Bilal Xhaferri, shkrimtari që sfidoi përndjekjen komuniste. Rrëfimi motrës Antika: Ishte 12 vjeç, ndërsa unë isha 4. Qaja shumë kur i thosha: Dua mamanë! E ai më përgjigjej: Mamanë tonë e ka marrë Zoti dhe nuk e ngjallim dot më. Dua babanë… Babain do ta ngjall … e unë prisja….
Biri jetim i Çamërisë, thirrej Bilal Xhaferri. Nëna e kishte lënë jetim në moshën 8 vjeç, bashkë me katër motrat e tij, më e vogla 4 vjeç. Pas dy vitesh, komunistët i pushkatuan edhe babain, Xhaferrin. Drama e pesë fëmijëve jetimë sa vinte e bëhej më e rëndë nën strehën e varfër të gjyshit të tyre të verbër. Ja si e dëshmon motra e Bilalit, Antika:
“Ne ishim pesë fëmijë. Nëna na vdiq shumë e re në vitin 1943, Bilalin e la 8 vjeç, pas dy vjetësh na pushkatuan babanë! Na mori gjyshi në shtëpinë e tij të na rriste. Unë isha më e vogla. Babai më la 4 vjeç. Gjyshi ishte plak, i sëmurë dhe i verbuar nga sytë. Jetonim në një varfëri të tmerrshme. Atëherë kishte filluar lufta e klasave, nga Partia Komuniste. Në fshat filluan të na përbuznin, qoftë edhe me sy, kur na hasnin rrugëve. Bilali, si vëllai më i madh, në moshën 10 vjeç na u bë nënë dhe babë. Të gjitha hallet e familjes ranë në kurmin e njomë të tij. Pasi mbaroi shkollën fillore 4-vjeçare, për dy vjet “gjezdiste” për të punuar, që të na ushqente. Rraskapitej fshatrave për një copë bukë, dhe një ditë mori rrugën për tek halla në Sarandë. Ishte 12 vjeç, filloi punë si shpërndarës letrash dhe gazetash në Postën e Sarandës. Ecte në këmbë nëpër moçalet e fshatrave të Vurgut të Sarandës, zbathur për 10 -11 orë në ditë. Në çdo dy javë dhe sidomos ditën e festave, vinte në Ninat për të na sjellë ndonjë lek dhe ushqime që i blinte me triskë në qytet, të na gëzonte neve dhe gjyshin. Për një natë që rrinte me ne, bënte shumë orë udhëtimi në këmbë.
Mbaj mend që kur isha e vogël qaja shumë, qaja e qaja. Kujtoja se të vdekurit ngjalleshin dhe vinin përsëri në shtëpi dhe kur shihja që të gjithë fëmijët e tjerë jetonin të qeshur e të lumtur me prindërit e tyre, mërzitesha që mamaja dhe babai ynë nuk po vinin përsëri. Dhe qaja e qaja. Për këtë arsye Bilali më këshillonte e kritikonte herë-herë.
– Ke vëllain këtu, – më thoshte.
– Dua mamanë! – ia ktheja e ligështuar.
– Mamanë tonë e ka marrë Zoti dhe nuk e ngjallim dot më.
– Po ku është Zoti? – e pyesja unë.
– Ai është në qiell dhe është aq i madh sa sundon mbi gjithçka.
– Po babain? – pyesja unë sërish.
– Babain do ta ngjall unë, – më përgjigjej. – Unë mbaja shpresë se vërtet ai do ta ngjallte babain, ashtu siç më premtonte. Mirëpo një ditë ai u largua nga fshati ynë dhe ne motrat mbetëm vetëm. Na e largoi jeta e vështirë vëllanë. E çoi larg në Veri. Kaluam disa vite pa u parë dhe një ditë nga ditët më ra në dorë libri i tij i parë “Njerëz të rinj, tokë e lashtë“. Se kush ma solli e ma tregoi… Më ngjan, një nga shoqet e mia që ia kishte marrë mësuesit të letërsisë… Pashë atë libër dhe kur lexova emrin “Bilal Xhaferri” në kapakun e tij atëherë kuptova se im vëlla e kishte mbajtur fjalën, e ngjalli vërtet emrin e babait tonë. Se babai ynë quhej Xhaferr dhe megjithëse ishte i pushkatuar si armik i shtetit komunist, Bilali pati kurajën ta nxirrte atë emër në një libër. Ky ishte një veprim shumë i guximshëm, pasi askush nuk guxonte t’i përmendte njerëzit e pushkatuar në atë periudhë.
Dashuria e ndaluar e Bilal Xhaferrit
Kadife quhej vajza nga fshati Kullë që dashuroi shkrimtarin e internuar dhe bashkë me të humbi gjithë rininë e saj. Ishte koha, kur Bilal Xhaferri ishte i internuar në Kullë. Askush nuk e përfillte. Ishte armiku i popullit. Por, mësuesja e fshatit e ndiqte këmba-këmbës atë dhe jo për ta përndjekur, porse ishte dashuruar me të. Ishte vajza e kryetarit të Këshillit dhe në atë pozitë, lidhja me Bilalin ishte e pamundur. Megjithatë, ajo guxoi e iu afrua deri natën fatale, kur dhe do të merrte tatëpjetën jeta e saj dhe e familjes së saj.
“Kur mora vesh se në fshatin tonë, ka ardhur i internuar një shkrimtar, kurioziteti nuk më la të qetë, pasi letërsia më ka pëlqyer shumë. Pyeta Janin, operativin e zonës, që shfaqte ndjenja simpatie për mua. Operativi më tregoi se shkrimtari quhej Bilal Xhaferri dhe ishte njeri i rrezikshëm. Ai guxoi të kundërshtonte romanin e Kadaresë që është idhulli i jonë, por më keq, se është djali i armikut të popullit. Kur mësova që ai kishte guxuar të përballej me Kadarenë, kërshëria dhe dëshira grindeshin brenda meje, për të njohur nga afër shkrimtarin, që paraqiste shumë “rrezikshmëri”. E ruajta në mbrëmje, qe ta shihja, kur merrte bukën tek furra e fshatit dhe si hije i shkova nga pas, që të mësoja ku jetonte dhe me kë, pasi zona ku ishin të internuarit ishte e veçuar nga banorët e fshatit. E shihja, kur ecte vetëm, i heshtur, me gjysmë buke nën sqetull. Nga paraqitja e jashtme s’ta mbushte syrin, megjithëse u gëzova që shkrimtari sfidoi kureshtjen time. Por reflekset e gëzimit, rrezikonin që ta njihja nga afër. Më kujtohet, kur u fsheha pas një kaçubeje në rrugë, kur ai zbriste nga furra e bukës dhe po e prisja që të kthehej si gjithmonë me bukën nën sqetull. Ishte shumë ftohtë dhe sekondat bëheshin orë. Ai po afrohej, por s’ishte vetëm. Po ecte me mullixhiun, u nda nga ai dhe hyri brenda në banesën e tij. Kontrollova me sy rreth e qark, mos më shihte njeri, dhe i rashë derës me gjithë forcën e padurimit.
– Kush është? – U dëgjua zëri i tij.
– Jam unë mësuesja e fshatit, – i thashë.
Ai e hapi derën i habitur dhe tha:
– Mos keni ardhur gabim, unë s’kam fëmijë në shkollë, më tutje është një familje që i ka fëmijët në shkollë.
– S’kam ardhur për fëmijët e shkolles, kam ardhur për ty!…
Ai shtangu në këmbë i frikësuar, kurse mua m’u duk se të gjithë botën e kisha ulur në gjunjë para meje. E ndjeva se ftohtësia e frikës së tij dhe rreziku im, ishin ngërthyer në forcën e magjisë së dashurisë, që në takimin e parë. Takimet pasuan njëri pas tjetrit! Miqësia e jonë ndërtoi mure ëndërrash. Shpesh herë më thoshte:
– Të lutem, mos m’i shto andrallat. E lëmë me kaq lidhjen tonë. Ishte dhuratë e Zotit! Ai, na dhuroi çaste të bukura dhe ai na i mori! Unë s’jam njeriu i duhur për ty. Kuptoje, Kadife, ne jemi dy kulme të ndryshme. Është shumë e rrezikshme ardhja e jote tek unë…
Por unë e dija rrezikun që më kanosej, megjithatë Bilalin e doja, se ishte njeri i zgjuar, me një shpirt të madh. Në pak kohë fillova të bija në sy me lëvizjet e mia. Një natë i gënjeva në shtëpi, se do të flija tek Lumja (kolegia ime që kishte ditëlindjen). Edhe Lumja thuri të njëjtën gënjeshtër tek babai im, i cili na besoi. Banesa ku jetonte Bilali, ishte një barakë e improvizuar, ngrehinë vetëm prej dheu, ku as për bagëtitë nuk ishte e përshtashme, megjithatë unë ndihesha mirë në prani të tij. Atë natë ndodhi historia e tmerrshme e jetës time. Kishte kaluar ora 12 e natës! Isha strukur brenda tij, dhe gjumi s’po më zinte, ca nga të ftohtit, ca nga frika. Kur befas ra dera, nga forca e shkallmimit me shkelma. Nuk shihja asgjë nga errësira se kandili kishte filluar të shuhej. Dëgjova fyerje nga më banalet e më çnjerëzoret. Ishte operativi i policisë, sekretari i partisë dhe babai, që bërtisnin:
– Hë, more këlysh bushtre, kë kurvë ke futur sonte në shtrat? Ke filluar të na e degjenerosh rininë e fshatit me shkrimet e tua.
S’durova dot dhe i përgjigjem me të njëjtin ton:
– Mjaft baba! Ky s’ka faj, unë kam ardhur këtu vetë, me dëshirën time. Ja ku më ke, më vrit po deshe!…
– Jo – tha operativi (punëtori i Sigurimit) – ky të ka mashtruar, dhe e tërhoqi zvarrë për ta nxjerrë përjashta.
– Ky maskara do të përfitojë nga ti, të nxjerrë sekretet e partisë. Ky është bir armiku dhe si i tillë do të shkojë atje ku e ka vendin.
Bilalin atë natë e mbajtën të lidhur me pranga në zyrën e operativit, në qendër të fshatit, kurse mua, në zyrën e sekretarit të partisë. Nuk i harroj kurrë presionet që ushtronin për të më mbushur mendjen të firmosja deklaratën e hartuar prej tyre, me anë të së cilës, mund t’i kishin duart të lira për të dënuar Bilalin. Por, unë nuk pranova kurrë të fundosja me të padrejtë njeriun që desha me gjithë shpirt. Edhe pasojat për mua dhe familjen time ishin të rënda: babanë e përjashtuan nga partia, e hoqën nga kryetar i këshillit, dhe si ndëshkim, e dërguan të punonte në një brigadë me Bilalin. Mua më hoqën nga arsimi dhe me çuan punëtore në fermë. S’e duroja dot baltën që më hidhnin syve injorantët e fshatit dhe mbylla sytë, u martova me një burrë të ve në Rumanat, i cili ishte babai i tre fëmijëve. Pas një muaji, kur u ktheva në derën e babës (si e do zakoni), nëna më tha fshehurazi në vesh:
– Kadife, shkrimtari yt është arratisur nga Shqipëria, kështu thonë të gjithë në fshat.
Bilal Xhaferri ishte një ndër shkrimtarët më të talentuar gjatë komunizmit. Ai u arratis nga Shqipëria pasi u persekutua nga regjimi komunist. Ndërroi jetë në spital, në Çikago në rrethana të panjohura.
Në maj të vitit 1995, Presidenti i Republikës e dekoroi me medaljen “Martir i demokracisë” me motivacionin “Për përkushtim si publicist e politikan disident në luftën kundër komunizmit e diktaturës, për aspiratat e tij thellësisht kombëtare e demokratike“.
Dy fjalë nga Sabri Hamiti për poetin e nemun:
Bilal Xhaferri ishte një shkrimtar i rrënjëve të etnisë në vitet gjashtëdhjetë, kur letërsia shqipe ose lavdëronte idetë e socializmit, ose fitoren në Luftën e Dytë, duke e thjeshtësuar këtë në absolutin ideologjik të përparimit. Në këtë aspekt, Xhaferri duket i vetmuar për kohën, duket i lidhur me letërsinë e paraluftës; po ky tashti të kaluarën nuk e shikon në stilin e himnizimit e të lavdit, si mbështetje për problemet aktuale, po pikërisht duke marrë një qëndrim kërkues e kritik për të kapur esencat krahas situatës kalimtare. Në këtë vështrim, kërkimi letrar i Bilal Xhaferrit në të shkuarën, në rrënjët etnike, nuk bëhet si shpalim dhe fascinim me të kaluarën, po pikërisht si kërkim për të bërë ndërkomunikime të kohëve. (Sabri Hamiti) në “Poeti i nemun: Bilal Xhaferri“