27.al i rezervon një hapësirë kryesore një rubrikë intersante, e cila quhet “Ka thënë i moçmi”. Në këtë rubrikë pasqyrohen thënie të mençura nga shqiptarë të të gjitha kohërave, kryesisht ata të Rilindjes (asaj së vërtetës). Thëniet e tyre do të vazhdojnë të përcillen për një kohë të gjatë tek 27.al e media të tjera, për vlerat dhe mesazhin, jo vetëm për të kaluarën, por shpesh të tashmen dhe të ardhmen e kombit tonë.
Gjithsesi si çdo kontribut real në këtë botë, edhe thëniet e mençura e kanë një fund, pra do të vijë një moment kur do të duhet të zëvendësohen.
Thëniet e mençura i japin kombit njëfarë projektimi duke kujtuar të kaluarën nëpërmjet situatës aktuale apo anasjelltas. Vetë rilindasit (e vërtetë) ishin personalitete të nderuar për kombin tonë, që pavarësisht bindjeve, ideve apo fesë, kishin një të përbashkët. Ata i dhanë Kombit Shqiptar: kush djersën, kush gjakun, kush kontributin ekonomik, kush fjalën.
Sikur qeveria e sotme të mos e kishte bajatizuar aq shumë fjalën “Rilindje” ndoshta mund të shkruanim se po pretendojmë të gjejmë “rilindas” të sotëm. Problemi kryesor që shfaqet, është se mesazhet e “rilindasve” të sotit, jo vetëm që nuk i qëndrojnë aktualitetit, të ardhmes e të shkuarës, pra dimensionit të kohës, por nuk i qëndrojnë as dimensionit moral.
Kur sot të jetë dje, pas shumë dekadash, kur personalitetet aktualë të kohës së sotme të bëhen të moçëm, a do t’i kenë dhënë diçka kombit të tyre apo vetëm do të kenë marrë?! A do ketë ndonjë që të shkrijë pasurinë për t’u blerë “libra” që shqiptarët të mos i rikthehen analfabetizmit? Do ketë ndonjë që të sakrifikojë rehatinë dhe statusin ekonomik për hir të kombit? E imagjinoni se cilat do të jenë thëniet e tyre…?!
Për shembull çfarë thënie të mençur do të marrin referencë breznitë e ardhshme nga Taulant Balla, i cili aktualisht është në ballë të shumicës, kompetenti i padiskutueshëm që mund të flasë për gjithçka; për çdo politikan, për çdo lëvizje politike nga njëri kah në tjetrin, me një fjalë për çdo gjë që ndodh në jetën politike të vendit.
Ose të citojnë Pandeli Majkon që thirri me sa kishte në kohë mu në mes të Parisit: “Unë jam muxhahedin…!”
Le të marrim të parin e “Rilindasve” të kohës së sotme. Pavarësisht dëshirës së tij të madhe për të hyrë në histori si burrë shteti, do të mbahet mënd se përsëriti disa shprehje të rëndomta të zhargonit që disa i ngatërrojnë me fjalë të urta popullore si “në se do të kishte halla …”, ose për batutat e veta nëpër foltore. Po, mund të mbahet mënd si kryeministri shakaxhi, për shakatë e tij të kriposura edhe me invalidë.
Për fat të mirë a të keq ndoshta nuk do jemi ne ata që do kërkojnë për thënie të mençura nga “mendjet e ndritura” të kohëve të sotme. Shpresojmë që brezat e ardhshëm, të kenë mundësi të lexojnë fjalë të mençura pa përsëritur çdo ditë At Gjergj Fishtën, Faik Konicën, Frashërllinjtë, Fan.S.Nolin e rilindasit e tjerë (të vërtetë).