Nga Ahmet Zani
Pas 65 vitesh i humbur, janë gjetur eshtrat e një të pushkatuari nga regjimi komunist, banor i fshatit Mërqi të Lezhës. Eshtrat e Ndrec Mark Zefit u gjetën në malin e fshatit, në afërsi të kishës, ku ishte pushkatuar në moshën 41-vjeçare pas kundërshtimit të regjimit të kohës.
Ka qenë këmbëngulja e familjarëve që mundësoi gjetjen e eshtrave, të cilat i kërkonin prej 25 vjetësh. Vajza e të pushkatuarit, Dile Ndreca thotë se ndjehet e lumtur që gjeti eshtrat e babait, pasi i kishte humbur shpresat.
“Ka 25 vite që kërkoj eshtrat e babait tim. S’kemi lënë vend pa kërkuar, por ka qenë tepër e vështirë për t’i gjetur. Dikush më thotë kanë humbur e dikush nuk janë këtu. Na dhanë informacion se në malin pranë kishës është vrarë babai dhe nisëm të kërkojmë. Kemi gërmuar në disa vende dhe më në fund i gjetëm eshtrat e tij.”
Ndrec Mark Zefi u vra në moshën 41 vjeçare dhe e bija në atë kohë ka qenë e mitur. Ajo është rritur tek shtëpia e gjyshërve të saj, derisa është martuar.
Banorë të vjetër të zonës, të cilët mbajnë mend ngjarjen thonë se Zefit i është zënë pritë nga forcat e Sigurimit të Shtetit, të cilët më pas e kanë ekzekutuar dhe varrosur në të njëjtin vend.
Eshtrat e gjetura janë rivarrosur sërish, ndërsa sot familjarët pas 65 vjetësh do ta dinë vendin ku prehet i afërmi i tyre. Si ky rast ka me qindra në vendin tonë, ndërsa eshtrat e shumë të pushkatuarve vijojnë të jenë të humbura.