Nga Enkel Demi
Nëse opozita ka një çështje të drejtë në dorë që do ta shpalosë nga e enjtja e tutje është dekriminalizimi. Deputetët e PD-së do të kushtëzojnë praninë e tyre në Kuvend me atë të deputetit socialist, Armando Prenga dhe jo vetëm, pasi lista e ankesës opozitare ka dhe tre emra të tjerë si Valentina Leskaj, Koço Kokëdhima e Rakip Suli. Kuptohet asnjë nga rastet nuk është i ngjashëm, por me gjasë pakica po përdor një nga instrumentet më të njohur në politikë, sipas të cilit në një negociatë të mundshme shkohet me kërkesa maksimale, në mënyrë që të marrësh maksimumin e asaj që ke gatuar në fillesë.
Kryetari i shumicës, Edi Rama është ai që duhet të zgjedhë. Vendimi i Gjykatës së Lartë më së shumti e ka vënë atë në hall. Shfaqja e Prengës në Komisionin e Sigurisë ka rrëzuar kalanë e rërës që me aq zell u ndërtua për çështjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Deputeti kurbinas thjesht tregoi ditës për diell që ambjenti ku po zhvillohet eksperimenti i reformës në drejtësi është i molepsur dhe pushtetin e kanë në dorë forca të tjera që lënë pa gjumë ambasadorin Don Lu.
Edi Rama tash duhet të zgjedhë, ose do të lidhet sërish pas propagandës e fjalosjes metaforike të ditës së enjte në Kuvend, ose të gjejë mënyrën e largimit të Armando Prengës nga Parlamenti, tëpkë si veproi me Arben Ndokën. Këtu nis çështja dhe paqetësia e tij. Nëse edhe Armando Prenga dorëzon mandatin deputeti i rradhës nuk është një socialist, qoftë ky edhe zoti kaubojs. Në fakt, rradha i bie Kastriot Pirolit, cili ka qenë drejtor i Hipotekës në Kurbin. Ai u arrestua më 11 marsin e shkuar me akuzën fallsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre. Është liruar pak kohë më parë nga Gjykata e Kurbinit, pasi për dënimin ka mjaftuar periudha e paraburgimit, por çështja e tij ndodhet në Gjykatën e Apelit. Prokuroria ka kërkuar tri vjet burg për të, ndaj ka apeluar vendimin e Gjykatës së shkallës së parë.
Me këtë histori të hapur zëvendësuesi i mundshëm i Prengës duhet të jetë një emër nga lista e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Kjo do të thotë që brenda koalicionit të majtë, PS dobësohet akoma më shumë, kurse Ilir Meta forcon grupin parlamentar dhe pozitat e tij. Duke njohur raportet tejet të brishta mes PS-së dhe LSI-së, ky lajm idhnon shumë Edi Ramën. Ndaj, kur e ka parë Prengën në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, Rama duhet të ketë qenë njeriu më i dëshpëruar. Preferonte një mandat mangët socialist në Kuvend, sesa një mandat më shumë të Metës që edhe me kaq sa ka nuk i përmban dot impulset.
Kështu që të enjten për herë të parë pasi doli në opozitë, PD është në vendin dhe kohën e duhur për të ushtruar trysni mbi kundërshtarin. Për herë të parë nuk ka nevojë për retorikë, sepse ka të drejtën me vete, aq më tepër që Edi Rama do të jetë fillikat pa ndihmën e kurkujt, as të aleatëve që shumë nuk i deshi.