Nga Alma Nikolli
Shqipëria po luante një nga ndeshjet jo më të bukura të saj, ama e shikoja me vetëdijen se do renditeshim pas Spanjës e Italisë. Barcelonë e Romë afër Tiranës, ëndërr prej inferiorësh, e superiorësh ndoshta.
Më pas në një bisedë pas ndeshjes, larg lojës e pranë ushqimit, fjala ra te punëtori. Për shembull një punëtor në Itali mundet të shijojë një vakt në lokalet bregdetare, mes turistësh, me një çmim modest.
Kapitalizmi i egër ia jep të drejtën një njeriu që djersit gjithë ditën dhe dreka apo darka e zënë në mesin e të parfumosurve, të ushqehet me shumëfish euro më pak se dikush i kollarisur që thith po të njëjtat rreze, e ju ikën në breg po të njëjtave dallgë.
Një makaronë e njëjtë në shije dhe një kamarier me buzëqeshje të pandryshuar që nuk diferencon klientin pareli me atë të veshur me rroba pune. Edhe kur këpucët e rënda shenjojnë baltë a beton në dysheme, heshturazi “zhduket” pisllëku i një pune të pastër.
“Udhëtoja në metro që të shkoja në punë. Më vinte zor që me uniformën time të “njollosur” të qëndroja mes njerëzish. Rropatesha të vishesha “bukur” mbi pluhurin e depërtuar nën rroba. Vazhdova me javë të tëra të ndërrohesha vetëm sa për hir të rrugës, kundër prakticitetit, prej sedrës a merakut se çfarë do thonë. Një ditë udhëtova me rroba pune. Një e moshuar ngrihet, më thërret e më thotë: “Ulu, se ti je lodhur. Ke punuar gjithë ditën“, ishte kjo një nga historitë e treguara në një natë si kjo që ma treguan edhe mua.
Sa larg njeriut në Romë a Barcelonë u ndjeva. Larg në klasifikim, shqiptarët e mi jashtë fushe. Imagjinoni një murator që futet për të ngrënë në një restorant në Bllok. Mirë xhepi që nuk ia përballon, por dyshoj që mikëpritësit buzëqeshur ta drejtojnë për ndokund.
Do thoni ju: “Po pse të hajë në Bllok ai, pak menca ka?”
Imagjinoni thashë unë.