Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Dritëhijet e ligjit për minoritetet dhe dygjuhësinë- rrezik shkombëtarizimi

Nga Media 0

“Demokratike.al” zbërthen dy ligjet “bombë” të Sandër Lleshajt që vënë në rrezik ekzistencën e shtetit shqiptar pas pak vitesh. Çfarë fshihet pas ligjit për dygjuhësinë dhe “300 firmat” për të qenë minoritet?

Flasin për “Demokratike.al” studiuesit Erald Kapri dhe Arben Llalla: Ligji duhet të tërhiqet! Dy ligje të propozuara nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, kanë ngjallur debate në forta mes ekspertëve si dhe kanë alarmuar opinionin publik.

Fjala është për ligjin e ri për minoritetet dhe atë për dygjuhësinë , aty ku jetojnë pakicat kombëtare. Sipas ligjit të parë, nëse në një zonë të caktuar 300 persona deklarohen me kombësi tjetër nga mazhoranca përbërëse, atëherë iu lind e drejta e marrjes së statusit të minoritetit. I dyti përcakton se nëse 20 % e banorëve janë pakicë kombëtare, atëherë atyre iu sigurohet gjuha amtare në komunikimet me qeverisjen vendore, tabela dhe sinjalistikë rrugore.

“Demokatike.al” ka analizuar në terma konkretë gjetjet e dy nismave. Reagimi i ekspertëve, historianëve dhe njohësve të ligjit ka qenë i fortë, kundër një nisme të tillë. Qëndrimet janë të unifikuara dhe kritikojnë qeverinë kur thotë se në ligj ka ngatërruar pakicat kombëtare me pakicat etnokulturore, por të shumtë janë zërat kundërshtues që akuzojnë qeverinë për tradhti kombëtare. Kjo pasi në vetëvete procesi i vetëdeklarimit të kombësisë në Shqipëri ka rënë jo pak herë pre e abuzimeve të shteteve fqinje, duke joshur elementë të caktuar brenda shtetit tonë me qëllim cenimin e balancave demografike në raportin shumicë/pakicë.

Megjithatë, e sigurt është, duke u nisur analizë tepër modeste, se prej këtij ligji do të nisin probleme të theksuara të brendshme në vend dhe janë me plot të drejtë konstatimet se të dy draftet që pritet t’i kalojnë Kuvendit për shqyrtim, përbëjnë rrezik serioz shkombëtarizimi pas disa dekadash. PDIU dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile kanë paralajmëruar protesta ditët në vijim, për të pamundësuar kalimin e dy ligjeve në Kuvend.

Ligji për dygjuhësinë

Më konkretisht, ligji specifikon: “Njësia bazë e vetëqeverisjes vendore, në të cilën personat që i përkasin një pakice kombëtare banojnë tradicionalisht ose përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë brenda territorit të saj, krijon kushtet për përdorimin e gjuhës së pakicës në marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe personave që i përkasin pakicës, bazuar në kërkesën e tyre”.

Ky draft përcakton edhe se ku do të përdoret dygjuhësia: “Gjatë procesit të informimit mbi të drejtat e tyre, “Për vetëqeverisjen vendore”, aksesit në programin e transparencës; gjatë seancave të këshillimeve me bashkësinë përpara shqyrtimit dhe miratimit të akteve, në paraqitjen e kërkesave apo ankesave drejtuar organeve bazë të vetëqeverisjes vendore, për të paraqitur iniciativa qytetare nëpërmjet përfaqësuesve të autorizuar, drejtuar këshillit bashkiak sipas parashikimeve të përcaktuara në rregulloren e organizimit dhe funksionimit të këshillit bashkiak”.

Një tjetër risi e këtij ligji është edhe emërtimi i njësisë administrative ku minoritetet bëjnë pjesë, e sipas nenit tetë kur ata janë 20% me anë të një kërkese ata kanë të drejtë të vendosin “për emërtimin e njësisë administrative, rrugëve shesheve, territoreve, krahas gjuhës shqipe edhe në gjuhën e pakicës kombëtare”.

Minoritet me 300 veta

Një grup prej jo më pak se 300 veta, mund të përcaktohen dhe të njihen si pakicë kombëtare në vendin tonë. Këtë parashikon projektvendimi i hartuar nga Ministria e Brendshme, e cila pak ditë më parë i kërkoi mendim shoqërisë civile, mes tyre, historianëve, profesorëve dhe juristëve. Por pjesë dërrmuese e tyre kërkuan ndryshimin e ligjit me pretendimin se nuk ka qasje me realitetin shqiptar. Qeveria është tashmë përpara presionit të ekspertëve por edhe opinionit publik.

“ Kërkesa për njohjen e pakicave , depozitohet pranë Komisionit për shqyrtimin e kërkesës për njohjen formale të pakicës kombëtare ( në vijim referuar Komisioni ) , nga një grup shtetasish prej jo më pak se 300 ( treqind ) persona me zotësi të plotë për të vepruar , që pretendojnë se i përkasin pakicës kombëtare ” , thuhet në draft . Më pas komisioni i ngritur me urdhër të kryeministrit do të shqyrtojë kërkesën , në përbërje të të cilit janë zv / ministri i drejtësië , përfaqësues të ministrive , përfaqësues të Akademisë së Shkencave , përfaqësues të Drejtorisë së Arkivave , përfaqësues të pakicave kombëtare etj . Studiuesi

Erald Kapri: Dy ligjet , “minë me sahat” dhe tradhti kombëtare, të tërhiqen shpejt

Studiuesi Erald Kapri i bën thirrje qeverisë të tërhiqet nga dy ligjet për pakicat kombëtare dhe dygjuhësinë, pasi nuk kanë qasje me realitetin shqiptar dhe nuk janë të bazuar në asnjë fakt historik e as precedentë të vendeve të tjera. Kapri shprehet për “demokatike.al” se dy nismat janë “bombë me sahat” dhe tradhti kombëtare, ndërsa ngre alarmin se jugu i vendit rrezikon të asimilohet.

Studiuesi Erald Kapri

Ç’mendim keni për nismën e re të përgatitur nga qeveria për minoritetet? Mjaftojnë 300 firma për t’u shpallur pakicë kombëtare dhe nëse në një zone 20 % deklarohen pakicë kombëtare, atëherë kanë të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre në komunikimet me pushtetin vendor, si vendosjen në tabela e sinjalistika. Si e lexoni këtë zhvillim?

Unë kam mbajtur një qendrim publik në lidhje me këtë çështje dhe e shoh si tradhëti kombëtare. Besoj se është një nga aktet më të rënda të miratuara ndonjëherë e cila do të ketë pasoja për shtetin shqiptar. Më besoni, marrëveshja e detit apo dy varrezat greke janë të pakahasueshme me këtë vendim të qeverisë. Uroj që të reflektohet shpejt dhe të tërhiqet. Në terma afatshkurtër, ndoshta pas 20 vitesh , nëse ky vendim miratohet, sapo të zbresësh Qafën e Llogarasë, do të duket si një Greqi e Vogël. Ky është synimi i palës greke dhe pala shqiptare, ta themi hapur, nuk ka këllqe, është e korruptuar dhe e pazot t’u dalë në ballë çështjeve shqiptare.Asnjëherë më parë nuk ka qënë kaq rëndë. Ish – Mbretëria shqiptare nën Zogun ka arritur çështje historike me palën greke , nga autoqefalia e Kishës e deri tek njohja e minoriteti shqiptar Çam. Ndërsa sot kur pretendojmë se kemi edhe traktat miqësie mes dy vendeve , po endemi drejt vendimeve që nuk kanë asnjë precedent në vende të tjera.

Çfarë rreziqesh shihni në të ardhmen, duke ditur që vetëdeklarimi është ndikuar nga shumë aspekte anësore në disa zona siç është joshja me pensione e financime në rastin e Greqisë , por edhe vendet e tjera fqinje “ gjuajnë ” elementë të caktuar për këto qëllime?

Me pak fjalë, do mjaftonin disa qindra persona që mund t’i bëjnë propozim Këshillit Bashkiak. Në e dimë si janë këshillat bashkiake në periferi , laramane , me lloj – lloj interesash individësh të vegjël që blihen kollaj. Ndaj, në të ardhmen e afërt nuk do jetë çudi që bashkia e Himarës, Bashkia e Konispolit të shpallen zona minoritare. E thashë pak më sipër që synimi është që pasi të kalohet Qafa e Llogarasë të vijë më pas një Greqi e Vogël. Kjo është një minë me sahat për interesat shqiptare . Unë uroj që edhe opozita ta kundërshtojë ashpër . Është e qartë që qeveria ndihet ngushtë për shkak se pala greke po përdor hapjen e negociatave . Por kësaj radhe negociatat nuk kanë ngelur në dorën e tyre , është më komplekse . Ndaj duhet reflektim . Minimumi ne shqiptarët duhet të ndjekim shembullin e maqedonasve të cilët asnjëherë nuk u përkulën para presionit grek por e përballuan me dinjitet dhe forcë mohimin grek . Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë . Nuk na duhet hapja e negociatave me lëshime të tilla . Nëse ne do i rezistojmë presionit grek do jemi më të fituar dhe vetë BE dhe SHBA do i bënin presion palës greke të tërhiqej sepse kushte të tilla që bëjnë grekët nuk janë parë dhe as dëgjuar.

Ndërkohë në anën tjetër, kemi Greqinë që nuk njeh fare minoritete, ndërsa çështja Çame p.sh po tentohet të arkivohet me çdo mjet nga Athina zyrtare. Çfarë karte duhet luajtur në këtë drejtim? Mos ka ardhur koha për reciprocitet?

Kjo çështje me shqetëson edhe mua . Greqia po realizon çdo objektiv të saj në raport me palën shqiptare . Ne kemi ngelur në vend . Nëse do vazhdojë kështu , shumë shpejt Greqia do realizojë çdo objektiv dhe ne si shqiptarë nuk do kemi asnjë mundësi për t’i bërë presion pozitiv që të njihet çështja çame . Më thoni ju , me çfarë do e “ joshim ” palën greke të pranojë çështjen çame ? Praktikisht nuk do kemi asgjë . Ndaj po rrezikojmë shumë dhe humbja për ne do jetë shumë e madhe.

Ne njohim si zona minoritare Dropullin p.sh, Finiqin por dhe Pustecin , pse u dashka kaluar apo masivizuar teza e minoritetit, me “300 firma”, në të gjithë vendin kur nuk ka asnjë gjetje historike të kësaj natyre që të motivojë një zhvillim të tillë?

Jo vetëm kaq . Unë e sfidoj qeverinë shqiptare për të treguar se ku e ka marrë këtë model . Është i turpshëm . Po ju jap një rast . Londra , një qytet që e njoh mirë pasi kam studiuar atje , ka mbi 130 nacionalitete të ndryshme që jetojnë dhe punojnë atje . Madje , sot gjysma e Londrës nuk flet më anglisht për shkak se qyteti është një shembull kozmopolitizmi . Sipas këtij vendimi që merr pala shqiptare , Londra nuk do ishte më qytet anglez por kushedi çfarë , e madje quha angleze do trajtohej si minoritare . Për të qeshur e për të qarë njëkohësisht . Me pak fjalë , i bie që komuniteti shqiptar në Londër , që i kalon 100 mijë , mund të kërkojë në këshillin Bashkiak të Londrës njohjen e gjuhës shqipe si minoritare . E më pas gjithë Londra të mbushej me tabela shqip dhe anglisht e do quhej “ little – Albania ” . Nëse britanikët e pranojnë këtë gjë , atëherë tua japim me qef edhe palës greke.

Historiani Arben Llalla: Me këtë ligj Greqia mund të aneksojë jugun e Shqipërisë

Historiani dhe studiuesi i çështjeve shqiptaro – greke, Arben Llalla ngre alarmin se pas ligjit të propozuar nga qeveria për gjuhën e minoritetit në çdo vend ku ata jetojnë, fsheh interesa politike , pas të cilave qëndron Athina. Ai thotë se nëse ky ligj miratohet, atëherë Greqia mund të tentojë aneksimin e Jugut të Shqipërisë. Llalla akuzon qeverinë e Tiranës se nuk po mban premtimin për çështjen çame në raport me Greqinë, ndërsa akuzon se janë bërë përpjekje për të hequr termin Çamëri nga librat shkollorë.

“Ligji për përdorimin e gjuhës amtare 20 % është realizuar vetëm në Maqedoninë e Veriut pas një revolucioni më 2001 me armë nga ana e shqiptarëve që përbëjnë rreth 45 % të popullsisë . Kjo metodë nuk duhet të përdoret në Shqipëri pasi nuk kemi pakica kombëtare me numër të madh . Edi Rama i akuzuar për bashkëpunim me sigurimin grek nga z.Berisha dhe i nderuar me medaljen e lartë Kalorës Mbrojtës i Ortodokisë Greke , po realizon ëndrrën greke dhe serbe për ta paraqitur Shqipërinë një vend jo stabil dhe shumëetnik . Shikoni Rama njohu 9 pakica gjë që nuk i ka njohur Maqedonia e cila është vend shumëetnik dhe Kosova . Ky Ligj që do të sjellë qeveria Rama 2 bie ndesh me realitetin dhe kushtetutën , por Rama tashmë kontrollon tërë shtetin në mënyrë diktatoriale dhe mund të vetëshpallet edhe mbret . Nëse shqiptarët nuk e rrëzojnë Edi Ramën do vijnë ditë të errëta për Shqipërinë . Shikoni , Rama shkatërroi PS – në , duke zhdukur gazetën “Zëri i Popullit”, i ndryshoi ngjyrën tradicionale , dhe tani i është turrur Shqipërisë si i çmendur për ta shkatërruar . Një njeri jo stabil që ka shkatërruar disa herë familjen e tij dhe prej tij unë nuk pres ditë të mbara”, shprehet Llalla për “ demokratike.al ”

Por cilat janë rreziqet që mund të vijnë në të ardhmen?

“Nga ky ligj dhe nga Edi Rama parashikoj që mund të shpallet aneksimi i jugut të Shqipërisë duke ja bashkangjitur Greqisë. Rama drejt këtij projekti po e çon Shqipërinë. Mbase Zoti na ndihmon sepse vetë shqiptarët janë të dorëzuar përpara diktaturës së çmendur të tij i cili i çoi shqiptarët në emigracion masiv dhe në varfëri ekstreme. Sipas ligjit që Rama do të votojë i bie që një lagje të nënshkruaj se kanë ndërgjegje e ekipit të futbollit të Brazilit e të vetëshpallen brazilianë apo milanezë” , thotë historian Llalla. Në një kohë kur Greqia insiston për të drejtat e minoritetit , madje edhe të sajojë elementë minoritarë aty ku nuk ekzistojnë, Llalla akuzon Tiranën zyrtare se po i nënshtrohet Athinës , duke shkuar deri aty sa tentuan heqjen e emrit Çamëri nga tekstet shkollore . “Greqia nuk njeh asnjë pakicë kombëtare edhe pse brenda saj kemi shqiptar , turq , hebrenj , vlleh , romios , pomak , etj .

Patjetër që ne duhet të përdorim reciprocitet por Kuvendi i Shqipërisë është një vend ku nuk ka deputet kombëtar por vasal që punojnë për rrënimin e Shqipërisë . Çështja çame po mbahet gjallë edhe pse qeveria “ Rama ” është munduar të zhdukë emrin Çamëri , të izolojë partinë PDIU që përfaqëson çështjen çame . Shpresojmë që të kemi rotacion politik më 2021 me qëllimin e mirë që shqiptarëve t’ju rikthehet krenaria , rritja ekonomike , stabiliteti politik i brendshëm dhe i jashtëm ” , thotë më tej për “ demokratike.al ” , historiani Arben Llalla.

Idrizi: Shqiptarët të ngrihen në protesta

Tradhti Kombëtare e ka quajtur, kreu i Partisë për Drejtësi , Integrim dhe Unitet ( PDIU ) Shpëtim Idrizi propozimin e qeverisë shqiptare për dygjuhësi në qytetet ku ka minoritete në masën e 20 % . Idrizi tha se ata do të reagojnë fort , dhe protesta do të jetë një nga format duke thënë se kjo çështje nuk u përket vetëm çamëve , por të gjithë shqiptarëve.

“Ne do të vazhdojmë duke filluar nga nesër , të denoncojmë , të protestojmë , por edhe më shumë se kaq për një mendjelehtësi në rastin më të mirë , tradhti kombëtare në rastin më të keq të një VKM – je që po tentohet të ndodhë ku mjafton që 1 % e njerëzve në zonë të pranojnë që janë në minoritete dhe ajo do të kthehet në dy gjuhësi . E kemi denoncuar që në ligjin e minoriteteve , ku na dolën 9 minoritete , ne e dimë që gjysma e trungut shqiptar ndodhet jashtë dhe s’mund të kemi 9 . Unë do reagoj duke ju sensibilizuar juve , kjo nuk është çështje e imja , por çështje e të gjithë shqiptarëve ” , tha Idrizi .

9 minoritete në Shqipëri

Ky ligj, vjen tre vite pas atij të 2017 – ës kur qeveria i propozoi Kuvendit ligjin “ për mbrojtjen e pakicave kombëtare ” , në të cilin u përcaktua minoritetet në Shqipëri janë nëntë , përfshirë dhe pakicën bullgare . Megjithatë , edhe ligji i 2017 – ës përbën një handikap të madh pasi janë njohur 9 minoritete , por pa përcaktuar kriteret mbi bazën e të cilave i ka njohur këto minoritete , si psh territori i caktuar , fakte historike që të tregojnë se ky komunitet ka tradita të ndryshme me mazhorancën e një shteti etj . Nga tre minoritete që kanë qenë njohur ligjërisht si ai grek , bullgaro maqedonas dhe malazez , sot janë 9 pakica kombëtare në vendin tonë : Minoriteti vllah , rom , maqedonas , vllah / arumun , egjiptian , malazez , boshnjak , serb dhe bullgarë .

Minoritarë edhe iranianët, sirianët …

Ligji i Sandër Lleshajt i hap rrugë krijimit të minoriteteve të reja në vendin tonë , ndër to edhe nga më të padëgjuarit ndonjëherë . Krahas 9 minoriteteve për të cilët ka dyshime të forta se mbi cilat kritere iu është dhënë ky status , pas pak do të kemi me statusin e minoritetit banorë të ardhur nga vendet e Lindjes së Mesme apo vende në luftë . Kështu , siç dihet në Shqipëri jeton një komunitet iranianësh . Jetojnë edhe mjaft sirianë të larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës . Jetojnë gjithashtu palestinezë , e të tjerë nga vendet afrikane , për arsye nga më të ndryshmet . Me ligjin e Sandër Lleshajt secili prej këtyre komuniteteve , pra nëse bëhen 300 firma , merr statusin e minorietit aty ku banon dhe domosdo lind e drejta e përdorimit të gjuhës amtare . Prandaj nuk duhet të çuditemi aspak kur të shohim në zonat ku jeton ky komunitet , tabela në gjuhën arabe dhe komunikime në arabisht dhe jo vetëm në zyrat e pushtetit vendor .

Shqiptarët, të nënshtruarit e rajonit …

Nëse flasim për tolerancë , në realitet Shqipëria është një hap para vendeve të tjera të rajonit . Në zonat e konsideruara minoritare si Dropull , Finiq dhe Pustec ekziston dygjuhësia me shqipen dhe gjuhën amëtare të minoritetit. Madje në Finiq , autoritetet vendore e kanë spostuar shqipen në gjuhë të dytë dhe jo të parën siç e kërkon Kushtetuta e sërish shteti shqiptar është treguar tolerant . Autoritetet por edhe populli shqiptar kanë toleruar dhe tolerojnë grupet e tjera etnike të cilët janë fakte historike , ndërsa e njëjta gjë nuk ka ndodhur me shqiptarët e mbetur jashtë kufijve shtetërorë në Ballkan . Shqiptarët janë asimiluar në Greqi, nuk kanë status jo vetëm minoriteti , por as pakicë . Në Maqedoninë e Veriut pas një beteje të gjatë prej tre dekadash shqiptarët fituan më në fund vendin që meritonin si pjesë e trungut shtetformues . Edhe në Malin e Zi asimilimi ka qenë politika kryesore e këtij shteti , aq sa shqiptarët sot atje llogariten më pak se 5 % . /Demokratike.al

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej