Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Atdheu në rrezik!

Nga 27.al 0

Megjithëse jemi në kohën, kur vdekja troket në derë, politikanët shqiptarë e gjetën kohën ta rrëzojnë qeverinë e Albin Kurtit, duke e futur Kosovën në një krizë absurde, duke mos pyetur në radhë të parë për jetët e të rrezikuarëve nga pandemia.

Ambasadori Grenell, Ambasadori Kosnet, Ambasadorja Kim tani do të kenë pse të rrahin gjoksin në Uashington. Lobi serbo-amerikan ia ka dalë; ujkun e ktheu në dele. Donald Trump Jr., pika kyçe e këtyre zhvillimeve e bindi të atin se një marrëveshje prosllave është rruga e duhur.

Elementë të llojit Thaçi, Rama apo deri tek kanakari i tyre Baton janë kukulla në një teatër marionetash, ku lëvizjet dhe zërin ua bën tjetër kush.

Tashmë i hapet rruga një marrëveshje që zhbën gjithë atë që ndërtoi administrata e Klintonit dhe Bushit të Ri në ato vjet, ku për herë të parë shqiptaria fitoi një rëndësi të dorës së parë në Ballkan. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, NATO në at’botë ia dolën ta shtynin kufirin me Rusinë. Për fat të keq, e gjitha kjo kthehet në pikën fillestare, tani që për realizimin e marrëveshjes nuk ka më pengesa. Presidenti Trump veproi sërish si sipërmarrës në politikën e tij të jashtme, ku si përherë flet për para, miliarda, investime, por kurrë për gjeostrategji.

Zonja Merkel, e cila i bëri bllokadë idesë marroke të shkëmbimeve territoriale e mori personalisht në telefon Albin Kurtin për t’u treguar kandrave të Prishtinës se nga qëndron interesi i vendit të saj. Gjermania ka shumë ushtarë të vdekur, shumë mund të hedhur, shumë interesa në Kosovë. Kur themi Gjermania, themi shteti më i fuqishëm i Europës.

Xhaketat e vjetra, me Isa Mustafën në krye ju skërmitën asaj dhe gjetën zgjidhjen e shkurtër. Ja dolën të luajnë sërish rolin e buratinit, në mënyrë që mos të cënojnë grimën e pushtetit që ushtrojnë në katund.

Albin Kurti i ndihmoi në këtë rrugë, sepse tregoi që është amator. Sot, mund të bëjë viktimën, Skënderbeun, Isën tjetër, Boletinin, por mund ta kishte kursyer provokimin e krizës, mund ta kishte përmbajtur epshin e ushtrimit të forcës së kryepushtetarit, kryeneçësinë e thëllënzës. Mund ta linte Veliun, të numëronte deri në 100, mund të mos e shkarkonte, ta shtynte sherrin pas koronavirusit, të fitonte kohë, se koha është ilaç në politikë. Nuk sillet kryeministri sikur me qenë në opozitë. Ka të drejtë Fatmir Limaj, kur i tha se kjo është vetëvrasje. Çfarë fitoi Albin Kurtin? Mori të njëjtën medalje që ka marrë gjithë jetën; atë të heroit. Po ne, shqiptarët çfarë fituam? Fituam humbjen me një marrëveshje, e cila me gjasë do i nxjerrë serbët nga vrasës në viktima të UÇK-së, ku copa tokash do hidhen si topa hallve që ia ngasin diabetin Isës, atij të LDK-së.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej