Deputeti socialist Taulant Balla e ka quajtur të pavlefshme platformën politike të Ben Blushit me propozimet e tij për ndryshime në statut. Sipas Taulant Ballës, ato që propozon Ben Blushi janë në statutin aktual të PS-së, por se sipas tij, Blushi as statutin nuk e lexon dhe as elektoratin nuk e takon. Taulant Balla është deputeti i zgjedhur nga kryetari për tu përballur në çdo situatë me Ben Blushin.
“I pashe “propozimet” që kolegu ynë Ben Blushi tha se janë propozimet e tij për ndryshime në Statutin e Partise. Nuk po merrem me formën dhe përmbajtjen e tyre sot. Por, nuk mund ta fsheh që jam i habitur, po jo edhe aq shumë, që Ben Blushi nuk e paska lexuar deri me sot statutin aktual të partisë sonë.
“Trecereku i atyre që shoku Blushi kërkon në gjoja platformën e tij për reformim të PS, janë në statutin aktual të partisë. Kjo duhet të jetë edhe arsyeja që Blushi e ka shkelur statutin më shumë se çdo deputet që unë njoh, sepse është i vetmi deputet që ka braktisur fushatën e zgjedhjeve dhe ka dalë hapur kundër kandidatëve të Partisë Socialiste. Po ashtu është i vetmi deputet që s’ka mbajtur asnjë lidhje me socialistët e zonës ku ka dalë deputet dhe i vetmi deputet që ngre zerin në parlament vetëm për t’u bashkuar me korin e Saliut kundër qeverisë”, shkruan Balla në Facebook.