Nga Ardit Bido
Nuk jam shqiptar se edhe ti je shqiptar! Jam shqiptar se kështu ndodhi, sepse prindërit e mi ishin shqiptarë.
Nuk jam krenar që jam shqiptar sepse shqiptarët e tjerë kanë bërë mrekulli, as nuk me vjen turp për veprat e turpshme që kanë kryer shqiptarët e tjerë.
Jam krenar që jam shqiptar, sepse është pjesë e përkatësisë sime, është lidhja me paraardhësit, është një ndër shumë elementet që përbëjnë qenien time. Jam krenar që jam shqiptar sepse edhe vajza ime, prej rastësisë, është shqiptare. Kaq!
Nuk mbaj përgjegjësi për asgjë që bën secili shqiptar tjetër e as meritat për veprat e tyre të mira. Nuk krenohem me Skënderbeun e Nënë Terezën, me Nolin, Zogun e Konicën, por frymëzohem prej faktit se të tjerë, me të cilët më lidh përkitja rastësore, vërtetojnë se mund të bëjmë shumë bashkarisht, por mbi të gjitha individualisht.
Nuk krenohem me kombëtaren e ushtrinë, por më pëlqen kur më përfaqësojnë denjësisht.
Nuk krenohem me Kadarenë a Agollin, por u jam mirënjohës e i frymëzuar prej mënyrës si lëvrojnë gjuhën e nënës, për të cilën jam krenar.
Kjo nuk do të thotë që më frymëzojnë shumë shqiptarë; e kundërta janë shumë pak, sikurse po aq më frymëzojnë edhe pak grekë, serbë, bullgarë, turq, italianë e nga çdo etni!
Nuk i kam inat fqinjët, madje më pëlqejnë; nuk jam shqiptar se ata janë grekë a serbë! Mes tyre ka të mirë e të këqinj, po aq sa ndër shqiptarë. Kur cënojnë shqiptarët, mërzitem sepse do të më cënonin dhe mua po të isha në vend të shqiptarëve në dhe të huaj; jo për faktin se jam i mirë a i keq, por për faktin se nuk jam si i keqi ndër ta! Po aq, do të mërzitesha nëse një shqiptar i keq do të cënonte një serb a një grek, jo se është i mirë a i keq, por sepse nuk është si i keqi ndër nesh!
Nuk mund të jem krenar me Shqipërinë, sepse nuk është siç duhet, por Shqipëria më bën krenar sepse është dheu i vetëm që më pranon pa damkën “i huaj”.
Debatet identitare me tribalë, ilirë e australianë më lenë indiferent, por jo aq sa mos të them: jam krenar që janë pjesë e imja shumë vlera të trashëguara nga brezat e mëparshëm te unë e prej meje te vajza ime. Prandaj jam krenar që jam shqiptar dhe për asgjë tjetër!
…një sqarim i shkurtër i nacionalizmit humanist, që na duhet e nuk e shoh ta kemi, për të shijuar siç duhet ato që kemi dhe jo për t’u qarë për çfarë nuk kemi.