Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se PS do të hyjë në zgjedhjet e 18 qershorit me apo pa praninë e opozitës.
“Zgjedhjet do të bëhen, kush do të paraqitet le të paraqitet, kush nuk do, mos të paraqitet”– u shpreh kryeministri i ftuar në studion e Report TV, te emisioni “5 pyetjet nga Babaramo”.
Intervista
Babaramo: Do shmanget përplasja e trenave?
Rama: Nuk shoh gjë të tillë. Është e drejta e popullit të na tregojë se kush do na qeverisë në 4 vitet e ardhshme. Unë nuk shoh asnjë krizë që PD sheh dhe kërkon të na i faturojë të gjithëve
Babaramo: Por LSI e PDIU kanë thënë se zgjedhjet nuk bëhen pa opozitën. Po nëse shkoni në zgjedhje ju dhe Blushi që ju vijnë si një bekim
Rama: Nuk shoh asnjë bekim sepse PS është në të drejtën e saj për t’u paraqitur para zgjedhësve sesa shume ka për të bërë, sa duhet të bëjë. Jemi në një proces historik reformash. Reforma në Drejtësi është jetike, jemi në një udhëkryq ku paraqitet e ardhmja e Shqipërisë si një mundësi reale apo në një afat të pacaktuar. Lërë se cfarë thonë, zgjedhjet do të bëhen, kush do të paraqitet le të paraqitet, kush nuk do, mos të paraqitet
Babaramo: Por do futeni pa opozitë?
Rama: Vendi nuk do të mbetet kurrë pa opozitë. Po zëvëndësoni vendin me një opozitë tjetër, kjo i bie të jetë opozitë e telekomanduar…
Për fat të keq, përvec PD e disa satelitëve të saj, unë nuk shoh rrugë tjetër vetëm dialogun, jam i gatshëm për një dialog pa kushte, duke shpresuar se në tryezë do të gjendet filli i arsyes, jemi të gatshëm të pranojmë cdo gjë, që përmirëson, kuadrin ligjor të zgjedhjeve dhe cdo mekanizëm që mund të përbëjë një garanci më shumë për opozitën, por nuk jemi të gatshëm ta kthejmë Shqipërinë mbrapa dhe në fund të fundit shteti që ne duam të ndërtojmë është një shtet që bazohet në Kushtetutë, në respektin për qytetarin, ndaj Kushtetutës sesa të thuash; o kështu o rashë vdiqa nuk ka.
Babaramo: Po partnerët në koalicion?
Rama: Nuk duhet të komentoj partnerët tanë në koalicion, natyrisht që qasja e tyre është e ndryshme nga e jona është në të drejtën e tyre, e kam lexuar si përpjekje për të rregulluar situatën, është një tentative, nuk e ndaj në parim por e mirëkuptoj si të tillë, nuk shoh arsye për të komentuar, mendoj që në fund të ditës do jenë në zgjedhje, në qoftë se PD vendos të vrasë veten ta vrasi veten, nuk bëjmë çfarë nuk ka lejon kushtetuta, nëse do të shkojë para gjykimit të popullit të na bëjë me dije me gjithë ndryshimet në kodin zgjedhor.
Babaramo: Zgjedhjet do bëhen në 18 qershor edhe nëse do jenë PD dhe LSI?
Rama: Po jua përsëris që nuk e shoh LSI-në si problem në këtë proçes, PD është problemi në këtë proces, LSI ka bërë një përpjekje me vullnet të mire për të zgjidhur situatën, jemi forca më e madhe në vend , jemi forca që kemi marrë përsipër të bëjmë shtet. Kemi bërë gabime, kemi të meta, ka shume gjëra për të bërë, nga ana tjetër nuk bëjmë gabime të qëllimshme në kurriz të Shqipërisë dhe qytetareve.
Babaramo: Ju e ndani qëndrimin e PD me LSI kur duket sikur janë të njëjta?
Rama: Ju mendoni atë qe mendoni, unë mendoj që LSI dhe Ilir Meta janë në profilin dhe natyrën e politikës tyre, është e ndryshme nga e jona dhe ka një qasje tjetër.
Babaramo: Pse mendoni se nuk do te shtyhen zgjedhjet? Pse te mos ndodh e njëjta gjë si atëherë kur ju ishin kandidat për kryetar bashkie?
Rama: Është e vërtetë, ajo që ne paraqitëm u pranua ndërkombëtarisht, ndërkohe sot nuk kemi asgjë tjetër prej opozitës për të përmirësuar kodin zgjedhor. Ne sot kemi një proces zgjedhor që është i disati ku Policia e Shtetit nuk është problem më në Shqipëri dhe nuk kuptoj si mund t’i kërkohet qeverisë të largohet para zgjedhjeve sepse kështu do një pakicë. Ndërsa kjo qeveri ka lindur për të larguar nga pushteti ata që janë në çadër dhe detyra ime është të qeveris jo ata që janë në çadër po ata që ma kanë besuar qeverisjen. Data e e zgjedhjeve përcaktohet nga Kushtetuta.
Babaramo: Në 2007-ën kishte Kushtetutë?
Rama: Në 2007 ishte problem real në tavolinë. Sot ka vetëm muhabete rakie në çadër në një çasje destruktive të opozitës që është futur në çadër për të mos votuar fillimin e reformës në drejtësi. Për herë të parë në historinë e këtyre 20 e kusur viteve shoh forca politike që janë të gatshme të na ndajnë për së gjalli nga Europa sepse i friken si djalli temjanit reformës ne drejtësi dhe për rrjedhojë gjykimit të popullit që do drejtësinë.
Babaramo: Jeni i gatshëm të negocioni gjithçka përveç qeverisë teknike?
Rama: Gjithçka që është në binarët e arsyes. Jam i gatshëm të diskutojmë sy më sy, hapur ku ndodhemi, çfarë rrezikon Shqipëria në këtë moment në raport me BE dhe shtetformimin në Shqipëri dhe për t’i thënë që jemi të gatshëm të pranojmë çdo gjë. Ne kemi qenë në çadër dhe kërkonim hetim parlamentar, jo të ndryshojmë datën e zgjedhjeve. Megjithëse ne na u grabit bashkia, na u vranë njerëz në bulevard nuk thamë kurrë nuk do hymë në zgjedhje. Një opozitë që nuk hy në zgjedhje se ka frikë nga drejtësia është një opozitë që i ka ardhur koha për të vdekur dhe për tu ringjallur në një formë të re. Të gjithë miqtë dhe simpatizantët e PD janë të pataksur nga ajo që dëgjojnë nga çadra.