Nga Enkel Demi
Sa kishte hyrë marsi i vitit 1997 dhe Sabri Godo shkonte sa në Ambasadën e Bosnje Hercegovinës, sa në Presidencë. E zgjodhi ai të ishte negociatori. Në shtëpinë diplomatike të Sarajevës po bëhej festa e pavarësisë dhe mes mysafirëve ishte Mariza Lino, ambasadore e Shteteve të Bashkuara, mesazhet e saj përcillte. Atë natë i ndjeri Godo dështoi. E kam takuar diku në mesnatë, sepse nuk kisha mbyllur ende gazetën. Nga shtypshkronja më kërcënonin që radha ime shkoi, por doja një titull, një kumt që të çelja faqen e parë, qoftë dhe dhjetë rreshta. Nuk e kam parë kurrë atë burrë më keq se atë ditë. Tymoste duhan një pas një dhe kishte hyrë në ujë, ishte mpakur si mos më keq. Asnjëherë në jetën time nuk hasja një njeri kaq të lodhur.
“Ç’të të them? Nuk di se çfarë do ndodhë. Iku…”
Nuk e përfundoi fjalinë e la përgjysëm. Nuk ishte banal të thoshte që iku për lesh, iku për dreq, iku në të sëmës, iku në esfel. Veç kaq tha. Pas një jave shqiptarët u armatosën dhe ndodhi gjithë ajo katrahurë që një tjetër shkrimtar e kishte shkruar mote më parë, Ismail Kadare tek “Viti i mbrapshtë”.
Edhe at’botë makineria e propagandës e shpalli Mariza Linon njeri të lidhur me një krah të caktuar politik, ndërsa gjirizi i saj mbllaçiti një aferë seksuale të diplomates me origjinë italiane.
Këto ditë më është kujtuar kjo atmosferë, ani se nuk ka kush ndër mend të marrë pushkën, por kriza politike është e ngjashme. Romana Vllahutin u shpall nga kryetari i opozitës njeri i anuar për nga qeveria, ndërsa gjirizi i propagandës së tij mbllaçit një histori që ta shpif, thjesht nga fakti që artikulohet nga burra me një farë moshe, të cilët kanë një barrë eksperiencë jetësore mbi supe. Duken si shkollarë që rrëfejnë atë historinë stampë të presorit të fiskulturës që shkon me zyshën e fizikës.
Shqipëria ka hyrë në një krizë politike të thellë, sepse dy tre drejtuesit e saj nuk kuptohen. Ky është kulmi i një krize që nisi do vite më parë me ndryshimet kushtetuese, ku pushteti në një demokraci të brishtë u përqendrua në vendimarrjen e dy tre kokrrave, të cilët sado të ndritur që të jenë mund të pjellin vetëm ngërçe të kësaj natyre që po çojnë vendin në greminë. Ngushtica që vetë sajuan para ca kohësh po ju merr edhe atyre vetë frymën. Nuk bëjnë dot reformë, sepse kurrë nuk do të kenë numra. Nuk shkojnë dot në popull për referendum, sepse me ndryshimet që vetë kryen e kanë bërë pothuaj të pamundur ta aplikojnë demokracinë e drejtpërdrejtë. Nuk shkojnë dot në zgjedhje, sepse u duhet të futen brenda një rrethi vicioz në Kuvend, nëse e marrin në sy edhe këtë mundësi. U ka mbetur vetëm një zgjidhje; të bëjnë pazar. Dhe sa herë ulen ta bëjnë këtë më vjen ndër mend ai burrë i dërrmuar, të cilin e prisja, se duhej të mbyllja gazetën.