Nga Arben Llalla
Greqia pas mbarimit të Luftë së Dytë Botërore u përfshi nga një luftë qytetare në vitet 1946-1949, midis forcave të majta që udhëhiqeshin nga Partia Komuniste Greke (K.K.E) dhe Ushtria Demokratike Greke (DSE) përballë forcave të djathta që mbështeteshin nga SHBA dhe Anglia. Kjo luftë e brendshme e Greqisë për pak sa nuk kaloi në një luftë të re ballkanike mes dy kampeve, atij komunist dhe atij perëndimor.
Gjatë Luftës Qytetare Greke (1946-1949), Shqipëria luajti një rol vendimtar për paqen në Ballkan duke mos u bërë palë luftuesve, edhe pse u provokua disa herë që të ishte pjesë aktive në luftimet midis dy ushtrive greke.
Në verën e vitit 1949, në malin Gramoz, Murgana dhe Viçi që gjenden në kufirin greko-shqiptar u zhvilluan luftime të ashpra midis forcave komuniste dhe atyre të djathta që ndihmoheshin nga ushtria amerikane e angleze. Ushtria mbretërore greke duke përfituar nga kjo përkrahje bëri tentativa për të hyrë në territorin e Shqipërisë me pretekstin se po ndiqte forcat komuniste. Qëllimi i vërtetë ishte realizimi i Megalo Idesë për aneksimin e jugut të Shqipërisë, Veriun e Epirit, por ata ndeshën në rezistencë.
Në fund të vitit 1949, forcat komuniste u shpartalluan nga forcat e djathta greke që mbështeteshin nga SHBA dhe Anglia. Strategjia e izolimit të forcave të Ushtrisë Demokratike Greke në male ishte e gabuar dhe fatale. Ndërhyrja e aviacionit amerikan për asgjesimin e forcave të qëndresës komuniste ishte vendimtare. Mijëra kryengritës komunistë grekë gjetën strehim të përjetshëm në Shqipëri, Jugosllavi, Poloni, Çeko-Sllovaki, në Bashkimin Sovjetik, Hungari, Bullgari, dhe në vendet e tjera të bllokut komunist të asaj kohe.
Gazetat e asaj kohe botonin skica karikaturash ku pasqyrohen ushtarët e Ushtrisë Demokratike duke hyrë në Shqipëri me nxitim, duke braktisur pozicionet e tyre luftarake. Tre skicat që po i paraqesim për lexuesit i përkasin vitit 1948.