Halimi: Kryeministri presion Gjykatës Kushtetuese për 150 shkeljet e deputetit të tij
Partia Demokratike deklaroi sot se kryeministri Rama po i bën presion Gjykatës Kushtetuesë që të mos zbardhë vendimin për 150 shkeljet e deputetit Koço Kokëdhima. Deputeti demokrat Eduard Halimi tha se me ndërhyrjet e tij, Edi Rama po pengonr kështu drejtësinë, duke dalë në krah të korrupsionit. PD pretendon se deputeti socialist, i njohur si mik i ngushtë i kryeministrit, është kapur me 150 shkelje të Kushtetutës, me 150 pagesa të paligjshme financiare të parave publike për biznesin e tij. “Ndonëse Gjykata Kushtetuese e shpalli anti-kushtetues këtë vendim të parlamentit, që në nëntor të vitit të kaluar, përmes presionit të Edi Ramës po vonohet zbardhja e tij.
Rasti Kokëdhima është shembulli i korrupsionit me fondet publike të njeriut pranë kryeministrit, është shembulli i kapjes së shtetit, shembulli i oligarkut qeveritar që qëndron mbi ligjin. Ky është rasti që në frymën e prioriteteve që ka vendi për luftën ndaj korrupsionit dhe reformimit të drejtësisë, në frymën e mesazhit të theksuar dje nga Sekretari Kerri, Gjykata Kushtetuese të tregojë pavarësi nga kryeministri e të hapë rrugën e drejtësisë”, tha Halimi.