Nga Prof. Dr. Kristo Frashëri
Botimi në përkthimin shqip nga shtëpia botuese “Toena” e librit të historianes greke Elefteria Manda, botuar në greqisht, me titull “Çamët myslimanë të Epirit”, Athinë 2004, vjen në ditët kur sapo kam përfunduar monografinë time me titull “Historia mijëravjeçare e Çamërisë së Epirit (Vështrim historik)”, me rreth 400 faqe kompjuterike, e cila ka marrë rrugën për shtyp. Me siguri që në trajtesën time disa nga çështjet e ngritura, të cilat kanë të bëjnë me përfshirjen e Çamërisë më 1913 në shtetin grek, kanë gjetur një përgjigje ndoshta të pakënaqshme për historianen Manda. Megjithatë, përfitoj nga rasti për t’i dhënë publikut disa sqarime në lidhje me qëndrimin arrogant të qeverisë nacionaliste greke ndaj Shqipërisë dhe ndaj bashkësisë etnike çame. Nuk ka dyshim se krahina e Çamërisë, e cila me vendim të Fuqive të Mëdha u përfshi më 29 korrik 1913 në kufijtë e shtetit grek, kishte karakter etnik shqiptar. Historiania Elefteria Manda, në vend që ta trajtojë popullin çam si pjesë e popullit etnik shqiptar, e cilëson, madje që në titull, si një popull mysliman. Që këtu vazhdojnë shtrembërimet e historiografisë greke ndaj historiografisë shqiptare. Në këtë mënyrë, historiania Manda ua lë derën hapur diplomatëve të sotëm që ta cilësojnë bashkësinë etnike shqiptare, e cila në Çamëri përbëhej si dhe në Shqipëri nga myslimanë dhe të krishterë, për ta cilësuar atë, ashtu siç e cilësuan diplomatët grekë në shekullin XX, si bashkësi etnike turke. Karremi i tyre duket se pati përkohësisht një farë suksesi po të kemi parasysh se për publikun e pakulturuar grek cilësimi “mysliman” për banorët ballkanikë të fesë islame ishte identik me përkatësinë turke. Të vjen keq kur sheh se ky identifikim i pasaktë i kombësisë me fenë është botuar në fillim të shekullit XXI, kur koha ka kohë që ka marrë me vete mentalitetet mesjetare mbi kombin dhe kombësinë.
Zonja Elefteria Manda harron të na thotë se qarqet nacionaliste të Athinës i përfshinin shqiptarët myslimanë në grupin etnik turk edhe para se Çamëria të hynte në kufijtë e shtetit grek. Sipas elitës intelektuale të fqinjëve, veçoria kryesore e qytetarit grek ishte në shekullin XX përkatësia e tij fetare. Ky ishte një koncept të cilin lëvizja iluministe dhe nacionaliste europiane e kishte nxjerrë që në shekullin XIX të vjetruar. Në Francë, për shembull, në vlerësimin e qytetarit nuk peshonte përkatësia e tij fetare nëse ishte katolik apo kalvinist, në Gjermani katolik apo luteran, në Angli katolik apo anglikan e kështu me radhë. Madje, nën ndikimin e ideve të Revolucionit të madh frëng kishin filluar të zbuteshin në shkallë ndërkombëtare edhe marrëdhëniet midis të krishterëve dhe myslimanëve, aq sa në luftën e Krimesë 1854-1857 Anglia dhe Franca e krishterë, i shkuan për të parën herë në histori në ndihmë armikut të tyre fetar, Perandorisë turke islame kundër Perandorisë së krishterë ruse. Në shekullin XIX ky identifikim kishte filluar të zinte rrënjë edhe në Shqipëri. Nëse folësi shqip në vështrimin familjar ishte mysliman apo i krishterë, synit apo bektashi, katolik apo ortodoks – ai për opinionin publik europian ishte shqiptar.
Vetëm bota intelektuale greke, sidomos qarqet qeveritare që jetonin brenda kufijve të Perandorisë Osmane, kishin mbetur të lidhura pas konceptit mesjetar bizantin mbi kombësinë, ndërtuar në Mesjetën e hershme kryesisht mbi bazë fetare. Pikërisht këtë koncept adoptoi edhe Greqia kur lindi si shtet i pavarur më 1821.
Disertacioni i zonjës Elefteria Manda është botuar në vitin 2004, e përsëritim, në fillim të shekullit XXI. Të cilësosh në shekullin XXI shqiptarët myslimanë si turq, kur në radhët e qytetarëve europianë janë sheshuar si veçori dalluese dallimet fetare, nuk është vetëm një anakronizëm i thjeshtë. Ai është, përveç të tjerave, një cilësim përçmues për një nga kombet më të lashta të Ballkanit, shumicën e të cilave historia i detyroi të ndryshonin për të mbijetuar, besimin fetar – e theksojmë besimin fetar, por jo kombësinë, siç e ndryshuan jo pak grekë të Azisë së Vogël të shekullit XIV-XV. Dihet, se jo pak grekë, të cilët mbasi ndërruan fenë dhe kombësinë, i shërbyen Perandorisë Islamike me shpatë dhe me diplomaci për triumfin e fesë islame. Historia e Perandorisë Osmane e shekujve XIV-XX është e mbushur me renegatë, grekë, bullgarë, vllehë, boshnjakë, shqiptarë, madje edhe gjermanë apo frëngj, të cilët çimentuan jetëgjatësinë e Perandorisë Islamike. Të tillë renegatë pati edhe pinjollë të familjeve shqiptare, të cilët hynë në radhët e myslimanëve si pjesëtarë të qarqeve qeveritare osmane. Me konvertimin e shqiptarëve të thjeshtë në myslimanë, ata nuk u shndërruan në turq. Ata mbetën shqiptarë të mirëfilltë, armiq të sundimit turk. Historia e shqiptarëve myslimanë nuk është historia e turqve, por historia e shqiptarëve në shtetin osman, pavarësisht se të konvertuar në myslimanë, gjë të cilën e kanë vënë në dukje edhe vetë qeveritarët grekë. Historia e tyre është historia e Shqipërisë, e cila luftoi për qindra vjet kundër invazorëve osmanë për të fituar pavarësinë e Shqipërisë. Ajo është historia e Shqipërisë, në kohën kur grekët ortodoksë me porosinë e Patrikanës Ekumenike të Stambollit punonin kokulur për të respektuar paqen me Perandorinë Osmane. Të vjen keq kur mendon se historianët grekë të shkollës së zonjës Elefteria Manda nuk kanë arritur të kuptojnë se shqiptarët myslimanë luftonin njësoj siç luftonin grekët e krishterë për lirinë e tyre kombëtare.
Djepi ku u brumos mentaliteti që sundon te kolegët e zonjës Elefteria Manda nuk është feja në vetvete, por historia e vetë grekëve. Shteti i pavarur grek, i cili lindi më 1821, pati një trashëgimi të dyzuar, të pangjashme me faktorët që ndikuan në lindjen e shteteve të tjera ballkanike. Njërën trashëgimi e përfaqësonte shkëlqimi kulturor i Perandorisë helene antike, i cili vlerësohej së tepërmi nga qarqet e kulturuara të Europës perëndimore. Trashëgiminë tjetër e përfaqësonte Perandoria mesjetare bizantine, një perandori e mbështetur mbi dogmën e fesë së krishterë, të cilën nuk e njohu Antikiteti. Prej tyre, trashëgimia e parë, për shkak të copëzimit politik të Helladës antike në qindra polise, nuk u shërbente grekëve modernë, të cilët aspironin një shtet të centralizuar. Antikiteti u shërbente grekëve modernë vetëm si një dekoratë kulturore. Përkundrazi, trashëgimia e dytë, ajo e Perandorisë Bizantine, më e afërt në kohë se trashëgimia e parë, shpaloste para grekëve modernë, sipas tyre, idenë e një perandorie të përqendruar dhe unitare, e aftë për të çarë rrugën pa pengesa drejt përparimit.
* * *
Gjatë dy dekadave të para të shtetit të pavarur grek qeveritarët e Athinës u morën kryesisht me organizimin e brendshëm të shtetit të tyre. Fuqitë e Mëdha e shpallën Greqinë monarki me në krye një mbret, princin gjerman Otoni i Parë. Udhëheqësit e shtetit të ri grek, pasi mëkëmbën administratën shtetërore, pasi e pajisën vendin me ushtri kombëtare dhe pasi organizuan rrjetin diplomatik, e panë Greqinë e formuar nga Fuqitë e Mëdha si një shtet të vogël, me një milion e 800 mijë banorë. Ky shtet i vogël binte në kundërshtim me madhështinë e Helladës antike, e cila mbulonte gjithë Mesdheun. Patriotët grekë mbetën të pakënaqur kur panë se disa krahina të rëndësishme të cilat i konsideronin si djepe të nacionalizmit helenik, si Thesalia, Maqedonia, Thraka dhe Epiri, së bashku me ishujt kryesorë të Egjeut, kishin mbetur jashtë kufijve të shtetit grek. Madje, jo vetëm nga nacionalistët grekë, por edhe nga disa qarqe politike europiane, rrudhja e Mbretërisë greke në një hapësirë të ngushtë territoriale u konsiderua me të drejtë një padrejtësi.
Në këtë ambient politik ndërkombëtar ishte përhapur pikëpamja se grekët kishin dy kryeqytete – Athinën, kryeqyteti i Greqisë dhe Kostandinopojën, kryeqyteti i helenizmit. Si rrjedhim, Greqia moderne e lindur në shekullin XIX, shekulli i lëvizjeve të zjarrta nacionale në Gadishullin Ballkanik, u pushtua që në lindjen e saj nga prirjet ekstremiste nacionaliste. Prirja nacionaliste në shekullin XIX nuk ishte një mëkatë politike. Madje, ajo ishte një nxitje për të realizuar bashkimin politik të mbarë viseve etnike greke (vetëm të viseve etnike greke) në një shtet të përbashkët kombëtar. E keqja qëndronte te perceptimi që kishin udhëheqësit e shtetit të ri grek mbi kombësinë e tyre. Nga kjo pikëpamje, qeveritarët që shtinë në dorë drejtimin e Mbretërisë së Greqisë, nuk kishin pranuar konceptin modern mbi kombin. Ata qëndronin të gozhduar pas konceptit mesjetar bizantin mbi kombësinë. Sipas tyre, komponenti kryesor i një kombi nuk ishte as gjuha amtare, as bashkësia shpirtërore, por bindja fetare dhe arsimi që frekuentonin. Nga kjo pikëpamje, shqiptarët e krishterë ortodoksë, të cilët nga mungesa e një kishe ortodokse shqiptare, ishin në vartësi të Patriarkatit grek të Kostandinopojës, konsideroheshin nga qeveritarët e Athinës si pjesëtarë të kombësisë greke. Veç kësaj, sipas tyre, përkatësinë e shqiptarëve ortodoksë në kombësinë greke, e përcaktonte edhe frekuentimi i tyre në shkollat fillore greqishte, të vetmet shkolla që Perandoria Osmane lejonte për shqiptarët e krishterë ortodoksë që banonin në trojet e saj. Perceptimi jo i njëjtë mbi kombësinë që përvetësuan shqiptarët ndryshe nga grekët, gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, shkaktoi midis dy popujve fqinjë një hendek me dëme të pallogaritshme për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Synimet nacionaliste greke, të cilat frymëzoheshin nga ideja e rimëkëmbjes së Perandorisë Bizantine dhe jo nga parimet racionaliste dhe demokratike të Antikitetit, u shfaqën zyrtarisht si program politik nga qarqet qeveritare të Athinës rreth një çerekshekulli pasi Greqia fitoi pavarësinë e saj. Ato u shpallën nga kryeministri i saj Jani Koleti, në një fjalim të zjarrtë që mbajti më 15 janar 1844 në parlamentin grek, me programin tashmë të njohur me emrin “Megali Idea” (Ideja e Madhe). Sipas konceptit të “Megali Idesë”, mbretëria e Greqisë përfaqësonte vetëm një pjesë, madje pjesën më të varfër të kombit grek. Sipas tyre, qendrat kryesore Selaniku, Janina, Seresi, Adrianopoja, Kreta, Samosi, mbi të gjitha Kostandinopoja – ndodheshin jashtë Greqisë.
Shpallja e “Megali Idesë” ndodhi në kohën kur në Athinë valonte prej muajsh lëvizja e filluar nga qarqet ushtarake, të cilat kërkonin nga mbreti Oton të shpallte kushtetutën. Otoni u detyrua ta pranonte shpalljen e kushtetutës. Më 8 nëntor 1843 asambleja kombëtare filloi punimet për hartimin e kushtetutës. Gjatë diskutimeve disa përfaqësues kërkuan që në kushtetutë të theksohej se në funksionet shtetërore mund të emëroheshin vetëm grekët autoktonë dhe jo grekët e ardhur nga viset që ndodheshin jashtë Greqisë së pavarur. Madje, kërkuan që grekët e ardhur nga viset e tjera, siç ishin suljotët, të largoheshin nga detyrat që u ishin ngarkuar gjer atëherë. Lidhur me këtë çështje, në asamble e mori fjalën më 15 janar 1844 Jani Koleti, i cili kishte shërbyer si ambasador i Greqisë në Paris dhe ministër pa portofol në qeverinë e A. Metaksait. Në këtë fjalim, sipas historianit grek Jani Kordhatos, janë formuluar parimet bazë të politikës së jashtme të Greqisë moderne, që mori emrin “Megali Idea”. Atë ditë Jani Koleti në Parlament tha ndër të tjera:
“Më ngjethen mishtë kur kujtoj atë ditë që bëmë betimin për lirinë e atdheut (25 mars 1821 – K.F.), që të flijojmë në altarin e atdheut çdo gjë dhe vetë jetën tonë. Në këtë rast duhet ta ndjejmë barrën e këtij betimi, kur jemi mbledhur të hartojmë kushtetutën, këtë ungjill të ekzistencës sonë kombëtare. Për pozitën e saj gjeografike, Greqia është qendra e Europës. Duke pasur nga e djathta Lindjen (Bizantin – K.F.) dhe nga e majta Perëndimin (Romën – K.F.), Greqia është e destinuar të ndriçojë me rilindjen e saj Lindjen (Europën lindore – K.F.) ashtu siç ndriçoi me rënien e saj Perëndimin (Europën perëndimore – K.F.). Me frymën e këtij betimi dhe të kësaj ideje të madhe, kam parë kurdoherë përfaqësuesit e kombit grek të mblidhen për të vendosur jo më për fatin e Greqisë por atë të gjithë kombit grek. Po të dëshiroja, sa shumë do të dëshiroja, të ishin sot të pranishëm Germeni, Zaimi, Kolokotroni, përfaqësuesit e asambleve kombëtare të dikurshme dhe ata që morën armët për këtë qëllim të përgjithshëm, për të pohuar bashkë me mua, se sa jemi larguar nga ajo ide e madhe dhe shumë e gjerë e atdheut, të cilën e pamë të shprehur për herë të parë në këngën e Rigës (Riga Fereos Velestinliu – K.F.). Të bashkuar nga një frymë e vetme, të vëllazëruar me atë betim të shenjtë, të gjithë sa quheshim grekë fituam një pjesë nga qëllimi i tërë, dhe tani merremi me dallime të kota grekër dhe grekër të krishterë dhe të krishterë, ne, që duke pasur në njërën dorë flamurin e fesë dhe në tjetrën të lirisë, u munduam për shumë vjet për çlirimin e gjithë të krishterëve bashkëfetarë. Një betim të tillë bëmë ne pak më parë botërisht”.
Me këto tri përcaktime, me të cilat J. Koleti nuk ishte dakord, disa bashkatdhetarë të tij orvateshin ta ndanin popullsinë greke në tri grupime – në grekë autoktonë të mbretërisë së Greqisë; në grekë ortodoksë, ku përfshiheshin edhe grekët e viseve jashtë Greqisë dhe në banorë të krishterë jo grekë që banonin në Greqi, ku përfshiheshin edhe suljotët. Për Koletin, ky ishte një largim nga parimet që kishin udhëhequr revolucionin çlirimtar grek. Sipas konceptit grek të Idesë së Madhe, të gjithë këta banorë të krishterë të ritit lindor i përkisnin kombësisë greke. Sipas tij, grekë nuk ishin vetëm grekët e viseve të mbretërisë së Greqisë, por edhe “grekët” e grupimeve të tjera. Koleti ngulte këmbë që të drejtën e qytetarisë greke në mbretërinë e Greqisë duhej ta gëzonin edhe banorët e kolonive të shpërndara gjatë Mesdheut. Ai solli në fjalimin e vet si shembull praninë e rreth 16.000 “grekëve” në krahinën e Palermos të Sicilisë. Ai aludonte për arbëreshët e Sicilisë, banorë të qytetit Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi), i cili në kohën e tij quhej “Piana dei Greci”, për shkak të ritit kishtar lindor.
“Kur filloi kryengritja çlirimtare greke, – nënvizonte Koleti, – u betuam pra për lirinë e të krishterëve bashkëfetarë (ortodoksëve) dhe të gjithë grekëve, por rrethana të ndryshme na kufizuan në një shtrirje të caktuar… Vëllezërit tanë (jashtë Greqisë) morën armët, luftuan dhe u munduan për shumë vite jo vetëm nëpër krahinat e Greqisë, por edhe nëpër Turqinë Europiane dhe në Azi, sepse edhe atje u dëgjua kënga e Rigës… Sukseset e tyre ndikuan që Europa të mos gabohet, prandaj Fuqitë e Mëdha u dhanë të drejtën e imigrimit krahinave që mbetën jashtë Greqisë. Duke qenë kështu, si mund të bëjmë ndonjë dallim, kush është grek dhe kush nuk është grek, kush duhet të ketë të drejta politike dhe kush jo? Si mund ta bëjmë këtë ne, që u betuam nëpër asamble dhe shpallëm se grekë janë të gjithë ata që besojnë Krishtin, që kanë gjuhë të tyren greqishten?”.[1]
* Titujt janë të redaksisë. Titulli i origjinalit: Rreth historisë së Çamërisë. Një ndërhyrje e Prof. Dr. Kristo Frashërit për historianen greke Elefteria Manda
________________________________________
[1] Teksti i plotë është botuar nga Jani Kordhatos, Istoria tis neoteris Elladhas (Historia e Greqisë moderne), Vëllimi III, Athinë 1957, ff. 303-306. Përkthyer shqip për nevojat e këtij punimi nga Grigor Gjika.
Marrë nga voal.ch