Nga Ermal Mulosmani
Një eufori e papërmbajtur, sfiduese, zhurmëmadhe ka shpërthyer në mes tellallëve të pushtetit pas fitores së shpallur të Partisë Socialiste. Përkundër fjalëve kristiane e përdëllyese të kryeliderit politik, që përmend përulësinë, bashkëpunimin dhe braktisjen e llogores së vjetër politike, zërat më të spikatur afër shumicës jo vetëm nuk e reflektojnë këtë frymë përulësie e bashkëpunimi, por përditë bëjnë thirrje për pranim rezultati dhe dorëheqje të kryetarit të Partisë Demokratike. Sa herë ata marrin penelin të nxijnë telajon piktura është e njëjtë: Karikaturë e Lulzim Bashës, Ilir Metës, Sali Berishës, herë njërit, herë tjetrit, ca herë të tjera të treve bashkë.
Disenjatorët kryesorë të kësaj fushate, që shquhen mbi të tjerët për cilësinë e tyre antiopozitare, janë tre: Mero Baze, Carlo Bollino dhe Kreshnik Spahiu. Ata gazetarë që mendojnë se e meritojnë ta gjejnë emrin e tyre në këtë listë dhe janë lënduar për këtë, ju kërkoj ndjesë. Mospërmendja e emrit aspak nuk e zhbën kontributin e tyre vrastar ndaj Opozitës. Thjesht ishin aq shumë sa do më mbaronin fjalët e caktuara për shkrimin. Herë tjetër do jem më bujar me ta.
Çfarë është kjo dashuri e lartë për mbarëvajtjen e demokracisë opozitare dhe gjetjen e udhëheqësit të duhur që do të çojë Opozitën në fitoren ndaj Edi Ramës? Kaq për zemër e kanë humbjen e Edi Ramës saqë po bëjnë çmos për të përmirësuar Opozitarizmin?!
Askush e beson këtë fabul, do ishte cinizëm me dozë elefanti sikur ta përmendësh. Ata e duan gjithmonë të humbur opozitën, thellë e më thellë. Ka vetëm një arsye pse kjo gjë ndodh. Është spostimi i gjithë debatit publik në fushën e Opozitës, mbështetja e zërave kundër kryetarit ekzistues dhe relativizimi i vjedhjes së votave “në kufinjtë normalë, që nuk ndryshojnë rezultatin në mënyrë thelbësore”. Me pak fjalë gjithë fokusi i debatit nuk është te deformimi i vullnetit të zgjedhësve por te “parëndësia e këtij deformimi”.
Këta gazetarë harrojnë që kur flasin për Opozitën kanë përballë mbi 730 mijë njerëz! 730 mijë njerëz, shumica prej tyre të frustruar, të dëshpëruar, të varfër, të pashpresë e me 100 halle prej 8 vjetësh! 730 mijë njerëz që lexojnë Bollinon të thotë që “provat e opozitës nuk vërtetojnë asgjë” përpara se KAS-i apo Kolegji Zgjedhor të deklarohet!
Këta 730 mijë njerëz e dinë të vërtetën e madhe që në Shqipëri u ble vota. U përdor çdo mundësi bashkëpunimi me njerëz të botës së krimit, biznesit e medias dhe u shfrytëzuan të dhënat personale të votuesve përmes e-albanias dhe Patronazhistëve për të ndikuar votuesit potencialë kundërshtarë.
Këtë të vërtetë, me shumë gjasë, PD nuk do ketë mundësi ta vërtetojë. Gjykata kërkon filmime të pastra kur kryhet transaksioni i votës në këmbim të parasë dhe kërkon të ketë aq filmime sa të vërtetohet që kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar. Pra, në një qark të ketë fjala vjen 1000 filmime. Nëse këto nuk janë, aha, të mbyt Carlo, Kajsiu, Dynjaja e me radhë… “Nuk ka prova, ja neni 176578 i ligjit 344598…”
Krimi zgjedhor nuk është një transaksion publik që zhvillohet ditën për diell e për rrjedhojë ka dëshmitarë. Ai ndodh skutave, përmes elementëve kriminalë që përdorin ndikimin e tyre frikësues. Kjo është arsyeja, pse ka një maraz të madh në radhët e Opozitës. Bash për arsyen, për të cilën flasin gazetarët e pushtetit: “Nuk kanë prova siç i kërkon Gjykata!”.
Në Bankë mungojnë paratë, të gjithë e dinë vjedhësin, por pajtohen me vjedhjen, pasi “Ato lekë janë më mirë në duart e vjedhësit sesa në duart e Bankës”.
Ka të paktën një fakt të rëndë, publik për implikimin e shtetit në vjedhjen e votave. Pas ngjarjes së Elbasanit, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu u pyet nëse në makinën e bllokuar u gjetën dokumente zgjedhore dhe deklaroi në mënyrë të prerë “JO” ndërkohë që procesverbali i prokurorisë vërtetonte të kundërtën. Kishte blloqe shumë faqëshe me pagesa, me emra dhe ID dhe pagesat përkatëse. A mjafton ky rast për të vërtetuar që në Shqipëri ka pasur blerje vote? Për mua po! Probabiliteti për të kapur në flagrancë një njeri me blloqe pagesash dhe lista votuesish është 1 në 5000. Nëse kapet një fenomeni duhet shumëzuar me 5 mijë.
Nga çeta e madhe antiopozitare dua të veçoj përsëri Mero Bazen pasi është dukshëm më cilësori prej tyre. I mbetur prej vitesh në qerthullin e urrejtjes për udhëheqësit e Opozitës, është katandisur në një gazetar Antiopozitar, tipi që përqeshte me plot të drejtë dikur. “Kurthi i urrejtjes –thotë Kundera tek romani Shakaja- është se të lidh fort me subjektin e saj”. Do të doja shumë që një penë si Mero të mos përfundonte në Antiopozitë, të mos konvertohej në personazh të librave të tij. Meros i rrinte kaq bukur statura e Opozitarit qëndrestar sa arrinte të frymëzonte edhe në ditët më të vështira. Ja sa bukur e përshkruan situatën e sotme Mero në vitin 2000, në librin e tij “Përballë Antiopozitarizmit:
“Tashmë, opozita filloi t’i bezdiste edhe fizikisht. Eksponentë të lartë të PD që ishin larguar prej saj pas konflikteve me Berishën, tashmë erreshin në ekrane, duke shpjeguar përse duhet të ikte Sali Berisha dhe përse opozita duhet të bashkohej rreth tyre. Ishte një skenë sa nervozuese, aq dhe e frikshme, nëse evoluonte. Tendenca ishte e qartë. Ajo mund të përballohej vetëm me një rezistencë. Rezistenca në ato momente ishte një vlerë që mund të sillte shpresë. Diplomatët kryesorë perëndimorë qysh para fushatës ngulnin këmbë tek ideja se pala humbëse duhej të pranonte rezultatin. Gati sa nuk thoshin Sali Berisha. Dhe nuk kishin asnjë kusht për standardin e zgjedhjeve që duhet të pranoheshin. Pranohej vetëm humbja e opozitës, pa asnjë kusht”.
Zëvendësoni emrin e Berishës me emrin e Bashës dhe do t’u dalë situata e sotme. Çfarë pene!
Mëkat që është në anën e pushtetit!