Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Mbetjet toksike në Vlorë/ Bashkëpunimi me mafien italiane, si u sollën me skemën e Camorras nga Italia

Nga 27.al 0

40 metra kub lëndë e rrezikshme për jetën gjendet që prej datës 20 shkurt në Shqipëri, pasi u bllokuan në tragetin që vinte nga Italia në qytetin e Vlorës. Shumica e saj është ende e paidentifikuar. Inspektorët e Shëndetit Publik janë thirrur me urgjencë në Portin e Vlorës për të marrë mostra dhe për të përcaktuar se çfarë lënde gjendet në fuçitë e hekurta në fund të tragetit dhe në një ambient në Çole, i vendosur nën shirit. Ndërkohë deri tani ekspertët kanë përcaktuar se pjesa tjetër jashtë fuçive është lëndë e rrezikshme amiant.
Sjellja e lëndës së rrezikshme mendohet që është transportuar dhe do të groposej sipas të njëjtës skemë të përdorur nga Camorra në Itali. Një grup i strukturuar kriminal, nga i cili gjashtë prej tyre u arrestuan në flagrancë, përmes kontratave mes një agjencie udhëtimi, një agjencie pastrimi dhe një tjetre për asgjësimin e plehrave, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, duke u kamufluar dhe duke futur lëndë helmuese në territorin e Shqipërisë. Prokuroria e Vlorës ka thirrur me urgjencë këtë të premte inspektorët e Shëndetit Publik, inspektorë të mjedisit dhe specialistë të lëndëve të rrezikshme edhe nga Ministria Mbrojtjes, për të përcaktuar se çfarë lloji është lënda helmuese në fuçi, e cila nuk mund të caktohet ende për rrezikshmërinë që paraqet. Ndërkohë paraprakisht lënda tjetër është e llojit amiant, e konsideruar e rrezikshme për jetën e njeriut dhe gjithashtu kancerogjene.

Po si kryhej sjellja e mbetjeve të rrezikshme në vendin tonë?

Gazeta “Si” bisedoi ekskluzivisht me pjesëtarë të grupit të hetimit, të cilët janë të mendimit se kjo dosje duhet të kalojë urgjent pranë Prokurorisë së Posaçme SPAK, pasi ka dyshime që gjashtë të arrestuarit kanë bashkëpunuar me mafien e plehrave në Itali për krijimin e kësaj skeme, që me sjelljen e mbetjeve të rrezikshme ka cenuar pse jo edhe sigurinë kombëtare. Prokurorët e Vlorës kanë zbuluar se më 1 janar 2020 kompania Delfini 1 me administrator shtetasen Elisabeta Cuni, 55 vjeç ka lidhur kontratë me shoqërinë St. Damiant me administrator Agron Brataj. Lloji i kontratës thanë burime të sigurta të Gazetës “Si” është kontratë shërbimi me afat 30 dhjetor 2020, dhe qëllimi i parashtruar në dokumentacionin e firmosur është ofrimi i pastrimit në tragete dhe anije nga kompania e Elisabeta Cunit. Ndërsa mjetet e pastrimit hynin krejt lirisht në Portin e Vlorës të kamufluara se do pastronin tragetin që kryente linjën Vlorë-Brindizi. I arrestuari Agron Brataj tha burimi i Gazetës “Si” është gjithashtu përfaqësues i shoqërisë Euro Ferris dhe mbulonte si agjent dokumentacionin përpunues për hyrjen e çdo malli në Shqipëri në rolin e agjentit të tragetit. Pikërisht me këtë rol 48-vjeçari “mbyllte sytë” dhe nuk ofronte dokument shoqërues për ngarkesat që nxirreshin nga trageti. Burimi i prokurorisë i Gazetës “Si” shtoi se mbetjet nuk kishin asnjë dokument shoqërues nga Italia çka do të thotë se kjo skemë, duke përdorur tragetin e ushtarëve si transport helmesh drejt Shqipërisë ka muaj që zbatohet. Nga verifikimi i deritanishëm rezulton se trageti në fjalë udhëtonte çdo tri ditë drejt Italisë dhe mes të arrestuarve gjendet gjithashtu pjesa më e rëndësishme e këtij zinxhiri, kapiteni dhe zëvendëskapiteni i tragetit. Menjëherë sapo agjencia e pastrimit të tragetit Delfini futej në traget, merreshin prej andej lëndët helmuese, siç ndodhi edhe të enjten ku djali i Elisabeta Cunit, Arbër Cuni futej me fugon dhe kryente ngarkesat. Vetëm ditën e enjte tha një burim i policisë, Arbër Cuni ka hyrë tri herë në traget, duke ngarkuar automjetin me lëndën e dyshimtë.

Loja tjetër

Pikërisht për të mbuluar veprimin tjetër “pra mbetjet e rrezikshme” shoqëria Delfini 1 ka lidhur një kontratë me shoqërinë Kornuzi me seli në Çole të Vlorës. Udhëtimi i mbetjeve të rrezikshme nga Porti i Vlorës zgjaste deri në Çole ku edhe ato shkarkoheshin në brendësi të kësaj kompanie që ka si administrator shtetasin Zamir Kornuzi edhe ky i arrestuar. Në raportin e shërbimit të Policisë Kriminale thuhet se nga këqyrja e kompanisë së Çole u gjetën lëndë të ndryshme të dyshimta, por është ende herët të përcaktohet se cili ishte destinacioni final i lëndëve të rrezikshme. Ne dyshojmë tha një zyrtar i Policisë së Vlorës për Gazetën “Si” se këto lëndë të rrezikshme groposeshin, por është ende herët të gjendet vendi.

Kapitenët

Po përse në pranga edhe kapiteni dhe zëvendëskapiteni i tragetit? Festim Tafa me detyrën e kapitenit sipas ligjit për anijet dhe sigurinë e porteve së bashku me vartësin e tij Kujtim Xhaferrllari kishin për detyrë të analizonin çdo mall që hynte në traget dhe që transportohej nga trageti. Diçka e tillë nuk është evidentuar, çka hedh hije dyshimi mbi rolin e tyre dhe forcon bindjen se trageti është përdorur shpesh në këtë skemë skandaloze. Gjatë orëve të mbrëmjes të gjashtë të arrestuarit janë pyetur, por kapiteni dhe zëvendëskapiteni këmbëngul se fuçitë janë me vaj dhe jo lëndë të rrezikshme, ndërsa pjesa tjetër ishin mbetje prej kohësh që i përkisnin tragetit të vjetër përpara se të rikonstruktohej. Por e gjitha kjo është një alibi. Secili nga të arrestuarit këmbëngul se nuk dinte asgjë dhe nuk e kishin idenë për mbetjet e rrezikshme, sidoqoftë kontratat dhe provat në vendngjarje flasin kundër tyre. Lënda helmuese mendohet që është gjithsej 40 metra kub, dhe se çfarë është ajo tjetër do ta thonë inspektorët e Shëndetit Publik. Ndërkohë trageti është sekuestruar, ndërsa siç thotë një burim tjetër, veç amiantit aty u gjet edhe asbes dhe lesh xhami që të tria këto lëndë të ndaluara në Bashkimin Europian.

/Gazeta Si/

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej