Kujtojmë periudhën e mësimit paralel, shtëpitë shkolla, shkollat si rezistencë dhe heronjtë e heroinat që ndezën shkëndija të dijes në kohëra të errëta.
CHWB – Cultural Heritage Without Borders në Kosovë, ka përgatitur një mini-dokumentar ku paraqitet ky sistem paralel i mësimit në një kohë kur Kosova ishte pjesë e një regjimi shtypës.
Shtëpitë shkolla ishin e vetmja formë për të përhapur gjuhën shqipe dhe edukatën tek qytetarët në Kosovë.
Nxënësit dhe studentët shqiptarë – 400,000 gjithsej – nuk shkuan në shkollë deri në janar 1992, shkruan Kallxo.com.
Semestri i parë u përdor për të negociuar hapësira mësimore brenda shkollave publike, si dhe për të gjetur shtëpi private që mund të strehonin nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët universitarë – shumica e të cilëve ishin dëbuar nga objektet shkollore. Mbi 100,000 nxënës e studentë u vendosën në mënyrë permanente në 3,200 shtëpi, bodrume dhe garazha private, që u shndërruan në shkolla të improvizuara.