Nga Enkel Demi
Para disa ditësh disa deputetë, mes të cilëve dy socialistë, kërkuan që të ngrihet një Komision i Posaçëm Parlamentar për zbardhjen e Çështjes Çame. Ky komision do të bëjë për herë të parë publikë dokumentat arkivorë, historikë, por edhe dëshmitarët e mbijetuar të genocidit. Ndryshe nga sa parashikohej udhëheqës parlamentarë të shumicës në qeveri dhe pakicës në opozitë, nuk e fshehën skepticizmin e tyre për ngritjen e këtij Komisioni, i cili ka për qëllim zbardhjen për herë të parë në Kuvend të një tragjedie shqiptare. Ligjvënësit kundërshtues u munduan fillimisht ta shtyjnë ngritjen e tij me justifikimin absurd se Kuvendi nuk ka përvojë në ngritjen e komisioneve të posaçme, ndaj duhet ngritur një komision hetimor. Ideatorët e këtij aksioni politik e pranuan edhe këtë ide, meqë në këtë rast përvoja nuk na bëhet pengesë. Është ngritur dikur një komision hetimor për zbardhjen e masakrës së Tivarit, i cili mbeti në kalendat greke. Gjithsesi, tash pritet që kryesisht shumica në qeveri të ndajë mendjen për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë. Kjo pritje përkon me një sulm frontal mediatik, rrjetesh sociale dhe politik, ku Çështja Çame po rivendoset në kryqin e ndëshkimit. Faktori politik që mbështet Çështjen Kombëtare, ku Çështja Çame është e dalluar, gjendet në trysninë e sulmeve mediatike, të cilat nisin që me dekriminalizimin dhe përfundojnë me punët e integrimit.
I marrim me radhë. E para, është kërcënimi i llojit konsipirativ që mes ligjvënësve që mbrojnë këtë çështje ka njerëz me njollë. Për ta vërtetuar këtë, një ish-deputet i PD-së, i faturohet PDIU-së. Ky manipulim i opinionit publik mund të ndodhë, sepse mjafton të bësh biografinë e shkuar të dikujt ose një gabim shypi dhe të shtosh vetëm dy gërma “IU”. Dëshira për të zbuluar “njolla në biografi” është e vjetër për shqiptarët e Çamërisë dhe u kujton kohët e dikurshme të komunistëve. Dikur pas ekzekutimit të Teme Sejkos dhe Tahir Demit, të ishe çam, do të thoshte të ishe me “njollë”, ndaj i gjeje shumicën dërrmuese pa shkollë, në katet e para të banesave, të internuar, të degdisur e padyshim në birrucë. Asnjë nga familjet tona, nuk shpëtonin pa një të afërm brenda, tek “shtatë penxheret”. Kriminalizimi i shqiptarëve të Çamërisë ishte një mënyrë efikase e sistemit të kuq për të justifikuar parimin e dy popujve miq. Tek e fundit, grekët kishin kryer një koloni ndëshkimore ndaj një komuniteti kriminel. E njëjta gjë ndodh dhe sot. Mëtonjësit e kësaj teorie, të cilët me kast marrin të shkëputur krijimin e një grupi parlamentar nga konteksti i zhvillimeve politike të vitit 2013, kanë hall të hedhin në gjirizin e krimit një histori genocidi e persekutimi, e cila vazhdon sot e kësaj dite.
E dyta, është integrimi në BE dhe droja mos Greqia na vendos veton prej Çështjes Çame, ndaj përse duhet ta zgjojmë ariun që fle gjumë? Në fakt, nëse Greqia do ta vendoste veton për Çështjen Çame, kjo do të ishte fitore për të gjithë shqiptarët, sepse njohja e kësaj çështje nga Athina shtetërore do të kryhej zyrtarisht, por kjo nuk ka gjasë të ndodhë. Në Greqi nuk ka kaq shumë amatorë, sa alarmuesit politiko-mediatikë të Tiranës. Këtë besoj e dinë edhe ish-ministra të jashtëm apo kryetarë të grupeve parlamentare që pengojnë ngritjen e këtij komisioni hetimor. Gjithsesi, shashka e vetos greke mund të plasë, por jo për Çështjen Çame dhe kjo duket sheshit; 15 shtëpitë e Himarës janë sebepi. Nëse pas këtyre shtëpive grekët fshehin Çështjen Çame, kjo nuk merret dot parasysh në agjendën parlamentare, sepse politika në këto nivele nuk bëhet me të thëna në vesh. Nga ana tjetër, stuhia mediatike se këta shqiptarët e Çamërisë po na lënë pa hyrë në Europë ngjan si dy pika uji, kur ankoheshim që nuk duhet të ndjehemi për Kosovën në vitet e para ’90, pasi na prishej puna me Europën që nuk do konflikt në Ballkan. As atëherë hymë, as sot kemi për të hyrë në Europë, me ç’duken bathët.
E fundit, nëse pengesat për ngritjen e këtij Komisioni janë të pakalueshme, mund të rikthehemi në situatën e katër vjetëve më parë, kur propozohej Rezoluta për shqiptarët e Çamërisë në Kuvend. Kryeministri i asaj kohe i propozoi PDIU-së, postin e Ministrisë së Ekonomisë, në mënyrë që Rezoluta të lihej mënjanë. Ky post (padyshim mjaft joshës) nuk u pranua dhe Rezoluta përcaktoi ekulibrat e koalicionit që doli në zgjedhje. Megjithëse indikatorët flisnin për një humbje të sigurtë, ligjvënësit e “pabesë” të Çamërisë vendosën të fitojnë Rezolutën dhe të humbin në aleancë zgjedhore. Sot, i kërkohet Komisioni Hetimor, kryesisht një shumice që e ka në programin e saj qeveritar Çështjen Çame. A do e lejojë kjo qeveri që ky komision të kthehet në test politik, i cili duhet se nuk shkëmbehet si monedhë?