Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

“Gone in 60 seconds”, aventura e një “krimi” kibernetik, që përfundon në komedi

Nga Klodiana 0

Nga IVA TIÇO / Paska një moment kur të rrëzohet dhe shkërmoqet menjëherë e gjithë siguria dhe kontrolli i emocioneve, që me shumë mundim mendon se i ke ndërtuar kohët e fundit dhe ankthi e paniku bëhen vërtet të pakontrollueshëm. Ky është momenti kur, me celularin në dorë, zbulon se nuk mund të futesh në llogaritë e tua në rrjetet sociale.

Gjithçka të ndodh aty përpara syve, dikush më i shkathët ia ka dalë të të ndërrojë password-in, e-mailin, të të ndalojë të hysh në llogaritë e tua dhe ndërsa më kot përpiqesh të futesh me anë të kodit që vjen me mesazh në telefon, faqet të zhduken. Gjithçka në 60 sekonda.

Në 60 sekonda të mallkuara ti nxiton të marrësh atë çka është e jotja, por nuk ja del dot… Gjithçka ikën: gjithë fotografitë e postuara në gjithë vendet e bukura ku ke qenë vitet e fundit, data dhe kujtime, kontakte dhe të qeshura miqsh, batuta të bukura, urime zemre, ngushëllime dhe shprehje kujdesi, thashetheme, biseda dhe kontakte pune, flirtime… Jo vetëm nuk i ke më, por dhe dikush tjetër, një i panjohur, tashmë i ka në dorë dhe mund të bëjë ç‘të dojë me to… Nuk ka ngushëllim që të bën derman, nuk ka “punemadhe, të morën të keqen”, fjali-shoqesh që të qetëson zemrën që të del vendit, teksa mendon skenarë të rrezikshëm, kur dikush nis të shkruajë me emrin e fytyrën tënde ose nis të rrëmojë mes bisedave private… Ajo që vërtet të qetëson është thjesht të marrësh mbrapsht llogaritë e vjedhura, të kesh sërish kontrollin e gjërave të tua.

Madje edhe atëherë nuk qetësohesh krejtësisht. Të mbetet ajo frika se ai që arriti të ta vjedhë një herë, mund të ta vjedhë sërish. Ia ke marrë mbrapsht dhe Instagramin, më në fund, në orën 4 e gjysmë të mëngjesit… Po tani do bësh rojë mos ta marrin prapë?!

Epo kush tha që do ishte kaq e lehtë të kesh profile me followers?! Nëse për t’i pasur duhet të paguash ndonjëherë haraçin e stresit dhe pagjumësisë, atëherë le të sakrifikojmë pak edhe të ruajmë deri në fund “pasurinë” virtuale. Dhe e bukura e gjithë kësaj, teksa ke kërkuar ndihmë në të njohur e të panjohur, është se zbulon një mori fjalësh dhe shprehjesh në një gërshetim të jashtëzakonshëm të shqipes me anglishten: “kë ke back up e-mail?”, “pse nuk e ke me two-factor authentication?”, “a ke alert për login të panjohur?”, “kë ke trusted contacts?” …

Gjithë bota fliska këtë gjuhë! Gjithë bota qenka eksperte, veç meje!

Ndaj ia vlen ta rris security-në. Sigurinë pra, po s’di pse e mësova dhe unë këtë dreq gjuhe brenda ditës. Për ta bërë këtë, nuk mund t’i besoj më asnjë miku dhe mikeshe, që në gjithë këto vite m’i paskan mbajtur të fshehta këto punët e security-së, por i drejtohem një profesionisti, i cili nuk më gjykon aspak se përse deri tani nuk kam marrë asnjë masë përtej atij password-it të thjeshtë: e çarmatos që në fjalinë e pare, duke i thënë se, të qe për mua, do ishte shumë më mirë po të shkruja ende në bllok me stilograf dhe ai ka pastaj gjithë durimin që të më tregojë hap pas hapi se çfarë duhet bërë dhe si duhet bërë… Që ta bëj mirë, unë mbaj shënim në një copë letër pasword-et dhe kodet e reja dhe pasi i vendosim bashkë, ai më bën dhe ushtrime se si t’i përdor. Fiks si në klasë të parë. Në fund i them me krenari se celularin e kam me kod personal. “Shpresoj jo ditëlindjen tënde”, më thotë duke qeshur dhe unë i them një “jo” të sigurt, duke tentuar të dukem inteligjente dhe profesioniste kodesh dhe duke imagjinuar ndërkohë çfarë do mendonte ai, nëse do i rrëfeja që siguria ime është 1234… Epo mirë, ai nuk pyet kaq gjatë dhe më shpjegon një kodim shumë më të sofistikuar, që sigurisht e bëjmë me ushtrime, pastaj më heq edhe mesazhet që dalin të shkruara në ekran dhe ja ku jam më në fund, një vajzë super safe. “Rrofsh”, them e kënaqur dhe palos letrën me shënime, duke e futur në xhep, ndërsa ai më këshillon të mos e mbaj, mirë është ta mësoj përmendësh edhe ta lë aty… Përgjigjem që do e mësoj përmendësh më vonë dhe letrën do ta ha: sigurisht as ai dhe as kolegët pak më tutje nuk qeshin, as buzëqeshin sa për mirësjellje, nuk e di çfarë mendojnë për inteligjencën apo batutat e mia… Kanë lindur të gjithë pas ’90-ës dhe nuk kanë si t’i dinë këto shprehjet me korrierët partizanë, që e hanin letrën për të mos rënë në duart e armikut.

Përpara kompjuterit, pak më vonë, gjithçka është më e komplikuar se ditët e tjera… Fus kodet njëra pas tjetrës për të hapur emailin, ku e vetmja gjë nga ato që kanë mbërritur e që ia vlen të lexohet është horoskopi i personalizuar. Gjithë ajo punë, për të lexuar një horoskop, që harrohet pas dy sekondash. Pastaj i tregoj shoqes së ngushtë për gjithë procedurat… Edhe ajo është shumë krenare për ndryshimet e mia. Kemi gjithë këto kode pra, për të postuar në Instagram, ku ajo do më shkruajë “sa bukur, sa yll ke dalë”, me shumë gjasë mbi një fotografi që do ma ketë bërë vetë ajo… Pastaj mendoj ato ditët që do vijnë, kur ndërsa do më duhet të hap me urgjencë një mesazh, do më duhet të shkruaj në celular gjithë atë kod të koklavitur. E ta mendosh që dikur gjithë ideja ime për sigurinë ishte një password i thjeshtë. Ose kyçja e telefonit Nokia me një buton të vetëm: ashty kyçej dhe ashtu çkyçej dhe asnjëherë nuk pamë keq prej atij telefoni. “Mos më fol”, më thotë pak më vonë një mik, që e marr në telefon për t’ia treguar. “Dikur siguria ime ishte më e thjeshtë – merre me vete celularin edhe në banjë, që të të mos ta kontrollojë gruaja dhe në rregull je”.

E vërtetë, dikur aq e thjeshtë ishte! Madje dhe me gruan rregulloheshe kollaj, një justifikim për të qenë, një fjali “gjërat nuk janë ashtu siç duken”, ose një dhuratë e mirë… Me hackerat nuk funksionon kështu. Me ata nuk sqarohesh dot, duhet t’i mundësh aty, në fushën e tyre, gjatë gjithë natës, me qetësi. Dhe të ruhesh mirë, me shumë kode, password-e, të shkruara në një letër të vogël, që duhet ruajtur mirë, të mos bjerë në dorën e gabuar…

Si përfunduam kështu, dreqi e mori?! Foto për qejf po postojmë. Nuk po nisim raketat, që të na duhen gjithë këto kode!

/Tiranapost.al

 

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej