Kjo është një foto që bëhet popullore zakonisht javën e parë të marsit, kur është përvjetori i martirizimit të Jasharëve, ose në janar, kur është përvjetori i Rugovës. Ka një dëshirë të çuditshme sidomos nga fansat e Rugovës, që kërkojnë të bëjnë bashkë Adem Jasharin me Ibrahim Rugovën si “bashkëluftëtarë”. Nuk kam dashur të shkruaj më parë, por kur shikoj se fotoja mitizohet si një “fakt” domethenës, duhet të bëj disa shpjegime.
Fotoja është bërë diku në prill të vitit 1993, në një konferencë për shtyp që Ibrahim Rugova dha në aeroportin e Rinasit pas kthimit nga Europa. Arsyeja pse e kam kaq shumë të fiksuar, është se në atë kohë sapo kisha ndërmjetësuar ardhjen e gazetës Rilindja nga Zvicra në Tiranë dhe ishim rregulluar me zyra në ATSH, kur na njoftuan se duhet të dalim në Rinas se do vijë Rugova dhe do japë konferencë për shtyp.
Personeli që e shoqëronte ishin kryesisht dy zyrtarë të zyrës së Kosovës në Tiranë, shkrimtari Mehmet Kraja dhe Skënder Zogaj, shoqëruesi i tij Adnan Mervoci dhe personi me këmishë, në mes, Adem Jashari. Personi me mjekër në krah të Skënder Zogaj, është Sabaudin Krasniqi, dizajner i gazetës Rilindja.
Tek grumbulli i gazetarëve përballë, nga e majta në të djathtë janë Arben Popoçi i ulur, për shkak se filmonte kamera e TVSH. Krah tij është dhe Binak Kelmendi, që i duket vetëm pak koka, në atë kohë redaktor i Rilindjes së Zvicrës, e cila sapo ishte transferuar në Tiranë, pastaj jam unë, që më duket “koka me cepa” dhe pak flokë (kisha pak flokë atëhere), gazetari i TVSH, Bujar Muharremi, që nuk jeton më, dhe dikush i ulur para që nuk e mbaj mend kush ka qenë.
E vërteta është se në atë kohë Adem Jashari vinte në Tiranë dhe kishte lidhje me zyrën e Kosovës për shkak të financimit që ajo bënte për trupat që stërviteshin nën mbikqyrjen e shtetit shqiptar në një kazermë në Labinot dhe në “Shkollën e Bashkuar”. Atëhere ai nuk ishte njeriu i famshëm që është sot, dhe nuk ka dalë aty se kishte lidhje të ngushta me Rugovën, por ka dalë se e respektonte Rugovën si President të Kosovës dhe donte ta priste si gjithë të tjerët. Kjo nuk ja ul vlerat aktit të tij heroik dhe familjes së tij, por as nuk i shton ndonjë gjë Rugovës, duke e bërë me zor bashkëluftëtar me Adem Jasharin. Është mirë që foto të tilla të mos instrumentalizohen për propogandë, por të përdoren për të vërtetat historike.
Unë që e kisha parë disa herë Adem Jasharin kur vinte tek redaksia e “Rilindjes” në Tiranë, apo tek “Bar Kumanova” në Tiranë, kur ndodhi tragjedia më 6 mars dhe po bëja lajmin për familjen Jashari, nuk e lidhja dot emrin me fytyrën dhe nuk e dija se bëhej fjalë pikërisht për këtë person. Më vonë kur pashë fotot dhe mu kujtua kush ishte, krijova një ide për të.
Prandaj është mirë që me këtë foto të mos prodhohen legjenda të panevojshme. Me atë që ka bërë, familja Jashari ka hyrë në historinë e kombit tonë si një familje martire, që ka vënë gjakun në themelet e Kosovës, dhe me aq sa ka bërë, Ibrahim Rugova ka hyrë në historinë e Kosovës si “Ati” shtetformues i saj. Kjo foto thjesht tregon se ata të dy secili në punën e vet, bënin diçka për Kosovën, por jo se ishin bashkëpunëtorë apo dy figura legjendare që bashkëpunonin “njëri me luftë, e tjetri me paqe”. Kanë bërë boll secili më vete. Mos i bëni bashkë me zor kot. I ka bërë historia!