Në një takim me demokratët në Durrës, ish-kryeministri Sali Berisha, ka komentuar faktin që Rama shkoi në Bruksel pa opozitën. Ai tha se Rama shkoi në Bruksel si monosit, jo për qëllimet e vendit. Sipas tij, nuk mund të presim gjë tjetër nga një ish-komunist, ndërsa tha më tutje se po të merrte ftesë ai vetë do të shkonte, por kurrsesi nuk do të kishte shtrëngime duarsh me Ramën.
“Shkoi në Bruksel si monist, njëlloj sikur të shkonin paraardhësit e tij. Mos u çuditni. Do ju tregoj një gjë nga historia, por të vërtetë. Nga viti ’86, qeveria hungareze dhe qeveria rumune, zhvillojnë tratativa të fshehta me Brukselin për t’i pranuar në BE. Brukseli u përgjigj, jo, tha, ju nuk mund të pranoheni sepse jeni në sferën e Bashkimit Sovjetik. I vetmi vend, e thanë në konfidencë, nga ish-komunistët që mund të pranohet është Shqipëria…por Shqipëria ishte armik me të gjithë botën. Nuk ka dyshim që ky shkoi si monist në Bruksel. Ndaj unë e kam shpallur atë armik të lirisë së shqiptarëve.
Natyrisht, po të ftonte do shkoja. Por ta harrojë se do të kishte shtrëngim duarsh me mua. Nuk mund të ndodhte kurrë ajo. Do të shkoja për të përfaqësuar ju, aspiratat demokratike të shqiptarëve. Pra, shkoi si monist, u kthye si monist. Natyrisht me dosjen në shpinë të inceneratorëve, me dosjen e Portit të Durrësit”, tha ai. Ndërsa shtoi se çelja e negociatave është meritë e popullit dhe jo e Ramës që gjithmonë është munduar të nxjerrë pengesa.