arrogance e cila është e pashpjegushme për mënyrën se si komunikojnë persona të ndryshëm, liderë të ndryshëm dhe forca të ndryshme politike. Me PDIU-në arrogancën mund ta harrojnë. Mund ta kenë me njëri-tjetrin, mund ta kenë mes vartësve të tyre, me kë të duan, por PDIU është një parti e cila është krenaria e këtij vendi. Sikur mos të ekzistone PDIU do të duhet ta kishin krijuar 10 herë, 100 herë, vetëm e vetëm që të trimëronte klasën politike shqiptare përballë presioneve herë të grekut, herë të serbit dhe herë të maqedonasit”,- tha Sekretarja e Përgjithshme e PDIU-së Mesila Doda.
Sekretari Organizativ i PDIU-së Alfred Deshati tha se: “Të rinjtë janë e ardhmja e PDIU-së dhe ne si parti i kemi qëndrar kauzave dhe premtimeve që kemi dhënë. PDIU është një forcë politike e cila u shërben qytetarëve ndaj dhe çdo ditë po rritet me simpatizantë të cilët duan identitetin e vendit tonë”.
Ndërsa kryetari i PDIU-së në Durrës Krenar Lasko u shpreh se: “PDIU po vjen gjithmonë duke u rritur edhe për faktin se që në krijimin e saj çështja kombëtare ka qenë kauza kryesore. Të rinjtë dhe të rejat po i bashkohen çdo ditë dhe më shumë forcës tonë politike për shkak se kemi mbajtur gjithmonë premtimet dhe i kemi qëndruar kauzave. PDIU ka si çështje prioritare bashkimin ekonomik të trevave shqiptare por edhe shumë çështje të tjera”.