Luan Rama në “Shih programin”
Vijon të mbahet kodi i heshtjes në lidhje me ndryshimet e fundit në qeveri nga ana e LSI-së. Sekretari i përgjithshëm Luan Rama, i ftuar në “Shih programin” u mjaftua me një shprehje të zakonshme se institucionalisht është e drejtë e kryeministrit të ndërrojë kabinetin. Por, ai ka pohuar në TVSH se për këto ndryshime nuk është folur as në mbledhjen e kryesisë të ditës së shtunë. Një merak sado të vogël e ka sidoqoftë. Mund të ishin bërë këto ndryshime në momentin qysh kur nga kabineti u largua ministri i Drejtësisë Nasip Naço dhe në ndjenjësen e tij u ul Ylli Manjani. Kjo vonesë i mbetet nonsens, por nga ana tjetër duke gjetur strehë tek metaforat ai shprehet se “i zoti e di mirë se ku i pikon çatia”. Lidhur me pyetjen nëse është zgjedhje e tij të mos ishte pjesë e Ekzekutivit, Luan Rama përgjigjet me humor se një Ramë i mjafton kabinetit qeveritar. Përtej kësaj pohon se as nuk i është bërë ndonjë propozim i tillë dhe as e ka kërkuar një post të tillë, megjithë eksperiencën si ministër në tre kabinete të ndryshëm.
Në “Shih programin”, Luan Rama ka folur për procesin e brendshëm të zgjedhjeve në LSI, ka sqaruar se do të ketë zgjedhje nga struktura më e vogël deri tek kryetari i partisë. Kësaj here ndryshe nga do vite më parë, Luan Rama thotë se nuk do të garojë përballë Metës. Sidoqoftë, ai e kujton si një spovë të arrirë, tek mori mbi 30 përqind të votive para katër vjetëve. Por, tregohet shumë i kujdesshëm të komentojë zgjedhjet e brendshme të vëllait të madh socialist, por thotë se një forcë politike që të qevërisë mirë popullin duhet të qeverisë mirë vetëveten, duke respektuar statutin dhe strukturat.
Duke qëndruar tek muaji mars, edhe Rama i LSI-së, ashtu si Rama i qeverisë, nuk e shikon të pamundur kalimin e reformës në drejtësi. Ai ngulmon se Byronë Kombëtare të Hetimit, LSI e pati votuar qysh herën e parë kur u rrëzua nga Kushtetuesja, ndaj fjalët e hapura në lidhje me LSI-në për këtë çështje janë keqdashëse. Sipas tij është krijuar një spekullim i madh në raport me reformën në drejtësi dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Rama mendon se ky spekullim është i ushqyer përmes kanalesh okulte sikur nuk e do LSI-ja.
Megjithëse që në fillim ai vetë nuk bashkëndante mendimin se Byroja duhej të varej nga policia, por nga prokuoria, Rama tregon se i është bindur vullnetit të shumicës, ndaj nuk shikon asnjë arsye se përse tani mund të votohet ndryshe. Rama u kujdes të shtonte se se pjesëmarrja e opoztitës në votimin e kësaj reforme jo vetëm do të ishte hap para për vendin, por edhe për vetë opozitën.
Ndërsa i pyetur në lidhje me një bojkot të mundshëm të PD-së nëse në zgjedhje shkohet me këtë kryeministër, Luan Rama thotë se Basha gabon nëse ndërmerr një hap të tillë. Ai ka kujtuar se edhe Rama, erdhi në pushtet megjithëse Berisha drejtonte ekzekutivin. Sipas tij, Basha duhet të kuptojë se askush nuk do t’ia dhurojë kryeministrinë, i cili nuk preferoi që të komentojë nëse aleanca parazgjedhore e 1 prillit të 2013 ka qenë një dhuratë kryeministrore për Edi Ramën.