Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ishte planifikuar që të takoheshin ditën e sotme në Bruksel, në kuadër të dialogut, mirëpo ky takim nuk ndodhi.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dje gjatë raportimit në Komisionin për Integrimeve Evropiane bëri të ditur se ka dështuar aranzhimi i këtij takimi, duke thënë se presidenti Vuçiç nuk ka treguar gatishmëri për takim.
“Ideja ka qenë që të përgatitet tereni për takim të radhës, mbase këtë javë, nesër, ndërmjet dy krerëve të shtetit, por kjo ka dështuar për shkak të mosgatishmërisë së zotëri Vuçiç-it që të shkojë në Bruksel. Zotëri Kurti është deklaruar i gatshëm që sa më shpejtë të fillojë diskutimi për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, por Vuçiç ka nxjerr si arsyetim vizitën e presidentit të Egjiptit i cili pritet të qëndrojë tri ditë në Serbi”.
Lidhur me dështimin e këtij takimi, nga zyra e kryeministri Albin Kurti kanë thënë gjithashtu se “fajtori” i dështimit të këtij takimi ishte presidenti serb.
Kështu ka thënë, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu përmes një përgjigje me shkrim.
“Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë për një takim të niveli të lartë politik sikurse ka shprehur gatishmërinë që ai të mbahet gjatë këtij muaji. Madje zëvendëskryeministri Bislimi gjatë javës së kaluar ka qëndruar në Bruksel që të përgatitet terreni për një takim në nivel të krerëve të shteti. Ky takim ka dështuar për shkak të mosgatishmërisë nga ana e Serbisë për një takim të tillë, e shprehur kjo në njërën anë përmes presioneve për ndryshimin e agjendës së takimit trilateral në nivel kryenegociatorësh dhe në anën tjetër arsyetimit se takimi nuk mund të mbahet shkaku i vizitës së President të Egjiptit në Serbi”.
Ai ka shtuar se këto veprime të Serbisë kanë qëllim sabotimin e procesit të dialogut.
“Këto veprime të Serbisë janë në vazhdën e veprimeve që qëllim kanë sabotimin e procesit të dialogut. Ndërkaq që kryeministri Kurti përveç gatishmërisë për takime, ai tashmë ka shprehur edhe gatishmërinë dhe interesimin që sa më parë të fillojnë diskutimet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse”.
Bartësit e dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk janë takuar në Bruksel që nga korriku i vitit 2021. Deri më tani, ata kanë zhvilluar vetëm dy takime dhe që të dyja nuk kanë sjellë ndonjë rezultat konkret. Kujtojmë se, procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh në vitin 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.