Nga Enkel Demi
Ka nisur kolonia ndëshkimore ndaj Fatos Lubonjës, teksa janë publikuar disa deponime të tij në hetuesi në vitin 1975. Në ato fletë biri rëndon të atin. Dihet që ky qëndrim nuk e ndihmoi të riun Fatos Lubonja që pjesën më të bukur të jetës ta shkonte në burg, së bashku me babain Todi Lubonja. Botimi i sotëm i këtyre faqeve, të marra krejt jashtë konteksit, rreket të na mbushë mendjen që megjithëse bëri një mal me burg, Fatosi ka qenë një njeri i poshtër, frikacak, i cili ka shitur edhe babën e vet. Askush nuk thotë që ato deklarata mund të jenë marrë nën torturë, sepse dihet çfarë të bënte hetuesia në at’botë. Ose mund të ketë qenë një pakt mes babës dhe të birit që të paktën të shpëtojë djali, ose… dhe mund të ketë plot “ose” të tjera.
Ky sulm ndaj Lubonjës në dëm të tij, por edhe të babait të ndjerë, bëhet, sepse ky njeri është sërish kundër klikës në pushtet e si gjithmonë është tejet i bezdisur për shumë nga ato që shkruan e që thotë. Sulmi ndaj tij nuk ndryshon aspak nga ai në dëm të Visar Zhitit. Fillon nga dëshira djallëzore që të përbaltim, ta ndotim shtresën e ish-të persekutuarëve, sak nga ata që nuk kaluan kalvarin e këtyre vuajtjeve. Të këtilla akuza apo sulme ka patur shumë gjatë këtyre 25 vjetëve ndaj atyre që panë burgun. Nuk kanë si të harrohen lehësit ndaj Pjetër Arbnorit apo të ish-komunistëve që përtypnin pseudonime në foltoren e Kuvendit.
Lubonja është një njeri i së majtës klasike, madje shpesh nga ato që shpreh më duket komunist. Burgu, gjuhët e huaja, leximet nuk e ndërruan. Shpesh gjërat që thotë mua për vete më duken broçkulla që mbyten në cektinën e tyre, por po kaq shpesh më pëlqen për lirinë që ka për të thënë të vërteta. Partitë-banda i ka shpjeguar për herë të parë në publik Lubonja, ashtu si ka shpalosur marrina për homoseksualitetin e klerit. Ky është Lubonja, një njeri që nuk tutet të shprehë atë që mendon, i cili është dashnor i librit e për fat të keq edhe i televizionit. Por, këtë të fundit e ka mjet jetese, sepse ai ka pranuar që nuk ka marrë kurrë një lek për projekte të shoqërisë civile.
Ky njeri me gjithë të mirat dhe të këqijat e veta, nuk krijon tifozë. Nuk e ka për zemër kompromisin e populizmit që të thotë atë që një pjesë dëshiron të dëgjojë, prandaj skenës sonë politiko-mediatike Fatos Lubonja i bën veç mirë. Letrave shqipe po ashtu. Përballja e tij me idhujt e Shqipërisë bën veç mirë, madje vetë idhujt i shëron nga vetmia e majës, ku janë ngjitur.
Fatos Lubonja është sot kundërshtar i regjimit, tëpkë si ka qenë përherë këtë çerek shekulli. Dikujt mund t’i duket edhe si Peçi Kondra, por ama ia vlen më mirë të kesh kundërshtar një si Lubonja, sesa një bandit që ka hall se i ka rënë çmimi i hashashit.
Ndaj, publikimi jashtë konteksit i qëndrimeve të tij në hetuesi është perversitet, dashakeqësi dhe goditje tipike komuniste, e ngjashme me hurin që përdorte hetuesi i vitit 1975. Askush nuk e di se si do të silleshin para hetuesve të komunistëve ata që sot botojnë këto “zbulime të mëdha” për Lubonjën. Kaq trima do ishin vallë? Krishti i tha turmës që do linçonte Maria Magdalenën: “Kush është pa mëkat, le të hedhë gurin e parë…”. Sa shumë i duhet sot Krishti, një ateisti si Fatos Lubonja.