Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë periudhës janar-prill ka konstatuar 3,2 miliardë lekë dëm ekonomik buxhetit të shtetit, si pasojë e shkeljeve të administratës qendrore dhe vendore.
Këto shkelje financiare i përkasin veprimtarisë ekonomike për periudhën kohore të administratës nga 2013 deri në mars të 2016, ndërsa 31 persona janë kallëzuar penalisht.
Të dhënat u publikuan nga KLSH-ja në raportin e auditit për 4 muajt e parë të vitit, sipas të cilit 1,9 miliardë lekë janë shkeljet nga të ardhurat dhe shpenzimet e kryera, kurse 1,2 miliardë lekë janë dëmet nga shkeljet e disiplinës financiare.
Shkeljet
Në fushën e prokurimeve publike janë konstatuar 877 milionë lekë dëme, nga 14 institucione qendrore dhe bashki të vendit. Dëmi më i lartë i përket Autoritetit Rrugor Shqiptar në vlerën 112 milionë lekëve. Në sektorin e doganave, rreth 334 milionë lekë nga Dogana e Durrësit dhe Rinasit për parregullsi në vendosjen e gjobave gjatë vlerë- simit të detyrimit doganor.
Në sektorin e tatim taksave, dëmi llogaritet në rreth 462 milionë lekë në pjesën më të madhe i shkaktuar nga disa bashki të vendit për mospagim të taksave vendore, si dhe nga Autoriteti Rrugor shqiptar për pagese qiraje. Shkelje janë gjetur edhe në fushën e shpenzimeve operative, ku sipas raportit të KLSH-së nga 17 institucione dëmi llogaritet në vlerën e 198 milionë lekëve, ku dëmi më i lartë është shkaktuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me vlerë 168 milionë lekë.
Në fushën e pagave, shpërblimeve dhe sigurimeve shoqërore, dëmi llogaritet në 20 milionë lekë, e shkaktuar kryesisht nga disa bashki të vendit të cilët kanë kryer pagesa më tepër në pagat e punonjësve, siç është Bashkia e Beratit dhe Vlorës, kurse në bashki të tjera të vogla janë gjetur shkelje në shpërndarjen e shpërblimeve për anëtarët e këshillave bashkiakë. Në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, dëmi i konstatuar kap vlerën 70 milionë lekë.
Kallëzimet në prokurori
Për shkeljet me dëm financiar, KLSH-ja ka bërë 7 kallë- zime penale për 31 persona dhe ka lëshuar 362 masa administrative. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, kallëzimet penale janë bërë për drejtues të rangut të lartë dhe të mesëm të institucioneve.
“Nga 7 kallëzimet penale, 5 kallëzime penale janë në hetim nga degët e prokurorive në rrethe dhe 2 prej tyre i janë përcjellë prokurorisë për vlerësim”, thuhet në raportin e KLSH-së. Kallëzime janë bërë për kreun aktual të Autoritet Rrugor shqiptar, ishdrejtues të hipotekave në Tiranë dhe Shkodër, si dhe ishdrejtorin e Ujësjellës Kanalizimeve të Pogradecit. Panorama.al