“Foleja e Shqiponjave” fton popullsinë e Çamërisë t’i bashkohet festës. Arbëreshët vijnë gjithashtu në Shqipëri për të manifestuar bashkë me shqiptarët në kështjellat shqiptare, të Krujës, Lezhës, Shkodrës me një program mjaft interesant ku priten nga autoritet vendore.
Me rastin e 550 vjetorit të betejës së fundit të Gjergj Kastriot Skenderbeut, me fitore, me 24 prill 1467 mbi pushtuesit turq.
Një manifestim mjaft interesant është menduar nga shoqata “Foleja e Shqiponjave”, për të përkujtuar 550 vjetorit të betejës së fundit të Gjergj Kastriot Skenderbeut. Më 24 prill është parashikuar të ndizen flakadanë në kështjellën e Krujës, të Lezhës, Rozafës, Kepin e Rodonit dhe kalanë e Prezës. Në këtë festë interesante e organizuar nga “Foleja e Shqiponjave”, vijnë të ftuar special arbëreshët e Italisë të cilët do të jenë në qëndër të këtyre festimeve. “Foleja e Shqiponjave”, ka bërë ftesë për të gjithë që t’i bashkohen kësaj festë por ka një thirrje specifike për komunitetin e Çamërisë dhe kryersisht drejtuesit e PDIU-së që t’i bashkohen këtij manifestimi domethënës që revokon historinë më të lavdishme të Shqipërisë.
Ftesa
“I bëjmë thirrje Komunitetit shqiptar të çamëve, të përfaqësuar edhe në Parlament nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) si dhe nga shoqata patriotike “Çamëria”, më e hershmja ndër shoqatat e tjera, e krijuar pas rënies së komunizmit në Shqipëri, e cila sot më shumë se kurrë duhet të mbështesë lëvizjen mbarë kombëtare për kremtimin e fitores së madhe të Skënderbeut mbi ushtritë turke, pushtuese të trojeve tona shekullore – autoktone!
Ndaj është në nderin e drejtuesve të kësaj partie dhe të zonjës së nderuar, Mesila Doda, Sekretare e Përgjithshme e PDIU-së, të ofrojnë bashkëpunim dhe mbeshtetje, pasi një akt i tillë rrit vlerat e këtij evenimenti të madh, shndërrohet në mesazh për gjithë opinionin kombëtar dhe më gjerë, ashtu sikurse edhe me përpjekjet për bashkëveprim ligjor për realizimin e çeshtjes madhore, temë aktuale ndër shqiptarët – “ Bashkimi Kombëtar”.
Njëkohësisht, “Foleja e shqiponjave” ndjen nevojën e gjithë qytetarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e kudo që ndodhen, të mbeshtesin fuqishëm manifestimin mbarëpopullor, që kryhet për herë të parë në trojet Arbërore për ta kthyer atë në një traditë të përmotëshme. Lutemi gjithashtu, që askush të mos bjerë “pre” e veprimeve politike –partiake apo ndërfetare, të cilat duken si patriotike në pamje të parë, por që në të vërtetë mund të dëmtojnë rëndë kauzën kombëtare.
Shqipëria tash pret nga ne ndergjegjësim, mirëkuptim, bashkëpunim, ashtu siç na ka hije; tradicionalisht, besnikë, mikpritës e dashamirës në një ngjarje si kjo, e cila nuk është rastësore, por kërkesë imediate, gur themeli, lëvizje në lartësim imazhit të Shqipes sonë dykrenarë mbi një trup të vetëm; gegë e toskë, të krishterë e myslimanë ashtu si dikur, bij të së njëjtit dammar, të së njëjtës race, në sherbim të së madhes, mëmës Shqipëri!
Program i festimeve
“Dita e I-rë. me dt.22-prill” – Arbëreshët do te vijnë në Durrës në mëngjesin e kesaj dite dhe do të akomodohen në Shëngjin. Ora 12:30 – 14:00, Deputeti Eduart Ndocaj, do të shtroje nje drekë mirëseardhjeje në Lezhë. Më pas, Arbëreshët do të shkojnë në Krujë. Ora 16:00 – 18:00, fillon “Vallja e Fitores” ku do të vizitohet zona Muzeale. Ora 18:00 – 23:30, do të festohet në oborrin e Kështjellës.
“Dita e II-të.me dt.23-prill” – Fillimisht në orën 10:00,do te kryhen homazhe tek Vëndvarrimi i Gjergj Kastriotit në Lezhë, pasuar me një Program te larmishem Artistik qe do te kulmoje tek Sheshi.Gjergj Kastrioti në qendër të qytetit. Ora 12:00 – 13:30, Kryetari i nderuar i Bashkisë së Lezhës, Z. Fran Frrokaj falë të cilit po materializohet i gjithë ky aktivitet mbarëkombëtar 3-ditor,do të shtrojë drekë për Arbëreshët. Më pas, në orën 15.00, Arbëreshët do të mbërrijnë në Shkodër, ku fillon Parada, nga Shëtitorja Skënderbej e deri në Kështjellën Rozafa. Ora 17:00 – 21:00, do të festohet në oborrin e Kështjellës. Ora 21:30 – 23:30, do të shtrohet banket tek ‘Bar Tradita’.
“Dita e III-të. me dt.24-prill” – Arbëreshët në orën 09:00 do të vizitojnë Kështjellën e Lezhës. Në orën 11:00 – 13:00, do të vizitojnë Keshtjellën e Kepit te Rodonit. Më pas, në orën 16:00, fillon parada në Pedonalen e qytetit te Durrësit dhe do të vizitohet Muzeu Arkeologjik. Ora 17:30 – 19:30, Arbëreshët do të performojnë me këngë e valle tradicionale në Amfiteatër. Ora 19:30 – 20:00, autoritetet vendore do të shtrojnë Banket e do përcjellin arbëreshët për në Portin e Durrësit.