Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta tha se Shqipëria nuk mund të jetë peng i askujt.
Sot në një takim me të rinjtë e kësaj partie në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, Meta shprehu mesazhe të qarta kundër Kryeministrit Edi Rama, duke përdorur dhe fjalorin e kryedemokratit Basha, për sa i përket drogës dhe krimit të organizuar në vend.
“Të gjithë ne kërkojmë një Shqipëri pa drogë që përfaqëson qytetarët dhe jo krimin e organizuar që përmes monopoleve, ekraneve të kapura dhe koncesioneve po ndalojnë sipërmarrjen në vend. Kjo është koha juaj e të rinjve dhe të rejave. Lum kush e dëgjon zërin e tyre, ne kurrë nuk mund të lejojnë që zgjedhjet e lira të bëhen kurban në këtë vend. Shqipëria nuk do të jetë një one-man shoë por një shans për të gjithë,” tha Meta.
Meta ripërsëriti se LSI është e gatshme të bëjë gjithçka, duke ofruar edhe mandatet për ti dhënë zgjidhje të ndershme politike shqiptarëve. Ai tha se Shqipëria nuk mund të bëhet turpi i Europës në 2017.
“Çdo politikan mund të jetë peng i të kaluarës së tij, por kjo asnjëherë nuk mund të jetë një fatkeqësi për vendin e çdo politikani. E ardhmja e vendit nuk mund të merret peng nga askush që mendon më shumë për karrigen dhe pushtetin e tij se sa për paqen dhe stabilitetin e vendit të tij dhe qytetarëve të tij. Ndaj nuk kemi asnjë minutë për të humbur as me arrogancën e njërës palë, as për ultimatumet e palës tjetër për t’i dhënë Shqipërisë zgjedhje të pranuara nga të gjithë. Nuk na dhimbsen as karriget tona, as të Ilir Metës as të ministrave të LSI-së për t’i dhënë zgjidhje Shqipërisë e për të mos u bërë turpi i Europës në vitin 2017. Të mos pengohet nga arroganca dhe kokëfortësia që vetëm vonon Shqipërinë të jetë vend normal”- tha Meta.