Nga Artan Fuga
E mo gëzoju ! – më thotë egoja që drejton automjetin bashkë me mua – shiko si e ke rrugën, krejt të lirë. Mbrëmë e për natë që të kaloje segmentin e Hekurudhës, të duhesh të paktën 20 minuta!
E shoh egon me ironi. E pyes : Kur ha ushqim, e kalon drejt e në fund të barkut, apo ke dëshirë që ushqimin ta rrotullosh pak nëpër gojë, ta kalosh pastaj në fyt, të ndjesh se të shkon dalëngadalë duke zbërthyer aroma e shijet gjithandej trupit?
Unë nuk dilja për të bërë gara, por për ta shijuar rrugën!
Mbrëmë në darkë rruga dytësore e plazhit, ajo e pista dhe shkatarraqja, anash hoteleve dhe restoranteve të mëdhenj dhe të zhurmshëm ngjante si dhomë e errët e një aparati fotografik pa film. Ca hije të rralla endeshin me fener dore nëpër trotuaret e ngrëna si byrek gostivari kafshuar nga ndonjë tirons i uritur.
Këmbë njeriu. Ka filluar dimri. Dimri i madh që me gusht këtu. Ikja e kosovarëve sjell dimrin në plazh. Se mos vetëm në plazh. Hotelet ngjanë si shkëmbe kavaje të shpërndarë nëpër breg të detit. Errësirë. Janë boshatisur krejt!
Restorantet dhe kafenetë janë mbyllur. Tavolinat me këmbëpërpjetë. Tani miq ikni flini dhjetë muaj dhe shpresoni, lutuni në xhami a në kishë që ata të duan të vijnë përsëri vitin tjetër se përndryshe do të vdisni për bukë.
Uroni që në Prizren të mos vijë deti dhe natyra të mos krijojë brigje me rërë atje. Kërkoj një supë peshku sa për darkë. Duket se është e djeshmja. E pyes kamarjerin: Sikur pak klientë keni sot? Ashtu, thotë ai, por dje ishim plot.
Gënjen si dreqi. Mirë bën. Klientin gjithmonë duhet ta gënjesh. Sidomos shqiptarin e Shqipërisë. I ka qef rrenat. U beson.
Mbrëmë, që ishte nata e fundit, unë erdha përsëri këtu. Këmbë njeriu. Ca çifte të lodhura dhe ndonjë pepino nga jugu i Italisë që më shumë bën zhurmë me të vetët sesa porosit. Hani mish derri tani, kënaquni! Kosovarët na lanë shëndenë për këtë vit!
Supa ishte e pardjeshme. Rrushi te pika e shitjes te Iliria ishte i fishkur dje për herë të parë. Te berberi nuk kishte radhë. Më rruaj dhe më qeth mirë e mirë! – i thashë berberit që për herë të parë më mori lekët se dikur më thoshte me dashamirësi dhe më bënte me turp: Profe e ke të qethmen nga lokali!
Akullorja e Gostivarit zhdukur nga vitrinat frigoriferike. Kush ha akullore në dimër!!!
“E mbaj nga mesi i qershorit deri në dhjetëditshin e fundit të gushtit. Pastaj kush vjen këtu?”
E vërtetë, mbeten këtu njerëzit e mirë, të butë, të heshtur, të varfër që banojnë dimër e verë. Muajt e verës çfarë zanatesh nuk u lejon bashkia e Durrësit të bëjnë : Tundës celësash në rrugë për të joshur kosovarë që kërkojnë dhoma me qira. Roje parkingu për qerre kosovarësh. Kamarjerë. Qërues preshësh në kuzhinë. Shitësa rrobesh të vjetra. Dhe mirë bën që e liberalizon tregun e punës dhe nuk i bezdis njerëzit bashkia. Eshtë koha për të mbledhur si milingona ca pare në mënyrë që të mbajmë frymën me bukë gjatë dimrit.
Ne shqiptarët e arapajt, e golemasit, shkallnuriotët, hekurudhsit, uradalanasit, punojmë kontrapedal. Ne punojmë kur kosovarët pushojnë. Ata pushojnë kur ne punojmë. Ata bëjnë qef me punën tonë duke na paguar, ne jetojmë me paret e atyre dhe me punën tonë. Kur ata punojnë në vjeshtë, dimër, pranverë, ne flemë si ariu, ose presim vizita kryeministrash nga vendet që i ka lënë treni i integrimit europian.
Na ka lënë treni këtu në Durrës. Ku ka më tren që kalon këtu!
E lë Vespën mu mbi shinat e trenit, kur shkoj të ble shalqi atje ku më tutje ca egjiptianë të vegjël mbledhin kashtën si lëndë e parë për çadra dielli krejt absurde.
“Kujdes se pas pesë orësh kalon një tren këtej, dhe mundet që Vespa ta pengojë”, – më thotë shalqinasi. Dhe qesh bukur. Ja marr shalqiun pa provë se e di që nuk më rren. E provoj në shtëpi. Pasi e ha.
Ka ardh dimri. Këtu nuk ndrrohen stinët sipas rrutullimit të diellit, por sipas ikjes së kosovarëve nga plazhi. Ikin ata rriten me 50% papunësia në moshat e reja në trevën durrsake. Kështu thotë të paktën observatori i papunësisë urbane që është ngritur te Vila e Mbretit sipër Currilave.
Shtohen prirjet për të vjedhur. Rritet mërzia urbane. Konsumi i drogës zmadhohet midis autoktonëve.
Edhe deti ndjen dimrin. Një diell i lodhur ka nxjerrë kokën pas një vinçi të ngrirë prej kohësh në palëvizje andej nga porti. I kuq dielli, i kuq edhe deti.
Qen të vetmuar enden në breg. Janë edhe të uritur. Ne kemi lidhje me një qen rrugësh. Lidhje klandestine. Edhe për të mirën tonë e mbajmë dashurinë me të të fshehtë sepse njerëzit gati janë të thonë : Tan Fuga merret me qen rrugësh! Por, edhe për të mirën e qenit sepse xhelozët mund ta keqtrajtojnë vetëm sepse më shohin që i hedh ndonjë vezë fshehurazi te këmbët. Për pak e shqeu një qen i zi rival sepse nuk donte që ta trajtonim ndryshe nga ai mikeshën tonë qene.
Mendoj se çfarë do të bëj qenia pasi të iki edhe unë me kosovarët nga plazhi!
Qenit ia kam venë emrin “Roza”. Kot!
Ajo nuk përgjigjet fare kur e thërras fshehurazi me këtë emër. Cfarë do të bëjnë qentë e plazhit tani në dimër. Mbase emigrojnë në Tiranë, kushedi!
Kosovarët mblodhën plaçkat dhe ikën nga plazhi drejt viseve të tyre. Ata nuk mund ta dinë sesi është plazhi pa ta. Shkretëtirë. Ka bukurinë e vet, sigurisht, por i përgjumur. Vjetrohet mielli, nëpër rafte se askush nuk bën fli, vjetrohet sheqeri se nuk sherbetosen bakllava, vjetrohet qumështi se nuk ha kush akullore bre!
Shoh ballkone bosh apartamentesh me qira ! Atje ku gjatë verës kundroja tipologjinë e sjelljes të familjeve të qeta dhe të qendrueshme kosovare. Flasin pak me zë të lartë, e vërtetë. Gratë sidomos sepse burrat janë të heshtur dhe u ka peshë fjala.
Sa qef i kanë simitet e bardha në mëngjes. Kafen turke e duan gjithashtu ta pinë në ballkon.
E bën gruaja, edhe për vete edhe për burrin. Burri vetëm e pi duke tymos cigaren e vet dhe menduar. Ndofta e ka trashëgim arkaik këtë natyrën mendimtare të mëngjesit.
Ne burrat e Shqipnisë nuk mendojnë fare në mëngjes. Rruhemi dhe fishkëlllejmë. Kur ikin në plazh ballkoni rregullohet dhe mbi tavolinë qendron e vetmuar dhe e pastër vetëm tavlla e duhanit e burrit.
Çfarë mendon or bacë, ndërsa gruaja bën punët e shtëpisë? Ndihmoje i çikë, po aq sa dukesh që e do dhe e mban me kujdes! Çunat e urtë janë të butë dhe të bindur në shtëpi. Kurse gocat, shumë, sa shumë, në telefonat celularë. Familje të qeta. Pa sherre komshinjsh si te ne që punojmë në verë dhe flemë si ariu në dimër.
Axhenda të ndryshme. Ata punojnë kur ne qendrojmë duarlidhur, ne punojmë kur ata si gjithë bota pushon. Si nuk e bëmë njëherë hapin bashkë si ushtarët në rreshtore!
“Ne ju kemi çliruar juve, ne shqiptarët e Maqedonisë kemi luftuar për ju!” – më thotë pirësi i kafesë atë ditë përballë lokalit të striptizës “Shqiponjat”. E shoh me seriozitet dhe brenda shkrihem gazit. “Mos beso po deshe, por ministri i luftës i Ismailit ka pas qenë nga ne, solli edhe pare, për ju. Pa të nuk bëhej Shqipja.”
“Pije kafen or mik, pije. Mos u merr me budallalliqe. A i ke paguar taksat? ”
“Këtu ta kam, për ne duhet leje qendrimi, kurse vijnë tregtarë nga Evropi dhe rrinë sa të duan. Ne paguajmë dhe bakshishe për me punuar !”
“Mirë, pra, mirë, po kjo nuk lidhje me historinë kombëtare o burr,ka lidhje me korrupsionin sot, përse i bënë lëmsh në tru të gjitha.”
Më sheh me mosbesim. Pastaj më qit kafen dhe thotë se e kam nga ai.Tavolinat me këmbëpërpjetë, qentë e uritur kërkojnë të zotin në breg, dryna mbi duar restorantesh,
deti ka rrit dallgët dhe nxjerr më shumë leshterikë në breg, kosovarët na kanë lënë vetëm. Dimri ka ardhur!