Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Ditmir Bushati kundër Edi Ramës. Lëreni opozitën e emëruar, por socialistët e vjetër të marrin situatën në dorë (film)

Nga Klodiana 0

Ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati ka deklaruar se duhet urgjent të gjejmë zgjidhjen e madhe mes vetes dhe me opozitën, pasi jemi në një krizë të madhe politike dhe sociale.

Nga foltorja e Kuvendit, Bushati iu drejtua Ruçit, Ulqini, Majko si socialistë të vjetër dhe me eksperiencë, që të marrin situatën në dorë, të bindim PS dhe opozitën për uljen në bisedime për të gjetur udhën e arsyes e jo të arrogancës.

“10 vjetori në NATO nuk është meritë vetëm e PS, por edhe paraardhësve tanë opozitarë. Duhet të gjejmë udhën e arsyes si PS pasi vendi ndodhet në udhëkryq të madh”, shtoi ish-ministri.

Ditmir Bushati tha se “ne në PS nuk duhet të jemi arrogantë (nënkuptoi Edi Ramën). Demokracia nuk është procedurë. Procedurë është zëvendësimi i listave siç po bëhet. Demokracia është respekt…”, duke nënkuptuar se opozita është ajo jashtë sallës së kuvendit e jo këta deputetë që kanë ardhur nga procedura.

Bushati theksoi se në gjirin e PS-së dhe në grupin parlamentar ka plot persona me personalitet dhe profesionistë të nderuar, të cilët kanë dinjitet dhe logjikë si dhe vendosin para shtetin dhe popullin e jo karriken qeveritare.

Fjalimi i plotë i ish-ministrit të jashtëm, Ditmir Bushati

Raportimi i institucioneve Kushtetuese në Kuvend është një procedurë normale, por në situatën politike që ne jetojmë, raportimet e institucioneve apo edhe debatet e ndryshme që u shfaqën në lidhje me nevojën për të garantuar sistemin zgjedhor garnacinë që ky sistem duhet të ofrojë në radhë të parë për votën e qytetarëve shqiptarë të këtij vendi, sot për sot marrin një vëmendje të posaçme.
Nuk ka diskutim politika shqiptare, për herë të parë është në një situatë të paprecedentë. Kemi qenë shpesh në rrethrrotullime, kemi gjetur tabelën Exit për të dalë nga këto rrethrrotullime, por për herë të parë dy parti parlamentare kanë dorëzuar mandatet e tyre, mandatet e dhëna nga populli. Normalisht kjo është e paprecedentë jo vetëm për demokracitë e reja në Europën Lindore dhe Qëndror, por edhe për vende me regjime despotike siç është rasti i Venezuelës.

Nuk ka një mendje racionale, qoftë shqiptare apo ndërkombëtare, për të legjitimuar djegien e mandateve si instrument politikë, për të arritur një qëllim të caktuar, qoftë rrëzimin e një qeverie, ndërrimin e një kryeministri, apo provokimin e zgjedhjeve të parakohshme. Aq më tepër kur ky kuvend u konstitua me zgjedhje që u organizuan me një qeveri të përbashkët, ku institiucionet kyçe u drejtuan nga opozita në atë kohë, ku ky Kuvend u pranua pas zgjedhjeve të 2017 edhe nga opozita, teksa bëri betimin këtu dhe një pjesë të punës për një vit e gjysmë. Është po ky Kuvend dhe këto zgjedhje që kanë marrë certifikatën e OSBE/ODIHR dhe ne të gjithë e kemi pranuar që OSBE/ODIHR është autoriteti i padiskutueshëm përsa u përket standardeve zgjedhore.

Megjithatë nuk mund të mohojmë faktin që boja, uji, vezët, vaji, mielli në Parlament kanë dalë në rrugë. Dhe sot në rrugë janë zëvendësuar qoftë nga kapsolli, nga përplasja e muskujve, gabimisht do të thoja tek përplasja me policinë dhe tek institucionet e shtetit shqiptar.

Duke dalë nga Parlamenti, unë jam i bindur se opozita ka dëshmuar një lloj frike dhe kapitullimi, por kjo nuk mund të na bëjë ne të jemi arrogantë. Kjo nuk mund të na bëjë ne të shpenzojmë orë të tëra duke u marrë me protestat e opozitës. Ne nuk mund të biem në kurthin e profecisë vetëpërmbushëse. Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, ne jemi socialistë, demokratë, progresistë. Ne duam të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, më të mirë, për fëmijët tanë, por edhe për fëmijët e opozitës që nuk janë në sallë.

Kjo është arsyeja pse e mbështes propozimin e Damian Gjiknurit për t’i ofruar një hapësirë më të madhe gjithë aktorëve politikë. Sepse unë nuk e konceptojë demokracinë si procedurë të thjeshtë. demokracia procedurë është zëvendësimi i formal i listës së PD dhe LSI, por demokracia është dhe thelb. Dhe fakti që ne krijojmë mundësinë për një marrëveshje të ardhshme për Kodin Zgjedhor, për rregullat e lojës, qoftë me opozitën parlamentare, por mbi të gjitha me opozitën politike besoj se është shprehja më e lartë e ndërgjegjësimit që ka PS, socialistët dhe progresistët shqiptarë, për fatet e demokracisë dhe fatet e Shqipërisë…

Këtu ka burra dhe gra që kanë hyrë në këtë sallë që në vitin 1991. Ka burra dhe gra që kanë kontribuar për këtë vend. E dinë të gjithë mirë, se ishin socialistë që dolën me devizën: “të sakrifikojmë sa më shumë në mënyrë që të ndërtojmë një shtet solid”. Ishin socialistët dhe progresistët e këtij vendi, që ndërtuan një sistem të ri nga hiri i 1997-ës. Nuk ka javë më të rëndësishme sesa kjo që po mbyllim, për të shprehur respektin tonë ndaj gjithë atyre që kanë shërbyer në këtë vend, me të mirat dhe të këqijat e tyre, sepse kjo javë përkon me 10-vjetorin e Shqipërisë në NATO. Nuk fillon 10-vjetori i Shqipërisë në NATO me gjeneratën time politike. Nuk fillon as 70-vjetori i NATO-s, e cila në thelb është një organizatë politike e më pas ushtarake, me ne këtu. Por fillon me të gjithë ata që vuajtën burgjeve të komunizmit dhe e kërkonin Shqipërinë si gjithë Europa.

Fillon me studentët e Dhjetorit që kur u ngritën nuk e imagjinonin dot që kur e kërkonin Shqipërinë si gjithë Europa edhe pas 30 vjetësh Shqipëria përflitet do t’i hapim apo s’do t’i hapim negociatat. Kjo është java kur ne duhet të kujtojmë 10-vjetorin e kontratës më angazhuese që Shqipëria ka me Bashkimin Europian, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe duhet të shohim nga fëqinjët tanë dhe të kuptojmë se përse 10 vjet pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje ne nuk kemi hedhur hapin vendimtar përpara. Përse 13 nga firmosja e kësaj marrëveshje në 2006, ndërkohë që në marrëveshje shkruhet shumë qartë se brenda 10 viteve do të përgatitet vendi për tu anëtarësuar në BE, ne jemi këtu ku jemi. Kur flasim për mbyllje të tranzicionit ne do ta mbyllim tranzicionin vetëm kur të përkojë me reformat të cilat e afrojnë vendin me Bashkimin Europian.

Sot është dita për të shprehur mirënjohjen ndaj shërbimit të jashtëm shqiptar, ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, ndaj forcave të armatosura të këtij vendi. Janë dy institucione të krijuara më 4 dhjetor të 1912. Janë ndër të paktat pasuri që nuk i shkatërroi dot asnjë lloj regjimi. Janë pasuri që nuk mund të vihen në pikëpyetje. Nuk jam mbrojtës i statuskuosë. Nuk jam as partizan i nostalgjisë së dikurshme, por aty ka burra dhe gra të cilët kanë punuar me përkushtim për Shqipërinë anëtarë të NATO. Aty ka burra dhe gra që kanë shërbyer në misione ku kanë venë jetën e tyre në rrezik, për Shqipërinë anëtarë te NATO, për t’i rritur reputacionin ndërkombëtarë këtij vendi edhe në kushtet kur ne klasa politike kemi bërë baltën mullar në këtë vend. Prandaj është dita që ne të vlerësojmë mundin e heronjve të heshtur, e njerëzve të zakonshëm që e kanë bërë Shqipërinë më krenare seç mund ta këtë bërë klasa politike. Ne jemi sot për sot në udhëkryq të madh.

Lexova “Financial Times”, një prej gazetave më prestigjioze në botë. E dini me çfarë hapej në faqen e parë? Me foton selfie të kryeministrit të Maqedonisë me kryeministrin grek, për arritjen e madhe historike, pas tre dekadash. Dhe unë sot pyes, si ka mundësi Z. Ruçi, si kryetar i Kuvendit si politikan me eksperiencë, si ka mundësi Z. Ulqini, si ka mundësi Z. Majko e deri te kolegia që foli për herë të parë në këtë Parlament; përse kur grekët dhe maqedonasit e gjekan gjuhën për të parë përpara, ne nuk paskemi mundësi për të gjejmë gjuhën me njeri-tjetrin? A jemi të gjithë shqiptarë? A jemi pjesë e një kombi? Përse e kemi kaq të vështirë të turpërojmë veten tonë lart e poshtë? Përse nuk e gjejmë dot ne gjuhën për të parë përpara? Çfarë do t’i themi ne sot një 30-vjeçari?

Shikoni një fakt të rëndësishëm. Njerëzit që luftuan në Luftën e Dytë Botërore po mbesin gjithnjë e më pak, për shkak të arsyeve biologjike. Njerëzit që kontribuuan në komunizëm për atë që quhej pasuria kolektive, ose sot janë të dëshpëruar apo e kanë lënë këtë vend, për shkak se pasuria u grumbullua në një rreth vicioz nga një grusht njerëzish, por 30-vjeçarët që kanë lidhur në ’89 apo ’90, që nuk e dinë se çfarë ishte komunizmi, si do t’ua shpjegojmë këtë prapambetje, në raport me fqinjët jo në raport me vendet e BE? Do të vazhdojmë t’u themi se ishte faji i komunizmit apo ishte faji i Enverit? 30-vjet është më shumë se nga shpallja e Pavarësisë në 1912 dhe fillimi i Luftës së Parë Botërore, apo pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. 30 vjet janë më shumë se periudha mes dy luftërave botërore. 30 vjet nuk e justifikojnë dot votën dhe besimin që na kanë dhënë qytetarët. Prandaj është momenti i fundit që ne të shohim nga e ardhmja dhe të mos bëhemi nostaligjikë të së shkuarës.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej