“O skllav o armik.. edhe Stalini do ia kishte zili këtyre kokoroçëve”… Deputetja flet për modelin stalinist që partitë politike po sjellin në demokracinë e sotme
“Lulzim Basha është njeriu i fundit që mund të flasë për demokraci ose për zgjedhje të lira, pasi vetë ai është zgjedhur në mënyrë ekstra statutore.” Kështu i është përgjigjur, ish-deputetja demokrate Mesila Doda, kritikave të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, për demokracinë e brendshme në PS.
Në një intrevistë për “Gazeta Shqiptare”, Doda argumenton pse në PD nuk ka demokraci të tillë dhe pse kryetari i saj nuk mund t’i bëjë moral kundërshtarëve në këtë pikë.
“Nuk kam asnjë dëshirë ose interes të merrem me çështjet e brendshme të PS, por anëtarët dhe deputetët e saj kanë të gjithë të drejtën që ta bëjnë këtë debat të brendshëm. Kjo vetëm e shëndosh demokracinë. Përsa i përket akuzave të zotit Basha, ç’të them…? Ai është njeriu i fundit që mund të flasë për demokraci ose për zgjedhje të lira, pasi vetë ai është zgjedhur në mënyrë ekstra statutore. Por, edhe zgjedhjet për strukturat e tjera si ato për FRPD-në janë bërë në shkelje statutore. Tek e fundit kjo është çështje e tyre, por ajo që më shqetëson është modeli stalinist që partitë politike po sjellin si model në demokracinë e sotme. O skllav … o armik.. edhe Stalini do ia kishte zili këtyre kokoroçëve”, thotë deputetja Doda në intervistë për Gazeta Shqiptare.