Kryebashkiaku Veliaj: Paketa përbën sens për qytetin
Një rizonim i ri i Tiranës dhe zerim i taksës së tavolinës. Ky është produkti i dalë nga raundi i tretë i bisedimeve mes Bashkisë së Tiranës dhe katër përfaqësuesve të biznesit të vogël lidhur me 7 kërkesat e këtyre të fundit për rishikimin e taksave.
Në mbyllje të takimit, avokati përfaqësues i biznesit që ka ndjekur dhe negociatat sqaroi se ku konsiston marrëveshja me Bashkinë e Tiranës.
Avokati: Bëhej fjalë për një negociatë të vështirë me tre raunde që kërkonte të largonte falimetin nga dyert e biznesit të vogël dhe të mesëm, por negociata që u zhvillua sot prek dhe biznesin e madh. Nga oferta që erdhi përfitojnë të gjithë. Bëhet fjalë për një marrëveshje që zeron taksën e tavolinës që ishte 25 mijë lekë për tavolinë, tarifa e hapësirës publike për të ruajtur parimin që rrugët kryesore duhet të lirohen dhe duhet të ngushtohen në sipërfaqe ata që abuzojnë me sipërfaqen u dha një propozim i cili e hartëzon Tiranën. E ristrukturon, të gjithë ata që kanë qenë zona B kalojnë zonë C me 400 lekë metri katrorë, ndërsa të gjithë ata që kanë qenë zonë A kalojnë zonë B me 7500 lekë metri katrorë.
Zonë A mbetet vetëm pjesa e Bllokut, bulevardi i Tiranës dhe kompleksi qeveritar në qendër. Kjo ndarje e re e ristrukturon në një mënyrë të tillë taksën e hapësirës që është e rëndë por nuk është falimetuese. U takon tregtarëve ta vendosin nëse do ta pranojnë këtë propozim.Beteja vazhdon në Këshillin Bashkiak sepse po përgatiten aktet për tu dorëzuar. U bëjmë thirrje këshilltarëve që kjo të përmirësohet si propozim fillestar, të bëhet një propozim edhe më i mirë se kaq. Dy muajt që u kanë ardhur janar-shkurt nuk paguhen më, paguhen me tarifat e vjetra. Nga marsi është bërë rizonimi.
“Me këtë propozim biznesi i mesëm dhe i vogël besoj se nuk falimenton. Do i diskutojmë të gjithë bashkë se kemi dhe një hartë këtu” tha një tregtar, i cili nuk mohoi pakënaqësinë se edhe ky propozim i ri është i papërballueshëm për ta.
Njëzëri dakort me të ishin dhe pjesa tjetër e tregtarëve që u njohën me vendimin, duke paralajmëruar se do të vazhdojnë rezistencën.
Kryebashkiaku Erion Veliaj është i bindur se propozimi i bërë prej tij në raundin e fundit me biznesit për taksat është oferta më e ndershme.
Veliaj: Ky ridizejnim u pranua si ofertë e ndershme dhe e sinqertë e një bashkie që ka për qëllim lirimin e hapësirave poblike për qytetarët. Shtrënguam duart në fund, ishte kjo mënyra korrekte për të bërë një negociatë, jo me dhunë duke ndotur bashkinë. Ata që përfaqsësojnë interesin real të tregtarëve sot dolën të kënaqur me një paketë e cila bën sens për ta dhe qytetin.