Sheshi “Skënderbej” po ribëhet sërish duke iu përafruar konceptit të projektit të parë italian të tij. Ky shesh nuk është thjesht një shesh prej betoni. Ai lidhet me momente kulmore të historisë së këtij vendi.
Pikërisht aty ku diktatura kishte krijuar simbolet e saj të adhurimit, shqiptarët do të ndërtonin lumenjtë e protestës në kërkim të lirisë dhe demokracisë.
Po pse çdo pushtet ka dashur të lërë gjurmën e tij në këtë shesh dhe si ka ndryshuar fytyra e Tiranës në 100 vjet?!
Sot Tirana është pa qendër. Fadromat dhe eskavatorët po punojnë prej disa javësh për t’i dhënë një pamje të re, sipas projektit të miratuar nga Edi Rama kur ishte kryebashkiak që po zbatuar nga pasardhësi i tij, Erion Veliaj.
Çdo banor i Tiranës uron që kjo të jetë hera e fundit që ndërhyhet në këtë shesh, jo vetëm për paratë e taksapaguesve që përdoren për çdo prishje dhe rindërtim, apo trafikut tëçmendur që shkaktohet si pasojë e punimeve, por dhe për të pasur më në fund një fytyrë të kryeqytetit, një fytyrë që mund të stampohet nëpër kartolina apo të na përfaqësojë në google kur kërkon me emrin Tirana.
Rikthimi në identitet
Tirana është një qytet i ri. Ajo u bë qytet atëherë kur mori dhe statusin “kryeqytet” që përkon me vendosjen e Qeverisë së Kongresit të Lushnjës në janar 1920. Vetëm disa vite para se të shpallej kryeqendër kishte nisur të projektohej imazhi i një qyteti të madh. Gjatë pushtimit austro-hungarez të qytetit, në vitet e Luftës së I-rë Botërore u hodh ideja e një sheshi të madh që mori emrin Sheshi “Skënderbej”. Puna e parë ishte lirimi i hapësirës së zaptuar nga baraka, dyqane të vogla dhe ferra për të arritur në një vizion më të qartë të asaj se ç’do të bëhej me këtë hapësirë disa vite më vonë me pajtimin e arkitektëve italianë të sjellë nga qeverisja e Ahmet Zogut.
Pikërisht konceptimi i arkitektëve italianë është dhe piktakimi mes Mbretit Zogu i I-rë dhe kryeministrit socialist, Edi Rama.
“Fati i Tiranës, ndryshe nga ai i qyteteve të tjera, është se Tirana nuk duhet të ndërtojë një shesh nga e para. Tirana vetëm duhet të demokratizojë një hapësirë të konceptuar kohë më parë nga dy arkitektë të famshëm, ata të cilët i solli këtu Ahmet Zogu” – do të shprehej gati një shekull më vonë “pasardhësi” i Zogut në pushtet gjatë prezantimit të planit të ri për rindërtimin e këtij sheshi.
Po të krahasohet nga fotot e asaj periudhe me atë të projektit që po zbaton Rama syri nuk të kap ndonjë ngjashmëri të madhe, por ka disa elementë që e lidhin me projektin e vjetër; fakti që do të jetë vetëm për këmbësorë dhe rikthimi i shatërvanëve.
Vizioni i arkitektititalian Florestano de Fausto, që projekti këtë shesh në kohën e Zogut me synimin që nga qendra të shiheshin me sy të lirë kodrinat rreth e rrotull është i pamundur të realizohet, pasi vizioni i Ramës ka sjellë rrotull sheshit qiell-gërvishtësa shumëkatësh. Pjesa tjetër e qytetit është pushtuar nga ndërtimet pa kriter gjatë viteve të tranzicionit.
Pushteti dhe Sheshi
Nuk mund të gjendet një qendër qyteti tjetër në botë që të ketë ndryshuar fytyrën sipas vizionit të atyre që e pushtonin me luftë apo zgjidheshin me votë. Imagjinoni çdo të kishim sot nëse Firence, Venecia apo Londra do të kishin ndryshuar qendrat e tyre sa herë të kishte zgjedhje?! Kryeqendrat europiane duken sikur kanë ngrirë në kohë.
Por jo Tirana! Edhe një shekull pasi u shpall kryeqytet ajo vazhdon të ndryshojë pa krijuar akoma identitetin e saj të kartolinës së Vitit të Ri.
Pas Ahmet Zogut pati një tjetër ndërhyrje gjatë pushtimit italian kur arkitekti tjetër italian, Gherardo Bosio projektoi zmadhimin e tij. Ai hodhi idenë e shkatërrimit të bashkisë së vjetër në favor të zgjerimit të sheshit.
Kur lufta mbaroi dhe në pushtet erdhën komunistët, patën kohën e mjaftueshme për t’i dhënë atij fytyrën e ndërtimeve tipike socialiste, por nga ana tjetër duke ruajtur deri diku linjat e planeve italiane. Fillimisht shteti komunist e kufizoi sheshin me Pallatin e Kulturës, ku u ftua presidenti sovjetik Nikita Hrushov të vinte tullën e parë.
Më pas komunistët prishën bashkinë e vjetër dhe në vend të saj ngritën Muzeun Historik Kombëtar, fasada e të cilit vazhdon t’i ketë peshën kryesore në imazhin e tij, duke i vënë kësisoj vulën e një qyteti ish-socialist. Dashuria e diktaturës komuniste me Kinën çoi në projektimin e 15-katëshit të famshëm, si mburrja e fundit që komunizmi bënte mbi këtë shesh për t’ia lënë vendin më pas amullisë që solli me vete tranzicioni politik.
Ndërhyrja e fundit…apo e radhës?!
Ky shesh nuk është thjesht një shesh prej betoni. Ai lidhet me momente kulmore të historisë së këtij vendi. Pikërisht aty ku diktatura kishte krijuar simbolet e saj të adhurimit, shqiptarët do të ndërtonin lumenjtë e protestës. Ky vend do të mbetet në historinë fotografike si hapësira fizike ku shqiptarët u derdhën si lumë në kërkim të lirisë dhe demokracisë. Fotoja e mijëra njerëzve me duart lart në ngazëllim për demokraci mund të jetë fotoja më përfaqësuese e shërbimit që ky shesh i ka bërë Shqipërisë.
U përdorur më tej pabesisht për protesta opozitare, si nga e majta dhe nga e djathta, dhe mitingje partiake gjatë demokracisë së brishtë shqiptare deri ditën që një kryebashkiakutë ri, kontravers, piktor, i lindi i ideja ta ndryshonte sërish. Edi Rama ishte i pari pushtetar pas ’90-ës që vuri dorë mbi sheshin, duke hapur kantiere ndërtimi, pak para se të përfundonte mandatin e tij të tretë dhe të fundit në krye të Bashkisë. Pasardhësi i tij demokrat, Lulzim Basha, sapo erdhi në zyrë e braktisi projektin “Rama” dhe mbushi sheshin me pemë, stola dhe bar e mandej ngriti dhe një kodër prej dheu para monumentit të Heroit Kombëtar. Pamja që mori sheshi u kritikua mjaft nga ekspertë të fushës dhe u tall për formën që kishte kur shihej nga lart.
Ky shesh i krijuar nxitimthi nga Basha, përveç statujës së Skënderbeut, nuk ruante asnjë tipar nga koncepti i tij i parë, as shatërvan dhe as të qënit pedonale. Fill me ardhjen e Veliajt në bashki, Rama iu rikthye projektit të vjetër, por këtë herë me disa risi që duken më shumë si gjetje PR-i. Gurë dhe pemë të sjella nga gjithë zonat e Shqipërisë dhe nga Kosova që do të shërbejnë për ndërtimin e tij edhe si një pikë-takimi mes historisë dhe kulturës së trevave shqiptare. Sipas vizionit të fundit, hapësira do të kthehet për njerëzit, do të ketë dhe shatërvan, por të një stili modern. Sheshi do të zgjatet me Bulevardin e ri, si dhe do të zgjerohet me dy sheshe te tjera, njëri me kinema e galeri dhe tjetri me Qendra Tregtare.
/tesheshi.com/