Breshëria e plumbave në shtëpinë e gazetares Klodiana Lala ka sjellë në vëmendjen e publikut kërcënime të tjera që u janë bërë gazetarë. Gazetari Dashamir Biçaku thotë se është kërcënuar nga një person i cili nuk është hetuar nga Prokuroria e Vlorës sepse kërcënuesi ishte djali i xhaxhait të prokurores.
Dashamir Biçaku shkruan:
Sulmi ndaj shtëpisë së një qytetari e më tepër ndaj një gazetari, si ai dje ndaj koleges Klodiana Lala, për mua që i kam provuar vetë dhe vazhdoj t’i provoj kërcënimet e dhunën e grupeve kriminale, njerëzve të veshur me pushtet, atyre, tregon për fat të keq se sa e lehtë është të sulmohen gazetarët, apo të afërmit e tyre. Tregon se sa e lehtë është të tentosh t’iu mbyllësh gojën atyre. Tregon se sa të pambrojtur janë gazetarët, kundrejt grupeve kriminale. Tregon se sa e vështirë është të punosh në këtë profesion në Shqipëri. Tregon se sa i frikshëm është profesioni ynë, ndërsa ne përpiqemi të jemi transmetues e asaj që ndodh, jo gjyqtarë të saj.
Kur agresioni mbërrin në këtë pikë nuk është më as kërcënim, por sulm i mirëfilltë për të bërë çmos që dikush të mos vazhdojë të flasë më, që dikush të mos e vazhdojë ta bëjë punën e tij. Dhe kjo në mënyrë të veçantë për gazetarët. Ne jemi ata që përpiqemi të tregojmë shqetësimet e të gjithë të tjerëve, por kurrë nuk flasim për veten. Kjo ndodh edhe pse ne vazhdimisht mund të jemi nën kërcënimin e dhe agresionin e kujtdo të cilit i dalim përpara. Jemi nën kërcënimin dhe agresionin brutal të kujtdo pushteti dhe zyrtarëve të tij, nëse atij apo atyre, nuk iu pëlqen kjo gjë.
Jemi nën agresionin e kujtdo personazhi të krimit të rrugës e krimit të organizuar të cilit nuk i shkon për shtat e vërteta. Përpos të gjitha kërcënimeve e shantazheve që perjetojme, rreziqeve që marrim përsipër, puna e gazetarëve nuk është aq e bukur sa ç’del në ekranet tona.
Shumë e dinë, por shumë të tjerë nuk e dinë që gazetarët mjaft herë janë të nëpërkëmbur dyerve të administratës, sharjet dhe fyerjet, janë të zakonshme, linçimet nuk mungojnë. Nëpër vendet e krimit, shumë prej nesh mund të shantazhohen që të mos marrin pamje, intervista dhe të mos e bëjnë punën tyre. Nëse ndonjë syresh mendon të bëjë ndonjë investigim, zor se ia del ta përfundojë, shkopinjtë rrugëve nuk janë si ata të zakonshmit të gazetarise që shohim në botë, apo qoftë edhe në vendet e treta, apo ato në konflikte.
Nëse ndokush prej nesh do të mendojë se do të kërkojë mbrojtjen e shtetit dhe bën ndonjë denoncim, për ndonjë kërcënim, prokuroria nuk do ta zbardhë kurrë. Por nëse do ta ketë të zbardhur, i akuzuari do të ketë ndonjë mik, kushëri, apo kushërirë prokuror, apo prokurore, gjyqtar, apo gjyqtar dhe shume shpejt çështja do të mbyllet, apo nuk do të hetohet. Por kjo është vetëm një pjesë e kalvarit që shumë prej nesh heqim. Kjo sepse ne, gazetarët shqiptarë, jemi nga ata që e kemi të keqen mes nesh.
Shumë prej nesh gëzojnë më pak të drejta se ç’do të gëzonte çdo punëmarrës më i rëndomtë në një vend në rajon, apo në çdo vend tjetër të botës. Ne jemi ata që s’kemi të drejta. Në reporterët dhe gazetarët, nuk mund të bëjmë më tepër se dy javë pushime në vit. Mendo, një çmenduri kjo. Ne jemi ata që të gjitha ditët e festave zyrtare, s’kemi të drejtë të bëjmë më shumë se një ditë pushimi në javë. S’kemi të drejtë të sëmuremi, s’kemi të drejtë të flemë, sepse në oren 01:00, pas mesnate shefi mund të të telefonojë dhe të të kërkojë llogari për një lajm që sapo ka ndodhur, edhe pse ti mbase je duke fjetur, ke fëmijet në gjumë, apo tek e fundit të ka mbaruar orari i punës.
Ne reporterët shqiptarë jemi ata që duhet të punojmë 16-20 orë në ditë, ndonëse paguhemi vetëm për 8 orë punë në ditë. Ne punojmë 6 ditë në javë, ndonëse paguhemi për 5. Ne jemi ata të cilët kontrata e punës është një letër higjenike që e përdor botuesi apo pronari, nëse atij i është mbaruar ajo në tualet.
Ne jemi ata të cilët duhet të përballojmë stresin e shefit, se atij i ka ngecur sharra në gozhdë diku. Ne jemi ata të cilët punojmë që të pasurohen shefat tanë, nëse ata nuk duan ta publikojnë një lajm, apo një kontratë koncesionari makinash p.sh, duhet të marrim përispër të justifikojmë faktin pse na duhej ajo kontratë e policisë p.sh me X koncesionar. Dhe në fund, kur të të kenë shfrytëzuar mirë, do të të tregojnë derën se me demek nuk i ke përmbushur kushtet e tyre të punës, ndërkohë që ty si gazetar nuk të ka përmbushur askush asnjë kusht….Kjo është gazetaria në Shqipëri.
Sulmi ndaj Klodiana Lalës, duhet marrë seriozisht nga ata që kanë detyrmin të hetojnë dhe të mos mbyllin veshët përpara asaj që ndodh. Më poshtë jane disa nga mesazhet e denoncuara në polici dhe në Prokurori prej meje, të cilat nuk janë hetuar nga prokuroria e Vlorës sepse kërcënuesi ishte djali i xhaxhait të prokurores…