Lulzim Basha: Ka shumë personalitete që kanë mbetur jashtë listës. Vendimi ka qenë i vështirë, por i drejtë dhe i qëndroj totalisht këtij qëndrimi.
Kreu i PD për herë të parë pas arritjes së marrëveshjes dhe fillimit zyrtarisht të fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit ka dalë në një emision televiziv për të folur për vizionin e tij për të ardhmen e PD dhe të Shqipërisë.
Në “Top Story” Basha ka mbërritur pas fushatës në Shkodër, ku janë shfaqur edhe disa foto me mbështetës që mbanin pankarta ku shkruhej “Jozefina Topalli, krenaria e Shkodrës”. Pankarta të cilat rivënë në vëmendje kundërshtitë jo të pakta me listat e kandidatëve të PD-së, për zgjedhjet e 25 qershorit. Pikërkisht kjo çështje ka qenë edhe pikënisja e emisionit të drejtuar nga Sokol Balla
Pjesë nga intervista
Sokol Balla: Është hera e parë që dilni në një emision politik që pas marrëveshjes së 18 majit. Kanë qenë ditë të vështira, por jo vetëm për ju. Do të doja ta nisja, është e vërtetë që këto foto u shfaqën në mitingun e PD.
Lulzim Basha: Unë i shoh për herë të parë këtu në studion tuaj. Mitingu ishte i jashtëzakonshëm. Angazhimi i shkodranëve për fitoren e betejës së Republikës së Re më 25 qershor, daton që prej 18 shkurtit. Unë jam i ngazëllyer nga pjesëmarrja në mbështetje të ekipit fitues.
Sokol Balla: Nuk u shmangemi dot pyetjeve që lidhen me listën e kandidatëve për deputetë, ku ra në sy largimi i shumë veteranëve dhe shumë kritikëve. Pse e bëtë këtë ndryshim?
Lulzim Basha: Lista është përshëndetur dhe është pritur me entizuazëm të jashtëzakonshëm, jo vetëm nga partia, por edhe nga publiku, akademikët, shoqëria civile dhe media. Të të jap disa shifra sesa i thellë është ndryshimi, kemi 41 gra në 140 kandidatë, 82 përqind e kandidatëve që nuk kanë qenë kurrë deputetë, 42 përqind të rinj nën 40 vjeç dhe 33 përqind nën moshën 35 vjeç. Kjo është një listë që përfaqëson dëshirën, kërkesën e kohës dhe qytetarëve për daljen e PD me një ekip të lirë dhe demokrat.
Sokol Balla: Unë hyj tek ata që pashë më shumë gjëra pozitive sesa të kritikueshme në listën tuaj, sepse në parim është një listë e re. Megjithatë ka disa dilema, e para ajo e grave, që jeni gjobitur për numër të pamjaftueshëm të grave në listë.
Lulzim Basha: Gratë e vendosura në listat e PD, dy prej të cilave kryesojnë qarqe dhe shumë të tjera në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Lezhë ku nuk kemi pritur rreshtimin ligjor. Numër, shumë e për lumë ka patur, ka patur edhe Edi Rama, e rëndësishme që gratë në listën e PS kanë përfaqësimin më dinjitoz dhe cilësor ndër viti. Në ekipin fitues të PD, në grupin parlamentar dhe në qeverisjen e ardhshme do të ketë më shumë gra që nga themelimi i PD. Lista është listë elektorale, mund të kesh njerëz me kontribute të spikatura, apo njerëz me kontribute të veçanta.
Sokol Balla: Premtuat që do të fusni një model amerikan…
Lulzim Basha: Ka shumë personalitete që kanë mbetur jashtë listës. Vendimi ka qenë i vështirë, por i drejtë dhe i qëndroj totalisht këtij qëndrimi.
Sokol Balla: Kjo listë është prova më e mirë që këto zgjedhje janë basti juaj. Gratë, vërtetë janë 82 përqind të reja, por këto gra edhe në vende të sigurta…
Lulzim Basha: Kjo është një fabul nga disa persona të caktuar kritikë të Lulzim Bashës. Fakti që janë jashtë liste mbështetës totalë të mitë, tregon që nuk jam hakmarrës. Ka ardhur koha që persona të tjerë të promovohen në bazë të vlerave që përfaqësojnë dhe të testohen.
Sokol Balla: Cili është kriteri që një pjesë të të vjetërve dhe veteranëve i keni lënë jashtë liste, ndërkohë që keni vënë zotin Pollo dhe Alibeaj në Fier, Halimin në Berat, Bumçin në Lezhë. Cili është kriteri që keni përdorur?
Lulzim Basha: Synimi nuk ka qenë të spastrojmë apo largojmë një gjeneratë, por një ndërthurje e përvojës me rininë, e kontributit ndër vite me kontributet të veçanta, e përfaqësimit politik dhe atë komunitar për të sjellë një ekip përfaqësues, të ripërtërirë dhe që do të garantojë fitoren më 25 qershor.
Sokol Balla: Ky është basti i Lulzim Bashës, megjithatë, fakti që në këto lista është Sali Berisha për një pjesë e ul besueshmërinë e kësaj që ju thoni. Nëse ka një person që përfaqëson të shkuarën, është zoti Berisha dhe ju e keni atë në listën fituese të Tiranës.
Lulzim Basha: E vërtetë, por aty vjen si kandidat për deputet që ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha strukturat drejtuese të PD. Me gjithçka ai përfaqëson ai ka një vend si deputet i thjeshtë i PD. Edhe ky ka qenë vendimi im dhe është në kuadër të harmonizimit të historisë dhe kontributeve ndër vite të partisë demokratike me gjakun e ri të partisë demokratike. Lista është një mozaik qytetar ku 82 përqind nuk kanë qenë më parë deputetë. Kjo shifër tregon që ja kemi dalë të bëjmë ndryshimin që u premtuan qytetarëve.
Sokol Balla: Si u prit ky ndryshim nga Sali Berisha? Ajo që shkaktoi zhurmë ju u sulmuat ashpër nga njerëz të afër të ish-kryeministrit.
Lulzim Basha: Përvoja ime ma dikton që vendimet e forta janë të vështira por janë të duhurat. Unë i kam marrë këto vendimi dhe pa asnjë mëdyshje se çfarë do të ndodhë dhe kush do të më sulmojë. Ajo listë është mbajtje e premtimit për një listë krejtësisht të re.
Sokol Balla: A keni koment për atë që nisi si një lëvizje, Topalli-Imami?
Lulzim Basha: Nuk kam asnjë koment përveçse asaj që ju thashë për listën.
Sokol Balla: A keni akuzuar kryeministrin Rama se në listat e tij futi njerëz, afera, biznesmenë dhe lista juaj e Vlorës kryesohet nga një biznesmen, listën e Shkodrës ku u fut një tjetër biznesmen.
Lulzim Basha: Agron Shehaj është një simbol i qytetit të Vlorës. Vjen nga një familje patriotike e hershme dhe me vlerat e vlonjatëve ka çarë si sipërmarrës në Itali dhe më pas modelin e kaloi në Shqipëri. Agron Shehaj është në atë listë për të treguar modelin e një sipërmarrësi të suksesshëm, sepse nuk ka nevojë për tendera. Ka me mijëra të punësuar në Tiranë dhe qindra të tjerë në listë. Ai është në krye të listës si model i suksesit, jo si biznesmen. Profesor Gjok Uldedaj është përfaqësues tipik popullor, i denjë që njeh hallet problemet dhe pjesë e ekipit tim sa i përket fushës së bujqësisë. Lista e PD është një listë vlerash e ripërtërirë.
/top-chanel.tv/