Me anë të një postimi në Twitter, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka takuar ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Vincenzo Del Monaco. Diplomatja amerikane shkruan se gjatë takimit u diskutua mbi zgjedhjet në vend, reformën në drejtësi dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Kim thotë se SHBA inkurajon Shqipërinë që të mundësojë votën e diasporës sa më shpejt të jetë e mundur, siç e kërkon Kushtetuta.
“Takova sot ambasadorin e OSBE-së, Vincenzo Del Monaco për të diskutuar angazhimin tonë të përbashkët për të mbështetur zgjedhjet e lira dhe të ndershme, reformën në drejtësi dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ne inkurajojmë Shqipërinë që të mundësojë votën e diasporës sa më shpejt që të jetë e mundur, siç e kërkon Kushtetuta. SHBA është e kënaqur të mbështesë përpjekjet e prezencës së OSBE-së në Tiranë për të forcuar institucionet dhe proceset gjyqësore, duke përfshirë zhvillimin e programit të ri të masterit në kriminologji” – shkruan Yuri Kim në Twitter.