Deputetja socialiste bashkë me kolegen, Mimoza Hafizi, kërkojnë që në Kongres të përcaktohet data e zgjedhjeve për kryetarin e PS
Deputetja socialiste Arta Dade, i është bashkuar koleges së saj, Mimoza Hafizi, në mbështetje të Ben Blushit. Përmes një letre drejtuar kryetarit të Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, Dade e Hafizi kërkojnë që kryetari i Partisë Socialiste të zgjidhet me parimin një anëtar një votë. Dade e Hafizi kërkojnë që para Asamblesë të njihen me ndryshimet në statut dhe të jetë Asambleja që të përcaktojë rendin e ditës për Kongresin e 19 marsit.
Dy deputetet socialiste mbështëse të rivalit të Ramës në PS, kërkojnë që në Kongres të përcaktohet data e zgjedhjeve për kryetarin e PS, të paraqitet platforma për kandidatin dhe t’i lihet një muaj kohë pas Kongresit garës për kreun e socialistëve. Dy deputetet socialiste kanë drejtuar të njëjtën letër edhe Komisionit të Garancive Statusore.