Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë sheh nevojën e një Pakti Kombëtar, në mënyrë që të kapërcehet kriza që ka përfshirë jetën politike të shqiptarëve. Sipas tij, reforma në drejtësi është detyrë patriotike, prej së cilës mund të hidhen themelet e Republikës së Re, e cila është themeluar vetëm në letër me ndryshimet kushtetuese. Idrizi mendon se Bashkimi Kombëtar dhe integrimi në Europë janë të njëjtat udhë që i bashkojnë dhe nuk i ndajnë patriotët.
Kreu i PDIU-së vë re se aleanca e puthadorëve të Athinës në Tiranë, nuk ka të bëjë vetëm me shbërjen e Çështjes Çame, por është aksion i mirëfilltë asimilues.
Në lidhje me protestuesit e Zharrëz, Idrizi kërkon nga ministri Gjiknuri dhe kryeministri Rama të gjejnë zgjidhjet e menjëhershme në favor të këtyre banorëve dhe jo interesave politikë dhe ekonomikë të sipërmarrjeve të industrisë së atjeshme.
Përsa i përket zhvillimeve politike të ditës, Shpëtim Idrizi kërkon zbatimin pikë për pikë të ligjit zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR ose përndryshe koalicionet politike janë në rrezik.
Më poshtë fjala e plotë e Shpëtim Idrizit në Konvetën e PDIU-së në Tiranë.
Motra dhe vëllezër,
Po jetojmë një moment politik, i cili është lidhur si nyje gordiane. Shqiptarët kudo që janë ndodhen në një sherr mes vetes, i cili po i mban lidhur pas regresit dhe jo përparimit. Në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi, Maqedoni, kudo që janë shqiptarët aktorë politikë dhe elementë thelbësor të shtetit, po kemi të bëjmë me kriza politike të mirëfillta. Është tejet e trishtueshme që këtë ta konstatojmë rregullisht, por kjo është e vërteta. Në vitin 1899, Faik Konica shkruante në gazetën “Albania”: “Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë.”
Po e theksoj e ka shkruar këtë ky njeri në vitin 1899, ndërsa unë po jua lexoj sot në vitin 2017 dhe duket sikur sapo kemi dalë nga një takim me këtë mendje të madhe që kurrë nuk u përmbajt për të rrëfyer të vërtetën tragjike të shqiptarëve. Po, motra dhe vëllezër, më duket sikur jemi lodër e një mashtrimi të madh, ku fataliteti po na përndjek. Shqipëria është në një krizë politike të thellë tashmë. Nuk fshihemi dot pas gishtit. Është një krizë që është majisur dhe tani ka shpërthyer plagën, megjithëse jemi vetëm pak muaj para zgjedhjeve të reja. Situata aktuale duket një deja vu, një përsëritje e së kaluarës. Prapë kemi protesta dhe çadra para qeverisë dhe zvarritje nga opozita të proceseve të rëndësishme për vendin.
Është e njëjta lojë vetëm se aktorët kanë ndërruar rolet. Kjo tregon se partitë kryesore në Shqipëri janë atrofizuar, janë ngurtësuar në sjellje dhe qëndrime dhe janë bërë gjithnjë e më shumë kopje e njëra tjetrës.
Këtu duhet ta shohim kontributin e PDIU-së, në freskimin e skenës politike të Shqipërisë, në shtimin e konkurrencës dhe garës, në mënyrë që të rritet edhe cilësia e sistemit tonë partiak. Futja e PDIU-së në këtë lojë politike shton presionin për rritjen e cilësisë të ofertës politike ndaj qytetarëve tanë.
Politika pa konkurrencë është, pa lojtarë të ri e pa garë është si uji i lumit që kur bllokohet dalja dhe hyrja nga i pastër kristal bëhet moçal i ndenjur dhe i kalbur.
Ky është rreziku që i kanoset politikës shqiptare, nëse nuk ka garë, nuk ka faktorë të rinj si PDIU që fuqizohen e shtojnë konkurrencën nëelitën politike shqiptare. Po ashtu, kini parasysh se zanafilla e mendimit të lirisë dhe demokracisë, vepra e iluministëve europianë lindi si reagim ndaj monarkisë absolute, ndaj përqendrimit të pushtetit në një dorë apo pak duar. Pikërisht, një ndër parimet thelbësore të iluminstëve dhe mendimit liberal ka qenë decentralizimi, pluralizmi, pra shpërqendrimi dhe
shpërhapja e pushtetit. Prandaj, këta mendimtarë promovuan idenë e ndarjes së pushtetit në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, si dhe ndarjen e pushtetit në qendror e vendor. Po ashtu edhe forcimin e pluralizmit dhe garës elektorale me sa më shumë aktorë. Konsolidimi i pluralizmit dhe shpërqendrimi pushtetit është një ndër shtyllat e sistemit të liberal demokracisë dhe këtu duhet ta shohim një ndër defektet kryesore të gjendjes sonë të përkeqësuar politike.
Forcimi i PDIU-së nuk sjell gjë tjetër përveçse konsolidim të pluralizmit, shpërqendrim të pushtetit, rritjen e garës dhe pengimin e formimit të autoritarizmit. Pra, PDIU-në mos e shikoni vetëm si një parti që mbron interesat e komunitetit çam dhe të çështjes kombëtare, por si një parti që e shërben shëndetit të demokracisë dhe pluralizmit në vend. Duke u angazhuar me PDIU-në ju i kontribuoni drejtpërdrejtë forcimit të demokratizimit në këtë vend.
Këtë krizë politike nuk duhet të bëjmë sikur nuk e shohim apo akoma më keq ta kalojmë në heshtje, me ndonjë shaka në rrjetet sociale. Jo, kriza është atje, jo vetëm në bulevard, ku është formësuar me një çadër, por kudo. Në Kuvendin e Shqipërisë kriza është ulur këmbëkryq, sepse është i bllokuar plotësisht reforma në drejtësi. Asnjë nga mekanizmat parlamentar që do ta vinin në lëvizje reformën në drejtësi nuk funksionon. Nuk dëshiroj të merrem me retorikën, kush e ka bllokuar dhe pse e ka bllokuar. Unë konstatoj sot, ashtu si Faik Konica në fund të shekullit XIX, se po luhet një mashtrim i madh, i cili neve, shqiptarëve, gegëve dhe toskëve po na hedh në fatalitet. Sipas Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, kriza politike kalohet vetëm në një mënyrë: plotësimi me urgjencë i detyrimit politik dhe parlamentar që ne kemi ndaj reformës në drejtësi.
Ne, ligjvënësit e PDIU-së nuk dhamë unanimisht votën për këtë proces thelbësor, sepse na trembi kush, përkundrazi, ishte reforma në drejtësi kushti ynë i vetëm në të gjitha tryezat e negociatave politike. Pra, e kishim dhe e kemi me gjithë mend që besojmë tek kjo reformë, e aq më shumë akoma tek pasojat e saj pozitive. Nuk është thjesht shprehje e koherencës politike me aleatët tanë ky qëndrim, por është një bindje e patundur që rithemelimi i Republikës së Re, mund të vijë vetëm nëpërmjet reformës në drejtësi.
Nuk është e vërtetë që kjo reformë synon vetëm sistemin e drejtësië, por kam bindjen e patundur se ajo trondit dhe rivendos në themelet e duhura gjithë sistemin politik për të mbërritur tek Republika e Re që dëshirojmë të ngrejmë në bazë të ndryshimeve të mëdha kushtetuese, të cilat Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i mbështeti pa asnjë mëdyshje. Ndaj, sot nga kjo foltore unë propozoj të nisin përpjekjet për të gjetur mekanizmat e duhur që të dalim nga kjo krizë politike që na ka ngërthyer, me kushtin e vetëm plotësimin ligjor në Kuvend të reformës në drejtësi. Jam gati të ulem në tryezë me këdo, si në qeveri, si në opozitë, vetëm të çojmë përpara këtë reformë, thelbësore edhe për mbijetesën e shqiptarisë, e cila vetëm në këtë mënyrë mund të dalë nga fataliteti që përmend Konica në vitin 1899. Jo më kot, qysh në krye të herës ju fola për këtë krizë të madhe politike që ka përfshirë klasën politike, kudo ku ajo vepron.
Gruevski në Maqedoni i propozon mbështetje armikut të tij politik, Zaevit, vetëm që gjuha shqipe mos të jetë zyrtare në këtë vend, ashtu si e kërkon edhe Marrëveshja e Ohrit. Është e dhimbshme që në shekullin tonë të ri, të dëgjosh për pakte që sollën Luftën e Madhe në Ballkan, por ja që ndodh.
Veç, një gjë duhet të mësojmë nga këto zhvillime të rrezikshme; të mësojmë nga hasmi.
Gruevski kalon gjithçka, kalon edhe mbi parimet themelore, ku ka ngritur partinë e tij, por me kusht që të mundë shqiptarët.
Por, ne çfarë kalojmë? Ne asgjë.
Neve gjithmonë jemi të përçarë para rrezikut të falimentimit të shqiptarisë. Kapemi si këpusha pas interesit të vogël partiak dhe jemi gati të bëhemi edhe me sllavët, rusët, grekët, vetëm që t’i shtypim kokën kundërshtarit shqiptar. Njësoj si princërit e mesjetës që grindeshin mes tyre dhe thërrisnin për ndihmë te huajt, ashtu po sillemi dhe ne, politikanët e kohëve moderne dhe teknologjike.
Jo vetëm në Maqedoni shqiptarët janë të ndarë si zogjtë e korbit, por kudo.
Sa forca politike dhe personalitete të politikës së Tiranës po i bëjnë temena grekut, vetëm që të zvogëlojnë, të zhdukin nga skena një parti të vetme kombëtariste, gjithëpërfshirëse, pa dallim krahinor apo fetar siç është Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet? Vrapin e mbajnë në Athinë dhe vinë këtu me lloj-lloj idesh e projekte që synojnë vetëm një gjë: asimilimin kombëtar.
Dhe ja ku po jua them: Çështja Çame që ne mbrojmë, është halli i tyre më i vogël.
Athina dhe puthadorët e Greqisë në Tiranë nuk po punojnë vetëm për zhdukjen e Çështjes Çame, por për zhdukjen e Çështjes Shqiptare. Bëhet fjalë për një projekt fort mirë të menduar, të financuar dhe të strukturuar për zhdukjen përfundimisht të shqiptarisë. Në gjeo-politikë, shqiptaria është e vetmja pengesë mbrojtëse që interesat greko-sllave mos të puqen në një te vetme. Por, armiqtë e shqiptarisë nuk janë të ndarë dhe të përçarë si ne, përkundrazi veprojnë qartë, ftohtë, madje duke shfrytëzuar më së miri fatalitetin tonë të luftës së brendshme. Misionarë të vërtetë të asimilimit janë ata që kanë kaq kohë që hedhin helm ndaj Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, të vetme forcë që është ngritur mbi themelet e Çështjes Shqiptare. Mund të shpëtojmë, të mbijetojmë dhe të lartësojmë shqiptarinë, vetëm duke parë andej nga na ka ardhur përherë mbrotja dhe përparimi: Perëndimi!
Lërini përrallat që lexoni për PDIU-në në gazeta, portale apo që dalin në media. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet e sheh zhvillimin dhe shpëtimin vetëm në proceset integruese europiane, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet ku frymojnë shqiptarët. Bashkimi Kombëtar dhe integrimi në Europë nuk janë dy drejtëza të kithëta që nuk takohen kurrë, por janë dy udhë që bashkohen, sepse kanë të njëjtin qëllim. Rruga në Europë zgjidh përfundimisht Çështjen Shqiptare. Por, në Europë nuk shkohet si honxhobonxho do thoshte sërish Konica, por zgjidhet, kur shkon në bazë të ca parimeve demokratike që kanë themeluar Europën. Prandaj, kërkojmë reformën në drejtësi me ngulm. Të kërkosh reformën në drejtësi sot është detyrë patriotike. Të jesh patriot sot, do të thotë të kërkosh reformën në drejtësi dhe jo të bërtasësh vetëm në stadium, kur luan Kombëtarja.
Ndaj, sot nga kjo tribunë propozoj: Paktin Kombëtar të Bashkimit.
Ky pakt ka vetëm dy pika:
- Reforma në drejtësi.
- Integrimi në Europë.
Kjo është oferta që kemi. Për këtë ulemi në tryezën e bisedimeve me këdo dhe kudo. Shqipëria është e para. Atdheu është i pari. Të tjerat janë të dytat.
Ne që duam Shqipërinë, propozojmë këtë Pakt Kombëtar të Bashkimit!
Të dashur motra dhe vëllezër,
Shpesh duke u përqendruar vetëm në hallet e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet apo çështjet e saj të mëdha, për të cilat ajo vepron në politikë, harrojmë që nuk do ia dalim kurrë të zgjidhim çështjet tona madhore duke qenë të varfër.
Ajo protestë model e banorëve të thjeshtë të Zharrëz, rrëfen sa e vështirë është të përballesh me shtetin që nuk dëgjon, por sa të pamundur e ka shteti, nëse i del përballë me dinjitet. Protesta e Zharrëz është një shprehje e lartë qytetarie, e cila u tregoi gjithë klasës politike dhe medias, se janë shkëputur nga shqiptari i zakonshëm, ai i përditshmi, i cili lufton të jetojë me dinjitet në një sistem që vetëm dinjitetin nuk ta toleron.
Në emrin tuaj, kërkoj në radhë të parë nga ministri i linjës, pra i Energjitikës, Damian Gjiknuri, por edhe nga kryeministri Edi Rama të zgjidhin sa më shpejt problemin e protestuesëve të Zharrëz. Në tryezën e koalicionit një pikat tona kryesore të negociatave, tashmë është çështja e Zharrëz. Ne kërkojmë zyrtarisht zgjidhje për këta banorë, të cilët boll u torturuan rrugëve dhe nuk i dëgjoi njeri. Ne mbështesim një koalicion qeveritar dhe kjo është e vërtetë, por kjo nuk do të thotë aspak që vota jonë është e shurdhët apo e verbër. Ne jemi partnerë në këtë qeverisje për të dhënë mbështetje politike dhe vetëm politike për reformat e rëndësishme, sepse nuk ushtrojmë pushtet të drejtpërdrejtë qeveritar nëpërmjet portofoleve ministrore. Gjithsesi, aq pushtet sa kemi do ta vendosim në shërbim të qytetarit të thjeshtë, ndaj çështja e banorëve të Zharrëz për ne është kryesore dhe do ta shtrojmë në tryezën e bisedimeve të koalicionit. Kjo nuk ka të bëjë aspak me interesin tonë elektoral, sepse të gjithë e njohin forcën tonë të madhe në Qarkun e Fierit, ndaj nuk është se kemi nevojë të trokasim nëpër dyer për një a dy vota. Por, kjo ka të bëjë me thelbin e botëkuptimit tonë politik: jemi këtu për t’i shërbyer shqiptarëve dhe kjo është e vetmja mënyrë për t’i shërbyer atyre. Ndaj, e ripërsëris ministri Damian Gjiknuri dhe kryeministri Edi Rama duhet të zgjidhin sa më shpejt çështjen e Zharrëz, në favor të qytetarëve të atjeshëm dhe jo interesave politike dhe ekonomike që rrjedhin nga industria në fjalë.
Fola për Zharrzën dhe pranova që jemi në këtë koalicion, megjithëse jo ashtu si duhet, me përfaqësim në qeveri. Por, kjo ka ardhur si pasojë e një etike, ndoshta të tepruar që kemi ne si PDIU. Ne hymë në këtë aleancë pas kërkesës së Aleancës për Shtetin, e cila lidhej me reformën administrative. Pra, e theksoj nuk i kërkuam ne Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim të hynim në këtë koalicion, por qenë këto forca politikte, të cilat në mënyrë zyrtare nëpërmjet kryetarëve të tyre kërkuan zgjerimin e aleancës së tyre politike, me qëllim realizimin e reformave. E pranuam, sepse jemi një forcë politike që mbështesim reformat e mëdha, pasi besojmë që vetëm nëpërmjet tyre mund të shkojmë në qëllimin tonë përfundimtar që është Bashkimi Kombëtar.
Na kërkuan bashkëpunim për reformën administrative dhe jua dhamë. Bëmë shumë mirë, sepse për herë të parë kemi të mirënjohurat bashki çame, por edhe falë ngulmimit tonë të drejtpërdrejtë dhe votave tona kemi dy bashki të minoritetit. Për të mos folur pastaj që Bashkia e Konispolit që drejtohet nga një çam është modeli i bashkëjetesës midis shqiptarëve dhe minoritarëve. Sido që të sillen ndaj nesh, ne kurrë nuk punojmë të yshtur nga urrejtja, por vetëm nëpërmjet parimeve tona mundohemi të krijojmë një të ardhme të sigurtë për të gjithë shqiptarët, por edhe për ato pakica, grupe etno-kulturore që bashkëjetojnë me ne. Kjo është dhe një nga arsyet themelore, përse Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është parti kombëtariste.
Këto kohë keni parë dhe dëgjuar shumë, sulme nga më të ndryshmet, pikërisht për këtë aleancë politike, në të cilën ne fituam në zgjedhjet vendore. Janë munduar të na paraqesin si “batakçinj” të vegjël që jepemi pas pazareve të tryezave të kafeneve. Përmendin dy a tre drejtori, thua se kemi zemrën e pushtetit në dorë. Unë e kuptoj pse ndodh e gjitha kjo dhe nuk kam kurrfarë kompleksi ta them shkoqur këtu dhe më gjerë nëpërmjet medias.
Kjo ndodh, sepse ngritja lart e Çështjes Çame nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shoqata “Çamëria”, diplomacia e drejtuar nga zoti Bushati, por edhe vetë kryeministri Rama, ka shkaktuar jo smirë e mëri, por riaktivizim të puthadorëve të Athinës që janë në politikë, media, opinionin publik.
Çështja Çame kurrë më parë nuk ka qenë në këto nivele. Ajo, falë Brukselit është tashmë në tryezën e bisedimeve dypalëshe. Është e qartë që Greqia me hir apo me pahir duhet të ulet në tryezë. Nuk e detyron më Tirana, por qendra e Bashkimit Europian, ndaj interesi i vetëm i Athinës është të degjenerojë, përgojojë, pse jo të rrënojë njerëzit që punojnë për Çështjen Çame. Nuk ka si shpjegohet ndryshe ai sulm frontal ndaj Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe drejtuesëve, ligjvënësve të saj.
Çfarëdo të dëgjoni në këtë adresë, ta dini kanë vetëm një frymëzim: Athinën.
Nuk ka në PDIU dhe as ka për të patur ndonjëherë njerëz që kanë probleme me bashkëjetesën apo që janë racistë, grekofobë, serbofobë apo të të gjitha kategorive që po kërkojnë të na fusin me lajme që më pas harrohen, sepse kurrë nuk i vërtetojnë dot. Veçanërisht, këto kohë i kemi patur në shpinë pa të drejtë këto sulme të gjithfarëlloji, sepse kërkuam diçka zyrtare në byronë parlamentare. Rezistuan, nuk lanë kulisë pa përdorur, njësoj si me Rezolutën Çame. Në fund, shpifën, sajuan, sulmuan këdo që përfaqëson PDIU-në. Çfarë fituan? Asgjë.
Ja ku po jua them hapur dhe copë:
Seanca dëgjimore parlamentare për Çështjen Çame do të bëhet dhe shumë shpejt!
Të mbijetuarit e tragjedisë, nënat, gjyshërit tanë do të dëshmojnë para Kuvendit të Shqipërisë për atë tragjedi. Dokumentacioni që kemi jo vetëm për genocidin, por edhe për pronat tona të rrëmbyera do të krijojnë së bashku me dëshmitë e të mbijetuarëve një dosje parlamentare për Çështjen Çame. Dhe kjo ndodh për herë të parë që Kuvendi i Shqipërisë merr përsipër një aksion politik të mirëfilltë të kësaj natyre për Çështjen Çame. Ndaj takimin e radhës për Çamërinë e kemi në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo në këtë sallë.
Motra dhe vëllezër,
Pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme dhe makina jonë elektorale tashmë është e ndezur prej kohësh. Pa modesti e pranoj para jush se kudo nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, në zona ku ka përqendrim të komunitetit çam, por edhe në zona ku nuk ka një çam për be, shoh një frymë të afrimit tek Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet që më mbush plot me besim. Në situatën e krizës politike ku jemi përfshirë, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është e vetmja që ka frymë, që frymëzon të rinj e të vjetër, pasi Çështja Shqiptare është çështje e përparimit, e bashkimit e integrimit europian.
Jam i bindur, madje jo i bindur, por krejt i sigurtë që në zgjedhjet e 18 qershorit do të dalim me dyfishim të grupit të sotëm parlamentar, me dyfishim të deputetëve të PDIU-së në Parlament. Kanë vetëm një mënyrë që ta ndalin këtë vrrull të jashtëzakonshëm njerëzor, patriotik dhe politik që prej kohësh ka përfshirë Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Ata duan që mos të na numërojnë votën. Vetëm në këtë mënyrë mund të na mbajnë në suazën e një partie të vogël, e cila jo përherë të hyn në punë.
Ne jemi një parti elektorale dhe gjithmonë kemi mbijetuar, megjithëse na kanë vjedhur votën në mënyrë të padrejtë. Në zgjedhjet e fundit vendore sërish me një logjikë absurde, aspak të qëndrueshme ligjërisht nuk na e dhanë të drejtën që na takon, nuk zbatuan ligjin elektoral duke na hequr numëruesin. Ky ka qenë një shtrembërim i vullnetit të zgjedhësve, pra krim që ndiqet penalisht, të cilin e patëm “dhuratë” nga zonja Lefteri dhe forcat politike që e shtynin atë.
Kjo shkelje e rëndë, e cila është ndoshta e vetmja vërejtje e thënë copë në raportin e OSBE-ODHIR, po dëshirojnë ta përsërisin prapë. Me të njëjtin arsyetim prej peshku në akuarium dëshirojnë ta lënë PDIU-në pa numërues edhe në këto zgjedhje. OSBE-ODIHR ua thotë hapur, pa nënkuptime që kanë shkelur ligjin, këta thonë ta shkelim dhe një herë.
Por, kësaj here nuk i lejon më kush!
Që mos ta bëjnë më lojën e faktit të kryer, po jua them sot, ditën e fundit të shkurtit që njeri për shkurt Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet nuk i bie më! Nuk kërkojmë asnjë gjë që nuk takon. Kërkojmë numëruesin që na jep ligji. As kërkojmë të na fali njeri numërues, por thjesht të zbatojnë ligjin.
Kemi vënë në dijeni qysh tani partnerët europianë, OSBE-në, partnerët tanë në koalicionin e sotëm që këtu nuk luajnë dot ose përndryshe në aleanca rrenacake ne nuk qëndrojmë!
Parimin kërkojmë, zbatimin e ligjit.
Nuk po i vendosim kujt kushte portofolesh apo tenderash. Jo, thjeshtë duam të zbatojnë ligjin, ose as që e parashikojnë dot se çfarë ka bërë të ngjarë!
Të dashur miq,
Natyrisht kam shumë për të thënë ende, por tani jemi në një fazë të organizimit dhe takimeve intensive të PDIU-së që shumë biseda i bëjmë edhe në rrethe më të ngushta, në bërthamat e organizimit tonë partiak. Ndaj më shumë nuk po ju mbaj, por pres nga ju që më shumë të na mbani në terren neve, drejtuesëve të PDIU-së.