Koncertet po rigjallërojnë jetën e natës në verën e vitit 2022 në Shqipëri, pas pandemisë. Vendet mund të mbushen përsëri, por kuletat duken më të holla…
Muzika është një mjet i fuqishëm për të lidhur njerëzit, ndarjet gjuhësore dhe kulturore dhe është një mjet për identitet dhe shprehje, si asgjë tjetër. Së bashku, ekosistemi muzikor sjell përfitime të pasura sociale, kulturore dhe ekonomike.
Një ekonomi e gjallë muzikore nxit vlerën për qytetet në disa mënyra të rëndësishme. Ajo nxit krijimin e vendeve të punës, rritjen ekonomike, zhvillimin e turizmit, rritjen artistike dhe forcon markën e një qyteti. Një komunitet i fortë muzikor tërheq edhe punëtorë të rinj, të aftë në të gjithë sektorët, për të cilët cilësia e jetës është përparësi.
Vetë muzika ka ndryshuar gjithashtu, duke i bërë festivalet apo koncertet një tërheqje më të madhe për dëgjuesit. Ndërsa transmetimi streaming është një nga mënyrat më të njohura për të dëgjuar muzikë, shitja e biletave dhe mallrave përbëjnë pjesën më të madhe të shpenzimeve të fansave për muzikën.
Për shkak se dëgjimi i muzikës është bërë praktikisht falas (ose i bazuar në abonim), qasja është e paparë — dhe e bën muzikën “live” shumë më të veçantë.
Për artistët, koncertet muzikore janë një mënyrë më e lehtë për të fituar para, sesa varësia nga shitjet e albumeve apo turnetë e gjata, thotë Xhani Demika, menaxher këngëtarësh. Sipas tij, goditja që i dha pandemia kësaj industrie, koncerteve, ka lënë pasoja të rënda, të cilat ende nuk po rikthehen në nivelet e mëparshme.
Megjithatë, 2022 pati një bum krahasuar me një vit më parë, sa u përket koncerteve të vogla e të mëdha të organizuara. Sipas tij, edhe jeta e natës ka qenë e gjallë këtë verë në zonat bregdetare, ndonëse me kufizim kohe, pasi në orën 12:00 gjithçka mbyllej.
Muzika nxit vlerë ekonomike
Një ekonomi e gjallë muzikore nxit vlerën për qytetet në disa mënyra të rëndësishme. Ajo krijon vende pune, rrit ekonominë, zhvillon turizmin dhe forcon markën e një qyteti.
Një komunitet i fortë muzikor tërheq edhe punëtorë të rinj shumë të aftë në të gjithë sektorët, për të cilët cilësia e jetës është përparësi. Kjo nga ana tjetër tërheq investimet e biznesit. Shumë prej tyre e vlerësojnë rolin e muzikës për ekonomitë lokale. Një rast i njohur 16 vitet e fundit është Festa e Birrës në Korçë.
Për çdo festival muzikor ose ngjarje “live”, komuniteti lokal afër një vendi mund të ketë ndikime pozitive dhe negative.
Përfitimet ekonomike për komunitetin lokal mund të jenë të rëndësishme, por duhet të kompensohen nga pranimi i ndikimeve të tjera, si bllokimi i trafikut dhe rritja e ndotjes.
Përfitimet financiare për bizneset lokale gjatë një koncerti shumëditor zakonisht do të kapërcejnë çdo kundërshtim nga banorët vendas dhe kjo është një arsye kryesore për autoritetet lokale në dhënien e licencave të nevojshme për vijimin e një festivali.
Megjithatë, me rritjen e fokusit në qëndrueshmërinë mjedisore, ndikimi i fluksit të vizitorëve duhet të menaxhohet me kujdes. Përdorimi i parqeve publike në zonat urbane për organizime dhe koncerte në shkallë të gjerë ka të ngjarë të sjellë përfitime të mëdha për bizneset e komunitetit lokal, si dhe organizatorët e ngjarjeve dhe vizitorët.
Njerëzit planifikojnë të shpenzojnë ndryshe, por kostot kryesore të koncerteve janë përgjithësisht të njëjta. Me rritjen e shpenzimeve, çfarë është në buxhetet e shumicës së pjesëmarrësve të koncerteve për vitin 2022?
Në një komunikim me menaxherë të ndryshëm të VIP-ave në vend, si dhe agjenci eventesh, na bëhet e ditur se, si traditë, ndër shpenzimet më të zakonshme të koncerteve, ushqimi dhe pijet renditen më të lartat. Shumica e pjesëmarrësve të koncerteve planifikojnë të blejnë pije gjatë pjesëmarrjes në koncert ose festival.
Ata gjithashtu planifikojnë të blejnë veshje të reja, sidomos të rinjtë e moshës 18-25 vjeç. Ndërkohë, moshat mbi 40 vjeç kanë më shumë gjasa për të blerë bileta VIP, krahasuar me të gjithë pjesëmarrësit në koncert.
Kostot e udhëtimit janë gjithashtu të zakonshme dhe të konsiderueshme, pasi një pjesë e tyre planifikojnë të shpenzojnë për një hotel, apo në raste organizimesh unike, të paguajnë për një biletë avioni, për ata që duan të ndjekin një shfaqje jashtë shtetit.
Koncertin e 14 gushtit, reperi Noizy e cilësoi një ëndërr të bërë realitet. Për “Alpha show” u shitën mbi 18 mijë bileta, duke lënë pas çdo koncert tjetër.
Në një intervistë televizive, ai tha se kostoja e koncertit ku ishte i vetmi sponsor gjeneral, ishte më shumë se 500 mijë euro, shifër që siç tha, e kishte vendosur që nga fillimi, pavarësisht si do shkonte.
“Ishte një shifër mbi gjysmë milion euro, isha sponsor gjeneral vetë se nuk kishte njeri ta merrte përsipër. Ideja është që nëse nuk vjen me shifrën e duhur, më mirë mos e bëj.
E vendosa që në fillim që ato para do t’i investoja. Nuk prita që gjatë rrugës do të nxjerr dhjamë nga pleshti, i quajta të humbura ato para, pavarësisht si do shkonte”, tha këngëtari.
I pyetur nëse i ka marrë mbrapsht ato para me koncertin, këngëtari tha se ende nuk e di se sa ka fituar ndërsa theksoi se për momenti ka ndër mend të largohet për të pushuar, pas angazhimit me koncertin e së dielës. Kjo e bëri të vështirë të kontaktohet në këtë periudhë, për të pasur një ide mbi “suksesin” e koncertit të tij.
Për diçka nuk kish dyshim, sheshi “Nënë Tereza” u mbush me mijëra fansa, para të cilëve kënduan shumë artistë të huaj dhe shqiptarë.
3 net, në petkun e një qyteti tashmë të dashur e shumë të vizituar, Korça mbajti të përvitshmen Festë të Birrës.
Mungesa e Birrës Korça u reflektua në pjesëmarrjen e ulët të njerëzve në të gjitha netët e festës. Sipas informacioneve të marra në qytet, hotelet si rrallëherë në këto ditë gushti nuk kishin kërkesat e zakonshme dhe tavolinat në zonat e përcaktuara për festën e birrës nuk kishin gjallërinë e përvitshme.
Në festë mungonin këngëtarët korçarë, pa të cilët, sipas pjesëmarrësve, nuk kishte atmosferën e duhur. Një biletë në këtë ngjarje që zhvillohet prej 16 vitesh tashmë, kushtonte 20 euro dhe mund të ndiqje të tria netët.
Sipas organizatorëve, biletat ishin vendosur për natën kur do të këndonin këngëtarë grekë dhe serbë, ndërsa netët e tjera, mund të merrje pjesë edhe pa biletë.
Si asnjë fillim gushti më parë, kërkesat në hotelet në qytet ka qenë në minimumin historik, sipas disa strukturave mikpritëse të kontaktuara.
Koncerte të reja, probleme të vjetra
Ndërsa lamë pas periudhën e pandemisë dhe kufizimeve dhe të gjithë vendet në botë rinisën me aktivitetet muzikore, duke përfshirë edhe koncertet apo turnetë, edhe vendi ynë nuk bëri përjashtim.
Ndonëse 2022 solli disa emra me disa organizime, problematikat e vjetra vijojnë të qëndrojnë: nuk varen shpresat te shitja e biletave. Ato shiten më shumë në momentet e fundit dhe pak.
Sponsorizimet janë sporadike dhe të pamjaftueshme. Këtu bën përjashtim vetëm koncerti i “Sunny Hill”. Pastaj, sipas ekspertëve të fushës, problematika të tjera janë: infrastruktura.
Arena është e vetmja hapësirë moderne dhe me kapacitet të lartë, Pallati i Kongreseve është i amortizuar, ndërsa hapësirat e jashtme janë eksperimente dhe me kosto në foni, ndriçim, përshtatje vendi për pjesëmarrësit.
Gjithashtu, ekspertët këshillojnë që, në raste kur një kompani e caktuar kërkon të sjellë emra të njohur të muzikës botërore, apo grupe muzikore, këto koncerte nëpër botë janë ekskluzivitete të bashkive dhe sponsorizimet e saj bëjnë të ulet çmimi i biletës.
“Sunny Hill”, kryefjalë e verës 2022
“Sunny Hill Festival” është, padyshim, një nga koncertet më të përfolura të këtij viti, mes diskutimit fillestar nëse do të zhvillohej në Prishtinë a në Tiranë, dhe vendimit për t’u zhvilluar në të dyja vendet, por me ndryshime.
I pari, dhe më i rëndësishmi, Dua Lipa nuk do të ishte në Tiranë. Apo patëm surpriza? 26-27-28 gusht, për herë të parë në një lokacion te Kodrat e Liqenit në Tiranë, kapaciteti i të cilit nuk dihej me saktësi, u mbajt eventi i cili solli emocione.
Një ndër përfitimet e mëdha të zhvillimit të koncerteve të këtyre përmasave është padyshim fluksi i madh i pjesëmarrësve, promovimi i vendit, si dhe përfitimet ekonomike, të cilat nisin nga: blerja e biletave, sponsorizimet, bizneset e përfshira si bashkëpunëtorë, që ishin nga ato në fushën e ushqimit, e deri te produktet për shtëpi.
Biletat, të cilët nisnin nga 84 euro deri në 300 euro në zona VIP, mund të bliheshin pranë çdo pikë Western Union në të gjithë vendin, si dhe në platformën MYticket.al, për blerjet online.
Edhe vetë strukturat e fondacionit “Sunny Hill” e ofruan shitjen e biletave në faqen e tyre, si dhe përmes bizneseve bashkëpunëtore. Duke pasur disa burime për blerjen e tyre, e bënte të vështirë marrjen e informacionit se sa bileta janë shitur saktësisht. Por, strukturat, të kontaktuara nga “Monitor”, janë shprehur entuziaste.
Po cilat janë burimet më të mëdha të të ardhurave? Vetëm blerja e biletave nis nga 84 euro e deri në 350 euro për zonën VIP, çmim i cili është dukshëm më i lartë se i njëjti festival i zhvilluar disa javë më parë në Prishtinë.
Bizneset e vogla e të mesme dhe strukturat akomoduese kanë qarkulluar më shiumë, duke mos lënë pas destinacionet kulturore, por edhe bregdetin, i njohur si një nga vijat më të lakmuara në Europë. Të kontaktuara nga “Monitor”, disa hotele në Tiranë pohuan se kanë pasur rezervime, sidomos pasi mësuan që këngëtari i njohur e i dashur italian Fedez ishte i pranishëm. Megjithatë, nuk është konfirmuar asnjë fluks, sikurse ndodhi nga organizimi i Finales së Conference League.
Sigurisht evente të tilla sjellin edhe rritje çmimesh, e parë kjo nga përvoja e mëparshme nga ndeshja, por në këtë rast, nuk ka pasur ngjarje për t’u shënuar.
Sipas informacioneve të publikuara në faqen zyrtare të organizatorëve, deri më tani “Sunny Hill Festival” ka akumuluar më shumë se 300.000 euro dhe në vlera të vazhdueshme rritje, gjatë tre viteve.
Në 2018, “Sunny Hill Festival” pati rreth 50.000 njerëz të pranishëm edhe nga vende të tjera të Europës. Në 2019-n, kjo shifër arriti në 60.000, me të pjesëmarrës jo vetëm nga Europa e Rajoni por edhe nga Zelanda e Re dhe Australia.
Pse gjigantët e Coldplay patën turneun më të lirë në botë
Industria globale e koncerteve ka qenë historikisht një biznes shumë i shëndetshëm. Përpara fillimit të pandemisë COVID-19 në mars 2020, çdo tregues kryesor tregonte se turnetë ishin me hapa për të vendosur një rekord për sa i përket aktivitetit ekonomik.
Me rritjen e çmimeve të naftës, ushqimeve dhe hoteleve, Coldplay ka shkuar në drejtim të kundërt. Grupi caktoi mesatarisht 77,80 dollarë për biletë në turneun e fundit, që është të paktën 25% më pak se çdo koncert tjetër sa u përket këngëtarëve në top 10.
Asnjë nga të tjerët nuk kushton më pak se 100 dollarë. Këtu mund të përmendim emra si Justin Bieber, Dua Lipa, Doja Cat etj. Çmimi mesatar i biletave të Coldplay është më pak se gjysma e asaj që kushton për të parë Bad Bunny, i cili është interpretuesi me fitimet më të larta në turne deri më tani këtë vit. Është edhe më lirë se ajo që Coldplay bëri pesë ose gjashtë vite më parë.
“Coldplay, veçanërisht, ka qenë gjithmonë një grup që është i vetëdijshëm për çmimet e biletave, duke paguar në mënyrë rutinë më pak se sa mund të kërkonin”, – tha Ray Waddell, president i Medias në “Oak View Group”, i cili zotëron botimin e industrisë së koncerteve “Pollstar”.
Përballueshmëria relative ka qenë e mirë për biznesin. Në muajt mars dhe prill, Coldplay shiti më shumë bileta se çdo koncert tjetër, duke shitur bileta në stadiume të tëra në 11 ndalesa në Kosta Rika, Meksikë dhe Republikën Dominikane.
Grupi fitoi rreth 40 milionë dollarë, më shumë se kushdo, përveç Bad Bunny. Shitjet prej koncerteve e vendosën Coldplay në 10-shen më të mirë të renditjes së fuqisë së yjeve të “Bloomberg” për muajt mars dhe prill, të vendosura midis Doja Cat dhe Olivia Rodrigo.
Në vitet që kur Coldplay ishte i fundit në rrugë, çmimi i koncerteve më të mira është rritur rreth 9%, sipas Pollstar. Rritja e kostos së karburantit dhe stafit turistik ka shtyrë disa koncerte të ‘flirtojnë’ me një çmim mesatar bilete prej 200 dollarësh.
Por ndërsa planifikonte turneun aktual, Coldplay vendosi t’i mbante çmimet pothuajse të njëjta si kur doli për herë të fundit në skenë, pjesërisht për shkak të pasigurisë së Covid. Ofrimi i biletave me çmime më të ulëta gjithashtu lejon Coldplay të shesë bileta në stadiume.
Është një nga grupet e vetme në turne tani që luan në stadiume futbolli me kapacitet mbi 70,000 njerëz. Sa më e madhe të jetë audienca, aq më shumë mallra shiten.
“Ky është një nga grupet më të mëdha në botë – tha Waddell. – Ata e kanë ulur formulën e tyre dhe kanë kuptuar se si të bëjnë çmime për audiencën e tyre dhe ata ende duan të tërheqin fansa të rinj”./MONITOR