Një “Kövesi” shqiptar për të shkatërruar muret e larta të korrupsionit që ka ngritur si mburojë për veten, sistemi i drejtësisë në Shqipëri
“Ehu, deri sa të nisë të aplikohet vetingu… kushedi ça ndodh…. duhen të paktën dy vjet që të vijë deri tek unë fshesa…le që do të shtyhet më shumë, se ja akoma nuk i ka dhënë dum Gjykata Kushtetuese… kushedi çfarë del pas kësaj.”
Me kaq qetësi e presin gjyqtarët dhe prokurorët ligjin e vetingut, i cili u duk se do t’iu kallte datën atyre. Por, në fakt nuk duket se do të ndodhë. Njerëzit e këtij sistemi të kalbur të drejtësisë në Shqipëri nuk janë aspak të trembur. Ata mendojnë se do ta fitojnë këtë betejë “të të gjithëve kundër tyre”. Kështu të thonë nëse i pyet a kanë frikë nga vetingu, se të gjithë janë sulur kundër tyre politikanë, qytetarë e ambasadorë.
27.al ka shkuar disa ditë me radhë nëpër dyert e gjykatave në rrethe si Elbasan, Durrës e Shkodër, ku ka mundur të kontaktojë në korridoret e gjykatave disa gjyqtarë e prokurorë, të pranishëm atje për çështje gjyqësore të ditës. Disa prej tyre as që të përgjigjen nëse i pyet a ke frikë nga vetingu? Ikin dhe duke nënqeshur të shohin me shpërfillje. Ka të tjerë që kthehen dhe të sqarojnë me inat me garancinë se “fshesa” nuk do të mund të mbërrijë kurrë tek ata, sepse do të kenë gjithë kohën e duhur për t’i marrë masat… “Le që unë s’kam pse trembem një herë, se nuk kam bërë korrupsion”…. Është fjalia, me të cilin e mbyll komunikimin një gjyqtar i pyetur nga 27.al. Nëse i bën pyetje më provokuese, “a ke frikë se do përfundosh pas hekurave për shkak të vetingut?”, ka prej tyre që reagojnë me agresivitet… “s’ka bir k… që më vë mua hekurat…”. Nëse i pyet që “politika ka vendosur t’i pastrojë, a ju duket e mundur?”, ata të përgjigjen: “Po politikanët kush do i pastrojë? Ne, pra që i kemi pastru gjithë jetën…”
Ka reagime të ndryshme nga njerëzit e drejtësisë për vetingun, procesi prej të cilit shqiptarët po presin të pastrohet sistemi i drejtësisë nga korrupsioni. Por, ajo që duket e sigurt është se politika shqiptare ka vendosur të shkatërrojë edhe këtë proces, i cili u duk se do të ishte një dritë shprese se në Shqipëri do të kishte drejtësi.
Ligji i vetingut, është kryesori për zbatimin e reformës në drejtësi, por është ngrirë nga Gjykata Kushtetuese, pasi është paraqitur padia nga Partia Demokratike. Ndërkohë, Unioni i Gjyqtarëve ka deklaruar se do të paraqesë një tjetër padi për ligjin e vetingut në Kushtetuese. Në qoftë se Gjykata Kushtetuese do ta marrë sërish në konsideratë, do të ketë një tjetër shtyrje të ligjit të vetingut. Kështu, do të mund të shtyhet për shumë kohë zbatimi i reformës në drejtësi. Ndërkohë që Presidenti i Republikës, do të duhej të kishte hapur procedurat e konkurimit për anëtarë të Komisionit të Vetingut. Këtë ia garanton Kushtetuta e re e miratuar në 21 korrik të këtij viti. Pavarësisht vendimit që do të japë Gjykata Kushtetuese për ligjin e vetingut, Kushtetuta i jep Presidentit të drejtën të hapë procedurën e konkurimit për anëtarë të Komisioinit të Vetingut, pasi ligji është botuar në fletoren zyrtare. Por, Presidenti nuk e ka nisur procedurën e konkurimit, pasi me ç’duket është në pritje të vendimit që do të marrë Kushtetuesja, e cila e ka dërguar çështjen për interpretim në Komisonin e Venecias. Ndërkohë që procesi mund të vazhdojë të qëndrojë i ngrirë, pasi Unioni i Gjyqtarëve do të bëjë një tjetër padi në Kushtetuese për të tjera çështje që lidhen me antikushtetueshmërinë sipas tyre të ligjit të vetingut. Një çështje kaq e ngatërruar sa të duket se këta gjyqtarë e prokurorë që nuk iu trembet syri nga vetingu, kanë me të vërtetë të drejtë të jenë kaq të qetë. Ndërsa ekspertët e BE-së dhe SHBA-së që do ta asistojnë procesin e vetingut, janë në pritje të përfundimit të këtyre procedurave shqiptare për të nisur punën për pastrimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Ndërsa në Rumani, Laura Codruța Kövesi, Prokurore e Përgjithshme, është kthyer në njeriun simbol të luftës kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë të këtij vendi. Vetëm në vitin 2015, ajo ka ngritur 1250 akuza për korrupsion ndaj zyrtarëve më të lartë të shtetit në Rumani. Prej këtyre akuzave, deri tani 80 ministra, zëvendësministra, drejtorë dhe funksionarë të tjerë shtetërorë, kanë përfunduar në burg për krime institucionale dhe korrupsion. Vitin e shkuar Codruta Kövesi ngriti akuzë edhe kundër ish-kryeministrit Adrian Nastase, por edhe kryeministrit në detyrë Viktor Ponta, duke kërkuar ngrirjen e pasurisë së tij.
Ndërsa homologu i saj shqiptar, Adriatik Llalla ka deklaruar disa herë se organi i akuzës ka në dorë çështje, të cilat do të trondisnin vendin dhe do të ndikonin edhe në të ardhmen europiane të Shqipërisë. Kanë kaluar muaj, madje vite, por shenjat e atyre çështjeve, për të cilat është deklaruar publikisht Adriatik Llalla, nuk po duken asgjëkundi. Ndoshta është në pritje të vetingut.