Nga Frrok Çupi
Ky ishte dëmi më i vogël që ndodhi sot.
Në historinë tonë të re kombëtare janë shënuar disa si kjo, kjo është vrasja e katërt “në gjueti”.
E para, ishte në “Gjahun e Malësorëve” që me sa duket ishin malësorë të Skraparit (edhe pse kanë emra Gjergj e Gjon), përderisa ngjarja zhvillohet në malin e Tomorrit. Konstandin Kristoforidhi e shkroi tregimin në vitin 1844, por që mundi ta shikojë dritën e botimit pas gjysmë shekulli. Sipas studiuesve, ka dy arsye pse nuk u botua deri atëherë: E para, se Kristoforidhi ishte i frikësuar ndaj skraparllinjve dhe prandaj ua transplantoi emrat, nga bektashinj në emra katolikë të Veriut (dhe kjo u quajt përrallë e pasinqertë). Dhe e dyta, se në tregim nuk ka konflikt, domethënë nuk ka vrasje, vetëm tentativë.
Vrasja e dytë, shënohet në një teatër amatoresk me gjuetinë e kryeministrit komunist, i cili vriste derra dhe poshtëronte njerëz.
Në vrasjen e tretë, që ishte prej vërteti, u vra kryeministri. Dhe, e katërta, tani, kur u “vra” ministri i Drejtësisë; nga e njëjta parti që vrau Mehmet Shehun. Partia Socialiste (ish-komuniste) sot vrau “gjahun” e shokut, domethënë, të aleatit. Tërë jetën, në kulisat bllokmene, kështu ka ndodhur.
Po të mos ishte “vrarë” Ministri i Drejtësisë që në mëngjes, mbrëmja mund të kishte ardhur shumë e rëndë.
Çfarë do të kishte ndodhur deri në mbrëmje?
1.
Në tentativën për të vrarë Klement Balilin, që është mision i të dy palëve, ka shumë frikë. Klement Balili, një viktimë e veprave shtetërore, mban me vete shumë fakte, shumë prova, shumë sekrete. Këtu në Shqipëri, siç thonë në të folmen gegnishte “asht ba nami” me krimin dhe me drogën këto pak vitet e fundit. Klementi iu ka shërbyer, dhe më në fund “e prenë në besë”. Sipas ligjeve në mafie, Balili është i destinuar për një fat shumë të keq. Me siguri ai e di këtë, por nuk ka ku të dorëzohet. Gruaja e tij tha po kështu, publikisht: “Ku të dorëzohet burri, te politika?…”. Me siguri kjo provë është shënuar në analet e studiuesve kriminalë botëror.
2.
Të dy palët, pa dyshim, e dinë vendndodhjen e të kërkuarit Klement Balili, i shpallur nga shteti fqinj si “Escobar i Ballkanit”. Po të mos ishte kështu, Ilir Meta nuk do t’i kërkonte Presidentit të Republikës që të mblidhte Këshillin e Lartë të Sigurisë “për të kapur” Balilin… Por, sepse qeveria e socialistëve mund ta përdorë Balilin që të flasë çfarë di për Metën. Për t’i mbyllur gojën, sillet në qeli, ku flet me “prokurorët”, jo me Ramën… Po të mos ishte “vrarë” ministri i drejtësisë (i LSI) sot në mëngjes, do të kishte shanse që të zbatohej skema e Metës që me dorën e Presidentit të kontrolloheshin dëshmitë e Balilit. Prandaj, kryeministri vrapoi qysh në mëngjes në zyrën e kryetarit Meta për të kërkuar kokën e ministrit Manjani. Kryeministri ka menduar se fitoi, por në fakt ka thelluar greminën e tij.
3.
LSI e Ilir Metës bëri një hap të favorshëm për integritetin e saj. Shumë kush tha “humbi Meta”, sepse rivali i “vrau” një ministër. Me siguri Ilir Meta ka qeshur dhe ka heshtur, pse skema funksionoi në dobi të tij. Shkarkimi i ministrit të Drejtësisë, Manjani nga dora e kryeministrit, është provë në dorë të aleatit numër Dy qeverisës. Që sonte, me siguri, Ilir Meta ka tentuar të kontaktojë me aleatët e mëdhenj perëndimorë, ku hyn edhe Amerika; dhe t’u provojë që kryeministri po shkarkon ministrat, të cilët e kanë denoncuar për lidhjet e Policisë me krimin, për “urdhrat fiktivë të kryeministrit në vjedhjen e fondeve”, për ndërhyrjen në Drejtësi, e kështu me radhë. Ylli Manjani ishte më aktivi në denoncimin e mbjelljes së vendit me drogë nën kujdesin e policisë, për aferat e rënda korruptive, për “moçalin” e qeverisë.
4.
Gjithë ngjarja e “Gjahut të… qeveritarëve”, (jo e Kristoforidhit) ka një lidhje me Perëndimin, sidomos me Shtetet e Bashkuara. “Vrasja” e ministrit ishte më e vogla që ndodhi sot dhe që shpëtoi ngjarje të tjera tronditëse. Sot, mund të ishte kapur Klement Balili, ose jo kapur i gjallë… Sot, mund të ishte rrëzuar qeveria…. Sot, aleati numër Dy kishte shansin ta dërgonte vendin në qeveri teknike. ku garantoheshin zgjedhje më të ndershme. Por, u zgjodh gjëja më e thjeshtë: Manjani.
Në qeveri ka shumë nervozizëm dhe nxitim – siç e shikoni me ditën e sotme. Njëri nga aleatët, LSI po nxiton për t’i dhënë besim administratës së re të Presidentit Trump në Amerikë. Por, nis një hap… dhe kthehet, nuk ka siguri. Nis të rrëzojë qeverinë e Ramës, por pendohet… Kjo dëshmon që akoma nuk ka kontakte me administratën amerikane… Por, ndërkohë aleatin Rama e kërcënon, sepse e di që kryeministri nuk mund të bëjë as edhe një thirrje telefonike në Amerikë. Europa “e tij” Merkel është në punën e saj. Erdogan i Turqisë nuk po arrin ta zbatojë “neo-otomanizimin e tokave shqiptare” sipas planit Soros – Rama – Thaçi. Aleati Meta është shumë më përpara në taktikat gjeopolitike dhe diplomatike; por krejt i pasigurt, megjithëse tha (pastaj e tërhoqi) se ka porosi “nga Amerika”…
Megjithatë, vetë nuhasin se ka ardhur fundi i kësaj lloj qeverisjeje. Era e ndryshimit, në Amerikë dhe në Europën Perëndimore, i merr me vete.
Këtej vjen nervozizmi dhe nxitimi që i çon në “vrasje” si të Kristoforidhit: “Kaf kuf, ham, bam!…”.
/veritas.com.al/