Nga Enkel Demi
27.al ka raportuar se në repartin e kardiologjisë mungon anestezia. Pa të është e pamundur që të bëhet një operacion dhe kur flitet për ndërhyrje në zemër kuptohet që nuk është çështja se po heq dhëmballën si trim. Raportimi që bëri me dije këtë mungesë themelore shkonte deri në cinizëm, teksa thoshte që Ministria le ta përgënjeshtrojë nëse nuk po thuhet e vërteta. Nga zyrat e Ilir Beqes nuk bëri zë kush dhe kishin gjithë ditën e punës të plotë për ta bërë këtë. Tash të afërmit e pacientëve duhet ta blejnë anestezinë tek privati ose më mirë tek babi i Saimir Tahirit. Ky i fundit duhet të jetë dorëjashtë, thjesht është furnitor më i mirë se të tjerët për punën e farmacisë.
Për ta bërë këtë gjendje me sa më tepër ngjyra raportohet sërish se pak ditë më parë doli në pah një filmim ku i sëmuri merrej osh, kapur nga këmbët e duart për ta zhvendosur nga një autoambulancë deri në pavion. Duket nuk kanë më as vig. Sërish nuk bëzan kush.
Nga ana tjetër kryeministri thotë se në spital nuk mungojnë barnat, mund të ketë mungesa të ndonjë gjëje të veçantë, por në përgjithësi punët shkojnë mbroth krahasuar me kohën e Saliut. Në rradhë të parë ai që sëmuret sot ndoshta nuk e di si ishte dikur, në rradhë të dytë ka nevojë për shërbim sot, jo dje. Krahasimet me kohët e shkuara, ose më mirë të vdekura, janë nevoja e pushteteve në Shqipëri. A ju kujtohet në shkollë para viteve ’90 ku çdo gjë krahasohej me vitin 1938? “Pas realizimit të planit të pestë pesë vjeçar prodhimi i naftës në Shqipëri u rrit aksh herë në krahasim me vitin 1938…”
Dhe sot, mund të vuash nga mëlçia, zemra, veshka, nuk gjen anestezi, vig apo trinitrinë, por ama të jesh i bindur që është më mirë se në kohë të Saliut, madje shumëfish më mirë krahasur me vitin 1938.
Është fakt që sot të afërmit e të sëmurëve organizojnë turne që të jenë gjithmonë gati për të blerë barnat që kërkohen në farmacitë e ditës e të natës në rrethinat e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”. Fjala vjen, përse njerëzit flenë në stolat dhe shkallët e Spitalit 5? Këta “gjumashë” janë rendësit e recetave që dalin nga pavionet, se ilaçe nuk ka. A i bien në sy kujt ata tek dremisnin nëpër shkallë apo heshtja është flori?
Dikur xhaxhi veterani tregonte bëmën e luftëtarit që ja prenë këmbën me sharrë druri, pa anestezi, ndërsa ky i fundit sfidonte dhimbjen me këngë partizane. Duke u nisur nga ky shembull heroik që ka gjasë të jetë burim i fantazisë së varfër të xhaxhi veteranit, rekomandohet që në spital të shkohet ose me shumë pare, ose me një koçan kallamoqi që e vendos mes dhëmbëve, nëse je për t’u therrur me bisturi.
/tesheshi.com/