Ish-kryeministri Sali Berisha në faqen e tij në facebook ka publikuar foton e një avioni mbi pistën e aeroportit ushtarak të Gjadrit.
Këtë foto deputeti demokrat e shoqëron me shënimin: “Në Gjadër, mushkonja e hashashit po kërkon pistën!”
Pas fotos së publikuar prej tij ka reaguar menjëherë Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, i cili bën me dije se bëhet fjalë për avionin e një shteti aleat të NATO-s dhe jo avion droge.
Më poshtë reagimi i Shtabit të Përgjithshëm të FA:
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dëshiron të informojë opinionin publik për një avion që është parë të fluturojë mbi Bazën Ajrore të Gjadrit.
Avioni ushtarak tip c-130J, pjesë e një stërvitjeje të një vendi aleat, ka hyrë në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë në Gjirokastër në orën 13:15, ka fluturuar deri në Shkodër, dhe më pas është kthyer për të dalë nga hapësira jonë ajrore në Korçë, në orën 14:54.
Kjo stërvitje e aleatëve do të vijojë deri në mesin e muajit nëntor.
Shtabi i Përgjithshëm i siguron qytetarët mbi ligjshmërinë e këtyre lëvizjeve dhe kërkon mirëkuptimin e tyre pasi vendi ynë tashmë është një rajon gjithnjë e më i preferuar për stërvitje nga aleatët.