Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar ditën e sotme për sulmin e sotëm ndaj policisë së Kosovës në veri. Përmes një deklarate, Kurti ka shkruar se sulmet ndaj policisë për tre ditë rresht vijnë nga ana e territorit serb.
“Për tre ditë rresht, oficerët e policisë së Kosovës janë sulmuar në pikëkalimin kufitar me Serbinë. Dje dhe sot në mëngjes breshëri plumbash dhe një granatë dorë është hedhur në drejtim të policisë. Burimet tona kanë identifikuar se sulmet e djeshme vijnë nga Serbia.”
Nga ana tjetër, Xhelal Sveçla, Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, ka deklaruar në një konferencë të jashtëzakonshme bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, se ditën e sotme është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë.
“Sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, e cila ka qenë duke shkuar për të marrë ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm, tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës.”
Ministri Sveçla është shprehur se grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë.
Gjithashtu, sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, afërsia e sulmeve lë të kuptohet se, kemi të bëjmë me një grup të organizuar, i cili ka për qëllim të sulmojë dhe të pengojë punën e Policisë së Kosovës, me theks të veçantë luftën kundër kontrabandës dhe tregtive të ndryshme. Në automjetin e Policisë së Kosovës që u sulmua të premten në veri të vendit, po udhëtonin pjesëtarë të PK-së shqiptarë dhe serbë.
Në konferencë nuk është thënë nëse ka pasur të lënduar gjatë këtij sulmi ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ndërsa ministri i Brendshëm, Sveçla, ka raportuar se me këto raste do të merret Prokuroria Speciale.
Kujtojmë se, katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë të banuara me shumicë serbe.