Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi se pas dy rasteve të para të konfirmuar me koronavirus në Shqipëri, mjekët dhe ekspertët janë në gatishmëri të plotë.
Në mbledhjen urgjente të qeverisë, Manastirliu theksoi se dy të infektuarit ndodhen te Shërbimi Infektiv në QSUT, ndërsa janë izoluar të gjitha kontaktet e ngushta të tyre.
“Është kontaktuar Urgjenca Kombëtare, menjëherë janë marrë mostrat djalit dhe babait, të cilët kanë pasur shenja klinike, janë dërguar në laboratorin pranë ISHP, ku kanë rezultuar pozitivë. Menjëherë pas daljes së rezultateve, ekipet kanë kryer identifikimin, izolimin e kontakteve të ngushta përgjatë natës, kanë marrë mostrat e tyre të kontakteve dhe tani kontaktet e ngushta janë izoluar. Dy qytetarët e prekur janë dhe po marrin shërim pranë Shërimit Infektiv në QSUT. Dua të bëj disa thirrje, për qytetarët që të ruajnë qetësinë, ekipet janë në gatishmëri të plotë, edhe Shërbimi Infektiv. Mjekët dhe infermierët janë në ballë të kësaj situate, duke iu përgjigjur të gjitha rasteve. Kam një thirrje për personat që kontaktohen nga ekipet tona, të bashkëpunojnë me to për të mirën e shëndetit të tyre dhe qytetarëve të tjerë. Nuk ka arsye për panik, mjekët, ekspertët janë në krye të detyrës, që nga momenti i konfirmimit të rasteve. Çdo orë ka përforcim të masave, çdo qytetar do informohet për masat që do merren në varësi të situatës dhe shkallës së sigurisë. Qytetarët, nëse kanë apo ndjejnë simptoma të ngjashme me ato të gripit të telefonojnë në numrin 127. Nga ana tjetër, iu bëj thirrje qytetarëve të mos paraqiten në spital, nëse nuk kanë shenja. Virusi nuk, shpërndahen përmes ajrit, por përmes kontakteve. Është një situatë me të cilën po përballen sistemet e shëndetësisë në të gjithë botën. Nuk jemi imunë, por duhet ruajtur qetësia. Tre drejtimet kryesore janë: freno, vepro dhe lehtëso”, tha ministrja.