Qëndrimi i komisionerit për zgjerim në BE Johannes Hahn dhe reagimet e ashpra të Ministrisë së Jashtme greke. Çështja Çame për herë të parë përflitet në Bruksel. Rruga që çoi në faktin për ta njohur si problematikë për t’u zgjidhur mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe zërat e një komuniteti që përjetoi gjenocide 71 vite më parë.
Nga Sebi Alla
Çamët e vjetër, të rinj dhe ata që do të vijnë nga kjo brezni e këtij komuniteti, do e mbajnë mend mirë një emër, atë të Johannes Hahn, politikani që mban postin e komisionerit për zgjerim të BE-së, që trazoi Athinën zyrtare për një çështje që edhe emrin nuk duan t’ia dëgjojnë, jo më ta pranojnë. Genocidi ndaj popullsisë çame e ngritur nga Shqipëria dhe zgjidhja e saj si çështje mes dy vendeve fqinje, është sinjali se për herë të parë në “mexhlisin” e Europës në Bruksel, u njoh si problematikë. Ishte eurodeputetja greke Maria Spyraki ajo që kërkoi mendimin e Hahn për disa protesta apo aktivitete të PDIU-së që mbështet kauzat çame, por nga komisioneri mori përgjigjen që nuk deshi kurrë ta dëgjonte. Ai theksoi faktin që çështja e ndarjes së detit dhe ajo çame duhet të diskutohen mes palëve dhe BE mbështet dialogun. “Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë intensifikuar, gjithashtu edhe dialogu politik është formësuar më mirë. Komisioni mirëpriti faktin se të dyja vendet po diskutojnë krijimin e një mekanizmi të përbashkët, që do të mblidhet në mënyrë periodike, për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dypalëshe. Këtu përfshihet përcaktimi i shelfit kontinental dhe zonave detare shqiptaro-greke, të drejtat e personave që u përkasin minoriteteve dhe çështjen çame. Komisioni ka përgëzuar këto përpjekje, duke shprehur mirënjohjen për ripërtëritjen e një angazhimi të tillë të rëndësishëm diplomatik dypalësh”, deklaroi Hahn. Qëndrimi i tij ngjau si bombë në Athinë, që rendi me të gjitha forcat të përgjigjej flakë për flakë, vetëm pse u përmend emri Çamëri. Nëse për shelfin kontinental në ndarjen e detit Greqia është më e përmbajtur, kur bëhet fjalë për Çështjen Çame ka tjetër qëndrim, pasi nëse një ditë vërtet do hapen dosjet, vrasjet masive, djegiet e dhjetëra fshatrave dhe shpërngulja e dhunshme e mijëra banorëve, nuk ka emërtim tjetër përveçse genocid.
Athina hakërrehet ndaj Hahn
Një shtet me fuqi të pakta si Shqipëria, e kompleksuar deri në inferioritet absurd para fqinjëve, ishte gati e përulur sa herë që diskutohej për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë, të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. U ngritën memoriale për ta kudo që u kërkua në vendin tonë, sa herë minoritarët grekë në Shqipëri ngrinin zërin, Athina zyrtare nuk ngurronte të zgjaste duart, deri në çështje që i përkisnin politikës shtetërore shqiptare. Ndërsa “dosja çame” duhej harruar, mundësisht mos përmendej kurrë, pasi nëse kjo do të ndodhte, në rastin më të mirë vinte një notë proteste në rrugë diplomatike. Çështja Çame, e përmendur nga komisioneri për zgjerim Hahn si problematikë që duhej zgjidhur mes dy vendeve, u tha në Bruksel, ndaj edhe qëndrimi i qeverisë greke shkoi deri në etiketimin e komisionerit si gënjeshtar dhe të njëanshëm.
“Deklarata e komisionerit Johannes Hahn është e pavërtetë dhe e papranueshme. Siç dihet, Çështja Çame është inekzistente dhe si e tillë, kurrë nuk është pranuar si objekt negocimi, midis qeverive të Greqisë dhe Shqipërisë. Komisioneri Hahn, me përgjigjen e tij të
gënjeshtërt, tregon se nuk ushtron rolin dhe detyrat e tij në bazë të parimit të asnjanësisë, në mënyrë që të avancohet interesi i përbashkët i unionit, siç parashikohet në nenin 17 të Konventës së Lisbonës. Që tani i është kërkuar dhe është i detyruar në bazë të rolit të tij institucional të japë shpjegime të menjëhershme, bindëse për sa i përket përmbajtjes së papranueshme dhe të gënjeshtërt, të përgjigjes së tij të kontestuar.”
Ky qe qëndrimi i Ministrisë së Jashtme greke, menjëherë pas deklaratës së Hahn dhe Athina kaloi nga mbrojtja në sulm të hapur. Një taktikë e vjetër e qeverisë greke, ndërsa dje zëdhënësja për punë të jashtme dhe çështje të sigurisë në BE, Maja Koçiançiç, mbajti një qëndrim të kujdesshëm, më se diplomatik, duke vënë theksin se të gjitha çështjet mes Shqipërisë dhe Greqisë duhet të zgjidhen mes dialogut. “Komisioneri inkurajoi të dy vendet që të vijojnë bashkëpunimin. Kjo është edhe fryma, me të cilën i përgjigjet Komisioneri një numri pyetjesh nga anëtarët e Parlamentit Europian dhe ato duhet të shihen në këtë dritë”, deklaroi Koçiançiç, duke shtuar se inkurajon dy vendet për të rritur dialogun dhe shmangur keqkuptimet e mundshme mbi të gjitha çështjet e rëndësishme. Nëse do shihet karriera politike e komisionerit Johannes Hahn, ka pak vend për dyshime se ishte një “lapsus” i tij përmendja e Çështjes Çame, apo “njëanshmëri”. Politikani austriak prej nëntorit 2014 është Komisioner për politikat e fqinjësisë dhe negociatat për zgjerim. Ai ka shërbyer më parë si Komisioner Europian për politikat rajonale gjatë komisionit të dytë të Barrosos, duke zëvendësuar Benita Ferrero Waldner-in si përfaqësues i Austrisë në BE. Gjatë shërbimit të tij si Komisioner i BE-së për Politikat Rajonale (shkurt 2010-Nëntor 2014), Johannes Hahn ka implementuar reformat më ambicioze dhe gjithëpërfshirëse të politikave rajonale të Bashkimit Europian. Gjithashtu, roli i tij në Ballkanin e trazuar disa herë mes vetes, e herë të tjera mes shtetesh fqinje ka qenë i madh. Mbajtja e një stabiliteti të pranueshëm në marrëdhëniet mes shteteve fqinje të Ballkanit ka edhe ndikimin e tij.
Bushati-Kotzias, ministrat që përmendën Çamërinë
Në 6 qershorin e këtij viti, makina ku udhëtonte ministri i Jashtëm i Greqisë Nikolaos Kotzias u detyrua të futej nga dera e pasme e godinës së Ministrisë sonë. Ministri Ditmir Bushati e priti mikun në pragun e derës, por përballë tyre qëndronin qindra protestues, kryesisht të komunitetit çam që protestonin për të drejtat e tyre mbi genocidin që përjetuan në vitet 1944-1945. Qetësisht ministrat nisën takimin kokë më kokë dhe më pas që të dyve ua donte puna dhe njëkohësisht “diplomacia” që të shfaqeshin para mediave sikur asgjë nuk kishte ndodhur. Në të vërtetë ishte koha, si kurrë më parë që tre problematikat mes dy vendeve, që lidhen me vendosjen e kufirit detar, minoritetin grek në Shqipëri dhe Çështja Çame të futeshin në një dosje me mbishkrimin e pashkruar: “për t’u zgjidhur”… “Besojmë se një trajtim realist i Çështjes Çame do të zbuste tonet nacionaliste dhe do të vendoste një drejtësi të munguar. Nuk bëhet fjalë për pretendime territoriale, pasi Shqipëria nuk ka pretendime të tilla. Është mirënjohëse për mbështetjen që i ka dhënë Greqia ndër vite. Qasja jonë ka të bëjë me respektimin e të drejtave të kësaj popullsie. Besojmë se është e mundur që të marrim shembull nga praktikat më të mira si për shembull gjermano-franceze për respektimin që iu bënë viktimave të luftës botërore”, deklaroi Bushati. Që të dy, si Bushati ashtu edhe Kotzias, herë pas here tregonin në dukje shenja miqësie e dashamirësie, por Çështja Çame në ato momente ishte më e “nxehtë” se vetë vapa e ditës së 6 qershorit në Tiranë, ku po mbahej takimi. Ministri i Jashtëm grek Nikolaos Kotzias deklaroi se duhet të lihen pas problemet e së shkuarës dhe të ketë bashkëpunim mes dy shteteve. Ai tha se Greqia do të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. “Për sa i përket Çështja Çame, është e ditur që kemi një grup të madh çamësh që jetojnë në Shqipëri dhe unë uroj që ky grup të kenë përftimet nga integrimi në BE. Janë edhe disa çamë që sot janë qytetarë grekë. Ekzistojnë dhe disa të tjerë që bashkëpunuan me gjermanët, të cilët u dënuan nga gjykata greke në bazë të ligjit grek dhe ndërkombëtar. Ata u larguan dhe vendi dhe nuk u ekzekutuan. Duhet të kemi kujdes kur flasim për ta. Disa duan që të bëjnë të njëjtët bashkëpunëtorë me ata që merreshin me nazizmin dhe duan t’i ngatërrojnë me një grup shqiptarësh që nuk kanë jetuar fare në Greqi. Kemi një përqasje të ndryshme dhe të gjitha janë të njohura nga pikëpamja e historisë”, u shpreh Kotzias. Nuk ishte aspak çudi qëndrimi i ministrit grek për komunitetin çam, pasi edhe historigrafia fqinje i ka konsideruar si bashkëpunëtorë të nazizmit. Mirëpo vetëm përmendja e emrit “Çështja Çame”, tregon shumë. Vizita u quajt e suksesshme, pa lënë pas një notë proteste të Athinës zyrtare për protestat gjatë kohës së vizitës. Megjithatë në tri vite si ministër i Jashtëm Ditmir Bushati ka qenë mes dy “trysnive” nga njëra anë PDIU që këmbëngulte që duhej ngritur fuqishëm dhe haptas Çështja Çame dhe nga ana tjetër mbajtja e një ekuilibri të qëndrueshëm diplomatik me Greqinë. Megjithatë është ministri që e ka ngritur këtë çështje më haptas se çdokush paraardhës i tij, madje duke përdoruar edhe një gjuhë të qartë dhe jo me komplekse dhe inferioritet. Nga fundi i qershorit të vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, ndodhi spastrimi i madh etnik i popullsisë çame që shënoi mijëra të vrarë, mes të cilëve gra dhe fëmijë dhe po aq të tjerë që u shpërngulën dhunshëm. Bandat e gjeneralit të ushtrisë së partisë së djathtë ekstremiste greke EDES, që drejtohej nga Napoleon Zerva, kryen spastrim etnik dhe lanë pas një gjenocid që pak u shkrua. Nga studimet e kryera kohët e fundit nga studiues shqiptarë, ka të dhëna se mbi 2700 persona nga komuniteti çam u vranë nga bandat e ushtrisë greke, ndërsa 58 fshatra u dogjën dhe mbi 30 mijë persona u detyruan të shpërnguleshin dhe vendoseshin në Shqipëri. Pas 71 vitesh kjo çështje nuk është më vetëm në sallat e takimeve të shoqatave të komunitetit çam, apo ndonjë zë i vetmuar në parlamentin tonë nga kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, por edhe në Bruksel, në Parlamentin Europian.
/mapo.al/