Nga Lorenc Vangjeli
Dy oficerë të lartë të policisë janë arrestuar nën dyshimet e përfshirjes së tyre në episode të ndryshme kriminale. Kryesisht ato të lidhura me kultivimin dhe trafikimin e drogës.
Një ish-zyrtar i mesëm lokal, në një rreth periferik të vendit, është në arrati prej rreth nëntë muajsh nën të njëjtat akuza. Ai nuk është arrestuar ende.
Një tjetër personazh i njohur i mediave, arrestuar fillimisht si i dyshuar për ndërhyrje në procesin zgjedhor në universitete dhe më pas, edhe për trafiqe të ndryshme, droge dhe influence, tashmë është nën hetim gjyqësor edhe për gjobëvënie.
Janë tre histori të ndryshme, por që i bën të ngjashme interpretimi i tyre. Në thelb ato do të ishin tre kronika të zakonta policore. Duhet të ishin pjesë e asaj që në zhargon quhet kronikë e zezë. Por, nuk është kështu. Në fillim e treta, pastaj e dyta dhe tashmë edhe e para, janë shndërruar në histori mirëfilltas politike. Kuptohen si të tilla. Trajtohen si të tilla. Dhe ndiqen si të tilla.
Në rastin e parë, për dy oficerët e policisë në Vlorë dhe Tepelenë, të arrestuar me kërkesë të prokurorisë së krimeve të rënda, u tha që kjo është shfaqja e një ndeshjeje “hakmarrjeje” mes institucionesh, që është përplasje mes Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë. Se është ndoshta edhe më shumë, pjesë e përplasjes mes segmenteve të ndryshme në mazhorancë. Një pjesë dërmuese e shtypit e beson një gjë të tillë, kurse për vetë opozitën nuk ka asnjë dyshim: ka vetëm krim me lidhje politike që shkojnë deri në zyrën e kryeministrit. Madje, për sasitë gjithmonë e në rritje të cannabis-it, kapur në Itali, Greqi, por edhe Shqipëri, opozita dëften vetëm një adresë pronari, dyshen Rama-Tahiri.
Edhe më e komplikuar është historia e dytë e Klement Balilit. Njeriu i cilësuar fillimisht nga media greke dhe i njohur tashmë më shumë se me emrin e tij, me epitetin “Eskobari i Ballkanit”, është në arrati dhe i shpallur në kërkim nga të gjithë. Nga politika, nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë, nga policia, prokuroria, miqtë, ish-miqtë dhe armiqtë e tij. Balili ishte një zyrtar i mesëm, në një zyrë vendore në Sarandë. Në një post të propozuar nga strukturat po vendore të LSI-së. Deri para zgjedhjeve të 2013-ës, ai dhe fisi i tij i gjerë njihej si përkrahës i fortë i PD-së. Ish-ministri i brendshëm i kësaj partie, sot kryetar i saj, zoti Basha, ka hedhur një firmë për privatizimin e pronës, ndoshta më të rëndësishme të Balilit, “Santa Quaranta”. Balili ishte ndoshta i rëndësishëm në qytetin e tij të origjinës, por në Tiranë emri i tij dihej nga shumë pak njerëz. Sot, për shkak të “magjisë së politikës” ai është shumë më i njohur se katër të pestat e trupës së “politikanëve profesionistë” në Kuvend. I njohur, madje si problem deri në Uashington, kur emri i tij u shqiptua në një takim zyrtar. Ka ndodhur kështu, sepse politika me mjete apolitike e trajtoi si patate të nxehtë. Dhe si një patate të nxehtë e armë lufte tentoi ta hedhë nga një dorë në tjetrën, me qëllim që të djegë dorën e fundit, ku do të mbeste, pa llogaritur se i ka mbetur në shpinë gjithë shoqërisë. Si të gjitha gjërat e ekzagjeruara, kur dëmi anësor është më i madh edhe se vetë dëmi i parë. Ndaj u nevojit të përgënjeshtrohej paradigma e hershme për nevojën e përdorimit të topave, edhe kur armiqtë realisht do të dukej të shiheshin si miza. Mbledhja e Këshillit të Sigurisë do të ishte e dobishme për të sqaruar pikërisht këtë lidhje të mundshme politike, por dhe si një tentativë për të mos lejuar përsëritjen në të nesërme të historive të tilla; dëshirën e përhershme të politikës për të shfrytëzuar krimin për epërsi të përkohshme politike.
Rasti i Emiljano Shullazit është klasik; është rasti tipik, kur politika ka skicuar portretin e tij dhe e ka bërë një personazh të dorës së parë për të thënat, të bërat, akuzat zyrtare dhe dyshimet që kanë shoqëruar “karrierën” e tij publike në vitet e fundit. Në vitin 2011 është akuzuar publikisht nga PS-ja në opozitë se ka ndërhyrë për llogari të PD-së në procesin elektoral të zgjedhjeve lokale për Tiranën. Në 2013, palët tentuan ta shkëmbejnë dhe plotpjestojnë afërsinë me të. Nga 2013-a e këtej, për PD-në nuk ka më dyshim, ai është Mili i PS-së. Se politika e ka krijuar, se politika e ka përdorur, se politika e ka mbrojtur si një faktor ekstrapolitik në zgjedhje politike.
Ka shumë arsye që kanë imponuar dekriminalizimin e politikës. E para, se ajo vetë u pozua si e kriminalizuar në segmente domethënës të saj, në pushtetin qendror dhe vendor. Largimi në dinamikë e sipër i disa deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe një numër domethënës në administratë, të majtë dhe të djathtë, dëshmuan atë që kishte kohë që ndodhte. Personazhe të papërshtatshëm (jo domosdo kriminelë, në kuptimin e plotë të fjalës), të cilët jepnin një dorë në fushata elektorale, tentuan, kërkuan dhe arritën të marrin krahun e politkës dhe të bëhen dhe vetë pjesë e të zgjedhurve. Duke u bërë më e dukshme, e papërshtatshmja u duk më qartë se ishte e tillë: një kupë e mbushur që ose do të thyhej, ose do të derdhej. Ndaj ndodhi dekriminalizimi. Si akti final i asaj që kishte kohë që ndodhte. Krimi shërbente një muaj dhe pastaj merrte me “koncesion” për katër vjet segmente domethënës të politikës.
Por, nëse dekriminalizimi, pjesa e dukshme e tij në politikë, është diçka që mund të mbyllej edhe me një ligj, qoftë ky dhe ende i diskutueshëm, ka një proces shumë herë më të rëndësishëm dhe absolutisht më të vështirë: ai është depolitizimi i shoqërisë shqiptare që e detyrojnë të shohë kudo dhe kurdo, një gjurmë të politikës. Që jeton me politikë dhe që var shpresat për ndryshim vetëm tek politika. Dhe jo pa faj. Dhe jo, sepse deri më tani nuk ka qenë kështu, që dielli vetjak i secilit në Shqipëri lind e perëndon, vetëm për shkak të politikës. Dhe siç tallej dikur një gazmore të vjetër me komunizmin, politika sot është si patatja, edhe bukë, edhe gjellë!
/javanews.al/