Nga Enkel Demi
John Kerry nuk gjeti kohë për Bujar Nishanin, por u ul të bisedojë me komunitetin gay në Tiranë. Tre orët e vizitës së tij shkuan me disa rezultate konkrete. Gati 2000 muxhahedinë do të vijnë si mysafirë në Shqipëri. Në këtë pikë e gjithë politika shqiptare ka qenë dakord. Më shumë se sa tradita e mikëpritjes kësaj here është trysnia e vëllait të madh.
Ka qenë një vizitë që nisi me pak vonesë dhe e bëri Presidentin e Republikës të presë pak gjatë në pistën e aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas. Nuk e di nëse kjo pritje ia vlejti, sepse kreu i shtetit veç sa shkëmbeu dy batuta të shkurtra në këmbë me Sekretarin e Shtetit. Ndoshta një takim për së mbari në sallën VIP të Rinasit mund ta ketë hedhur në erë vonesa e Air Force 2, ndoshta ky takim nuk ishte parashikuar fare. Gjithsesi, si ndodh rëndom në kësi rastesh bëhemi shpesh qesharakë. Kushdo duhet t’i kujtojë lëvizjet gati akrobatike të Edi Ramës të shtrëngonte dorën e George Bush në Tiranë dhe meqë foto e rastit nuk kishte dalë gjë, sepse Blerta Kambo në atë kohë nuk punonte për të, u sajua ajo vjedhja e orës në Fushë Krujë.
Nejse, sot Edi Rama është i zoti i shtëpisë dhe me të drejtë tërhoqi reflektorët. Përdori gjithë karizmën e tij për t’i bërë magji John Kerry-t. Ja tregoi të gjitha muret e pikturuara të qeverisë, bibliotekën dhe u soll me profesionalizëm si yes man. Çdokush në vendin e tij do të kishte bërë njësoj. Kryeministri dha fjalën se në mars, pas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, në Kuvend do të kalojnë ndryshimet Kushtetuese. Është me interes të dihet nëse kryetari i Kuvendit është krejt dakord me këtë parashikim tejet të guximshëm të kreut të qeverisë, i cili me mund fshihte entuziazmin gjatë konferencës për shtyp.
John Kerry nga ana e tij nuk i kurseu fjalët e mira për qeverinë dhe Ramën, gjë që tregon se Rama ia ka dalë ta bëjë për vete pak a shumë si Merkelin në Tiranë do kohë më parë, me të njëjtat instrumenta, pak art, pak batuta dhe shumë sqimë në komunikim e veshje.
Kurse Lulzim Basha u paraqit në takim me idëne që mos të shiste, ndaj duket nuk ka blerë. I kompleksuar nga çështja e Byrosë së Hetimit, nervozizmin që shkaktoi tek ndërkombëtarët dhe brenda partisë, Lulzim Basha zgjodhi të flasë me parrulla, ndaj duket në atë breg e lanë dhe pas takimit.
Tani pas kësaj vizite palët do të grinden se kujt i dha të drejtë John Kerry, i cili qëllimin e vizitës së tij e arriti me sukses. Donte të na linte në derë 2000 muxhahedinë dhe na i la. Për të tjerat është Donald Lu, i cili mori lëvdata nga njerëzit në bulevard.