Nga zëvëndës i kryeministrit komunist, Adil Çarçani tek ministri më i rëndësishëm i qeverisë “Rama”. Karriera e dibranit mes dy sistemeve
Mund të quhej edhe i fundmi “komunist” në qeverinë e Ramës, Shkëlqim Cani. Por do të duhej të bëhej një analizë e thelluar për të sqaruar këtë për shkak se në qeverinë Rama mund ta meritojnë këtë emërtim edhe të tjerë ministra, nëse i referohemi prejardhjes së familjeve të disa ministrave në kabinetin qeveritar. Ka prej tyre pinjoll të ish-anëtarëve të Byrosë Politike të PPSH-së. Vetë kryeministri është nip i anëtarit të Byrosë Politike, Spiro Koleka, dhe bir i anëtarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor në kohën e PPSH-së, Kristaq Rama. Ditmir Bushati gjithashtu është bir i njërit prej anëtarëve të Komitetit Qendror të PPSH-së, Sul Bushati, etj.. E tillë është elita politike në Shqipëri, ka nga këta majtas por edhe djathtas politikës.
E quajtëm të fundmin e socialistëve sepse në qeverinë “Rama” nuk kanë mbetur socialistë që e ndërtuan karrierën e tyre në 15 vitet e para postkomuniste në Shqipëri, kohë kur janë kryer reformat për modernizimin e kësaj partie. Në qeverinë “Rama” janë socialistët e rinj që e kanë nisur aktivitetin politik në vitin 2005 e këtej.
Shkëlqim Cani ishte i vetmi i kohës së senatorëve socialistë. Cani u shkarkua dje nga posti i Ministrit të Financave në mënyrë të papritur nga kryeministri Rama.
Erdhi në qeverinë e tij me një premtim të madh politik, të ndërtonte Rrugën e Arbrit. Kur Edi Rama e prezantonte si deputet të Dibrës para zgjedhjeve të 2013-ës në Peshkopi do të shprehej se Cani i “ka vënë kusht” për bashkëpunimin e tij politik angazhimin e Partisë Socialiste për ndërtimin e Rrugës së Arbërit. Ndër premtimet e tjera që Rama e Cani bënë së bashku në atë kohë ishin se Bulqiza dhe menaxhimi i kromit në interes të banorëve të zonës do të ishin prioritet i Partisë Socialiste. Të dy premtimet patën fatin e njëjtë me atë të viteve të mëparshme, rruga nuk u bë e Bulqiza është në mos më shumë, po aq e varfër sa më parë.
Nga 2013-a, koha e zhurmës dhe baterive të karikuara të fushatës ka rrjedhur shumë ujë. Shkëlqim Cani u bë ministër Financash, aty ku nuk kishte më mirë se të realizonte premtimin sidomos për Rrugën e Arbrit. Mbase ai as vetë nuk kishte besuar në premtimet që bënte. Nuk dimë sot se kujt nuk i besonte më shumë, premtimeve tw tij apo Edi Ramës. Doza e tij e mosbesimit ishte publike. Ai qe i vetmi që sfidoi publikisht Edi Ramën duke mos e dorëzuar mandatin e deputetit siç bënë të gjithë kolegët e tij të tjerë ministra. Koha tregoi se kjo ja vlejti. Pasi të dorëzojë zyrën për “kolegun e tij më të afërt” Arben Ahmetajn, do të jetë së paku një deputet i thjeshtë i socialistëve, por që mban mbi shpinë një karrierë të gjatë e të pasur si në aspektin profesional ashtu edhe në atë politik.
Në ditën e Shëngjergjit të këtij viti Shkëlqim Cani mbush fiks 60 vjeç. Ai ka lindur në Tiranë, por është bir i një dibrani, i cili deri pak kohë më parë ka qenë aktiv me shoqatën e tij të konsumatorëve. Lidhjet e hershme të dibranëve e patën sjellë në Tiranë ku edhe djali i tij do të mbaronte shkollimin e lartë për financë.
Në vitin 1980, Shkëlqim Cani do të linte auditorët e Fakultetit të Ekonomisë si student për të mbetur po aty, por si profesor.
Në vitin 1985 ai u emërua në postin e parë, si Drejtor i Departamentit të Jashtëm në Bankën e Shtetit Shqiptar. E mbajti atë postin deri më 1990, vit kur u emërua drejtor i Përgjithshëm i Bankës Shqiptare të Tregtisë. Në Shkurtin e 1991 ai u emërua si numri dy në qeverinë e fundit komuniste të drejtuar nga Adil Çarçani. Qeveria ra për 22 ditë, për shkak të protestave masive që kishin mbërthyer Shqipërinë në procesin e rrëzimit të komunizmit. Iku Adil Çarçani por Cani mbeti në të njëjtin pozicion, si zëvëndëskryeministër në qeverinë e drejtuar nga Fatos Nano, me të cilin nisi një bashkëpunim që do të zgjaste me vite.
Por viti i trazuar 1991 do të sillte në drejtim disa qeveri. Erërat po frynin në drejtim tjetër. Cani do të rikthehej vetëm për pak kohë në profesion, aty ku ishte, por tashmë si zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Bankës Shqiptare të Tregtisë.
Karriera e tij në 5 vitet në vazhdim do të lidhej me Kuvendin. Ai u zgjodh deputet i Partisë Socialiste në dy legjislatura. Në zgjedhjet e 26 majit 1996 si për shumë socialistë të tjerë do të ishin një shembje edhe për Shkëlqim Canin. Në mars të atij viti ai është pjesë e listës së Komisionit të Kontrollit të Figurave “Mezini”.
Ishte mes 35 të përjashtuarve nga kandidimi përkrah Servet Pëllumbit, Gramoz Ruçit, Kastriot Islamit, Dritëro Agollit, Sabit Brokajt, Leontiev Çuçit, Fehmi Abdiut etj. 22 ditët si zëvendës i Adil Carcanit e penalizuan por vetëm për një kohë të shkurtër. Cani u rikthye në Kuvend përsëri në vitin 1997 si deputet i PS-së. Përsëri për të qëndruar pak kohë aty. Lidhja e hershme me Fatos Nanon, që tashmë ishte rikthyer si kryeministër do ta çonte atë drejt një mandati 7 vjeçar si Guvernator i Bankës së Shqipërisë. U rikthye aty ku e kishte nisur, por tashmë në majë. Në fakt kishte arritur atë që kishte synuar prej kohësh. Gjatë viteve të angazhimit në politikë u specializua jashtë vendit, një rrugë që e kishte nisur që në vitin 1985 me kursin për instrumentet bankare në Vjenë. Në 1991 kishte fituar gradën shkencore “Doktor në Ekonomi”. 12 vjet më vonë fitoi edhe titullin “Profesor”.
Vitet e drejtimit të Bankës së Shqipërisë u kthyen në një prej zyrtarëve me protagonist të kohës. Ai drejtoi fushata të shumta për stabilizimin e ekonomisë, të çmimeve si edhe për luftën kundër informalitetit. Të kësaj kohe janë edhe batutat-këshilla të mikut të tij Nano “kujdes se mos presësh degën ku ke vënë këmbën”!
Kalkulimet politike ku ishte përfshirë edhe miku i tij Nano, bënë që të humbasë në pretendimin për një mandat të dytë guvernatori. Zyrën ia lë ish kolegut të tij të hershëm Ardian Fullanit, me të cilin iu desh përsëri të shtrëngojë duart për muaj me radhë kur ai gëzonte mandatin e dytë të Guvernatorit.
Pas 2004 ai qëndroi me një këmbë në profesion e me tjetrën tek Partia. Edi Rama e pati një ndër këshilltarët e afërt për financat. Kështu që marrja e postit të ministrit të Financave në qeverinë e pas 2013-ës nuk çuditi askënd. Por për habi as largimi i tij pas gjithë atyre që kanë ndodhur në këto dy vjet e gjysëm nuk ka çuditur njeri. Ai e kishte paraprirë fatin e vet.