Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, është ndër të paktët anëtar të kabinetit Rama që i rri larg gjuhës së drunjtë të politikës, por i thotë gjërat troç. I tillë ishte nënkryetari i LSI-së dhe në intervistën e fundit në “Shih programin”, ku komentoi zhvillimet e fundit të politikës së ditës. Manjani e ka një përgjigje jo vetëm për takimin e pritshëm Rama-Basha, por edhe për reformën në drejtësi dhe gjithçka po ndodh së fundmi me të. Në kuadër të këtyre ndryshimeve kushtetuese ai flet për martesat gay. Pa përgjigje nuk ngelen as aksionet e fundit të Presidentit apo kryebashkiakut Veliaj.
Enkel Demi – Të nisim nga ajo çfarë pritej e ndoshta pritet akoma të shënojë kjo javë, një takim të mundshëm Rama-Basha. A mendoni se do të jetë një takim i shëndetshëm?
Ylli Manjani – Mirë është, nuk është ndonjë gjë e keqe. Kanë diskutuar se do të flitet për reformën në drejtësi. Pozitive është të takohen kreu i PD-së dhe PS-së. Vështirë është që të parashikosh se çfarë do të ndodh, sepse PS e PD kanë shkuar deri në Strasburg tek “Crocodile” dhe nuk kanë arritur gjë. Tani nuk e di se kush është krokodili i rradhës, por mendoj se nga takimet mes krerëve të partive vijnë vetëm të mira. Shpresoj që të ketë dhe rezultate pozitive.
Por, Krokodili disa vite më parë nuk prodhoi produkt, ishte shterpë…
Po, dhe kjo na bën skeptik që të parashikojmë rezultatin.
Por, në të dyja këto raste dhe në atë të Krokodilit dhe në këtë të pritshmin, duket se i mënjanuari është Ilir Meta…
Në qoftë se zgjidhet çështja e reformës në drejtësi nuk na shqetëson fare në u thirr X apo Y. Ilir Meta dhe LSI-ja tashmë e kanë bërë të qartë se 20 votat që i përkasin këtij grupi parlamentar shkojnë për reformën në drejtësi. Fatkeqësisht 20 vota nuk mjaftojnë, duhen më shumë.
Në diskutim nuk janë çikërrima hatërmbetjsh, por çështje thelbësore për të sotmen dhe të ardhmen e vendit… Zgjidhet kjo me një kafe mes dy udhëheqësish?
Po pse jo, edhe mund të zgjidhet. Nuk shoh ndonjë të keqe dhe nëse takohen. Ne jemi një popull që rrimë në kafe. Nuk ka pse të mos zgjidhen edhe disa gjëra shumë të rëndësishme në kafe.
Kjo është çështje negociatash që kanë rezultuar të vështira. Lu dhe Vllahutin u rikthyen në negociata me politikën shqiptare…
E para ka një produkt të ekspertëve, post Venecia, produkt që ka lënë disa pika për t’u vendosur nga partitë politike. E dyta ka gjithmonë diskutime nëse ky draft është më i miri i mundshëm apo ka një më të mirë. Nevoja për një diskutim cilësor nuk ka për të mbaruar kurrë. Ne kemi kërkuar që ky proces të paraprihej nga një tryezë politike ku të thuhej se çfarë mendojnë për reformën dhe deri ku janë gati të tolerojnë apo të japin konsensus për çështje të reformës në drejtësi. Një tryezë e tillë nuk është kurrë e vonuar. Dhe e fundit PD-ja ka marrë një pozitë që meriton kredo për kontributin e dhënë deri më sot. Në parim është miratuar dhe nga PD-ja drafti i reformës në drejtësi, por tashmë PD ka sjellë një version të rishikuar për arkitekturën e institucioneve të sistemit të drejtësisë, për të cilët opozita është skeptike.
Kjo është thelbësore apo jo?
Në Shqipëri kemi 25 vjet që diskutojmë se kush do të emërojë kë dhe nuk kemi arritur asgjë. Kjo duhet të marrë fund njëherë dhe mirë. Koncepti i reformës duket sikur është ngushtuar së tepërmi. Duket sikur reforma është një mënyrë për të hequr disa njerëz dhe për të vënë disa të tjerë. Na duhet një harmoni ndryshe nga e sotmja për të riparë balancën e pushteteve. Sot, gjyqtarët dhe prokurorët janë të supermbrojtur me këtë sistem. Në Këshillin e Lartë të Drejtësisë për shembull ne kemi 10 gjyqtarë përballë 5 anëtarëve civilë. Këta gjyqtarë në mënyrë të natyrshme e mbrojnë kolegun e tyre, kur diskutohet për procedime disiplinore për ndonjë gjyqtar. Ky është korporatizmi i famshëm. Prandaj, është kërkuar në reformë që kjo balancë të ndryshojë. Por, PD-ja nuk pranon Këshillin e Emërimeve. Por, mirë edhe po të hiqet kjo pjesë kush do ta bëjë?! Reforma duhet parë në kompleks, sepse po i hoqe këtë pjesë që kërkon opozita, atëherë rrezikohet shëmbja e të gjithë modelit të propozuar.
Ju thoni që opozita ka bërë një punë intelektuale të madhe, por ndërkohë Majko tha që po kthehemi në pikën zero me këtë draftin që po propozon PD…
Nuk ka arsye të nxitohemi me deklarime politike. Amendimet kushtetuese në cilindo skenar nuk do të miratohen pa opozitën. E përsa kohë nuk miratohen pa opozitën është e panevojshme që të futemi në llogore politike. Duhet gjetur një mënyrë që opozita të rikthehet në dialog. Nuk mendoj se e ndihmon vendimmarrjen ashpërsimi i gjuhës politike.
Bojkoti i opozitës pas vendimit të Këshillit të Mandateve për të përjashtuar 10 ditë ish-kryeministrin Berisha, a duhet “lexuar” si një mënyrë për të vonuar disktutimin për reformën në drejtësi?
Po, kjo për mua është taktikë për të shtyrë diskutimin e reformës në drejtësi. Nuk më pëlqen të analizoj se kush është fajtori, mendoj se të gjithë se bashku jemi të humbur nëse nuk miratohet reforma në drejtësi.
Çfarë ndodh nëse nuk votohet reforma në sistemin e drejtësisë?
Do të humbasim shansin për të marrë një rekomandim për çeljen e bisedimeve për marrjen e ftesës për anëtarësim në BE.
Ju e keni parë ndërkohë draftin e PD për arkitekturën e institucioneve të sistemit të drejtësisë?
Po e kam parë. Patjetër që duhet të çelet një diskutim, por ai duhet të jetë alternativ jo me kushte. Duhet dialog dhe tolerancë, sepse nuk shoh ndonjë diferencë të madhe në propozimet e palëve.
Vetë je optimist për kalimin e reformës ?
Nuk kam arsye për të mos qenë, por uroj që të mos bëhet në minutën e fundit siç u bë me ligjin për dekriminalizimin që nga nxitimi sot rezulton se ka probleme teknike në zbatim. Imagjinoni që në se këto mbesin në Kushtetutë janë dhe pak delikate për t’u korrektuar.
Janë gabime, apo janë të lëna me kast?
Po, po të bëhen në minutën e fundit me urgjencën e nevojshme ose të panevojshme mundësia për gabime është e madhe. Kam një frikë se do të nxitojmë, por uroj që të mos do të ndodhë.
Korriku është i mundshëm për t’u arritur miratimi i kësaj reforme?
Po, edhe mund të arrihet se ndryshe ç’kuptim ka!!
Pse në këtë paketë kushtetuese pritet që të propozohet dhe diçka që mund të cënojë Kodin e Familjes për t’i hapur rrugën martesave gay. Pse për çfarë duhet?
Nuk e kam kuptuar këtë të jem i sinqertë.
Ju vetë jeni pro apo kundër këtyre martesave?
Nuk jam për martesat gay. Nuk e kuptoj pse është futur në amendimet kushtetuese. Jam për familjen tradicionale, klasike. Nuk flas si ministër drejtësie, por si Ylli Manjani. Nuk jam i gatshëm ta pranoj si Ylli, si ministër mund të më duhet ta firmos, por si individ nuk e përkrah.
Kush e merr koston nëse nuk miratohet reforma në drejtësi?
Të gjithë. Askush nuk fiton asgjë duke i drejtuar gishtin tjetrit në rast dështimi.
Reformës në drejtësi, i parapriu një ligj në dukje i rëndësishëm siç ishte ai për dekriminalizimin. U bënë publike pak më shumë se dy javë më parë vetëdeklarimet, por pas dy javësh gjithkush është aty ku ishte… Ju keni patur një reagim të ashpër pas publikimit të formularëve…
Unë mendoj që një përfaqësues publik që është votuar dhe që në jetën e tij ka qënë në burg, jo i dënuar me gjobë, do t’i bënte një shërbim shumë të madh idesë së përfaqësimit nga populli, por edhe partisë që e ka besuar. Le ta fillojnë me njerëzit që kanë qenë në burg.
Po ato që kanë shumë emra?
Me siguri që me ndonjërin nga ato emra mund të ketë qenë në burg. Duhet të mbyllet tashmë ky diskutim. Ky është një standard minimalist. Kjo ka ndodhur, duhet pranuar dhe korrigjuar pa drejtuar gishtin as tek njëri dhe as tek tjetri, as nga partitë, as nga krerët e partive dhe as nga elektorati. Njerëz që kanë qenë në burg duhet të ikin vetë edhe nëse nuk i kap ligji.
Cilat janë gjërat që kanë ngelur “varur” tek dekriminalizimi?
Ka problem teknike. Për shembull formularët e vetëdeklarimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të dorëzohen tek kryeministri, por kjo bie ndesh me parimet e ndarjes së pushteteve. Për mua ato janë gabime që kanë shkarë nga nxitimi, me të cilin u bë ligji në fund. U bënë akte nënligjore pas miratimit të ligjit, dhe që kjo vë në diskutim ligjetimitetin e gjësë në tërësi. Rruga më e mirë e funksionimit të ligjit është vetëlargimi.
Këtë parim e ndani me LSI?
Patjetër. Ne e kemi normuar në statut këtë gjë.
Njohës të ligjit nuk janë optimistë se do të funksionojë…
Problem është që tashmë ai ligj i ka dhënë efektet e veta. E dinë tashmë të gjithë se kush ka qenë në burg, kush ka qenë i hetuar apo dhe me tre-katër emra.
Pse politika shqiptare i ka kaq shumë për zemër të fortët?
Partitë politike në Shqipëri i kanë marrë dhe ato vota pa të fortët, nuk me bind deklarimi se të fortët janë ofruar për marrë dhe për të mbrojtur votat. Shqiptarët votojnë në një mënyrë gati tradicionale dhe konstante në gjykimin politik. Të gjitha zgjedhjet kanë qenë me mesazh nga shqiptarët. A ka fenomene negative? Plot, shitet vota, votohet në mënyrë familjare e kështu me rradhë, porn ë vektorin e përgjithshëm shqiptarët kanë bërë rotacione, kanë ndëshkuar me votë, ndaj të fortët nuk i hyjnë kujt në punë.
Këto ditë ka një disktutim për përgjime masive…
Ka hetime, duhet pritur deri në përfundim. Nëse ka patur përgjime dikush duhet të përgjigjet, nëse nuk ka të vërteta, përsëri dikush duhet të përgjigjet. Sado të dobëta të jenë institucionet duhet përgjigjja e tyre.
Ndërkohë flitet që ka dhe një video për një ministër…
Unë nuk kam ndonjë kuriozitet me thënë të vertetën, por nuk dua që këto çështje të kthehen në politike.
Së fundmi, pas takimit mes kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe ish-kryeminisrit socialist, Pandeli Majko u fol se kemi të bëjmë me një lëvizje prej kandidati të mundshëm për President? Si do ta shikonte LSI?
Nuk na ka shkuar mendja akoma. Nuk e kemi diskutuar. Do të mbledhim Këshillin Drejtues dhe do të shikojmë se cili do të jenë pozicioni ynë.
Pozicioni yt si Ylli Manjani?
Unë nuk jam deputet, ndaj nuk votoj dot për Presidentin edhe nëse do të doja.
Po varianti Rama President, Meta kryeministër apo anasjelltas?
Gallatë do të ketë sa të duash…
Presidenti aktual Nishani ka një konflikt të hapur për çështjen e ligjit të ri të pronave…
Gjykimi në Kushtetuese për këtë çështje do të jetë një vlerë e shtuar, pavarësisht se unë nuk pajtohem procedurialisht me pozicionin e Presidentit. Çështja e pronave sa herë është bërë politike nuk është zgjidhur. Vetëm nga vendimet e Strasburgut ne rrezikojmë një faturë 1 miliardë euro. Në këtë vend prona nuk ka shkuar tek i zoti, por tek më i zoti. Shteti duhet të gjejë zgjidhje për të qenë politikisht korrekt. Tashmë ka filluar që të shkojë disi në vend e drejta. Ka nisur të rritet ndjeshëm dhe interesimi për Agjensinë e Trajtimit të Pronave. Unë nuk mendoj se dërgimi nga ana e Presidentit në Kushtetuese për ligjin e pronave duhet të prishë balancat e punës sime me të.
Si e komentoni protestën e kryebashkiakut Veliaj para Gjykatës Administrative të Apelit për çështjen e lejes së ndërtimit pranë digës së liqenit?
Unë për shkak të moshës i mbaj mend gjyqet popullore që bëheshin në kohën e monizmi, ku më shumë sesa dënohej ndonjë fakir, procese të tilla përdoreshin për të frikësuar të tjerët. Si ministër i Drejtësisë nuk jam në mbështetje të asnjë presioni që mund t’i bëhet gjykatës sado e pabesueshme të jetë gjykata. Po hapëm rrugën e presionit nuk do të zgjidhim gjë, por do të thellojmë problemet. Sa kam folur unë publikisht, kur u hap ajo gropë nuk ka folur asnjë zyrtar në vend. Vendimi për lejen e ndërtimit nuk e ka dhënë gjykata, por është akt adminsitrativ me vendime te pushteti vendor dhe atij ekzekutiv. As në SHBA nuk del pushteti kundër pushtetit, jo më në Shqipërinë tonë më 25 vjet demokraci. Konflikti i interesit të gjyqtarëvë rregullohet me ligj, aty parashikohen kushtet, kur jepen dorëheqjet. Gjyqtarët bënë mirë që dhanë dorëheqjen, sepse ka burime njerëzore të mjaftueshme për ta gjykuar këtë çështje në Gjykatën Adrministrative të Apelit, por gjykata nuk duhet vënë në presion nga ana tjetër.
Flasim për një ngjarje të rëndë. Dhuna seksuale mbi vajzat e shtëpisë së fëmijëve në Shkodër. Sipas hetimeve rezulton se ato janë përdhunuar nga fëmijët e tjerë të këtij institucioni rezidencial, por këta fëmijë që kanë kryer këto akte të rënda nuk mund të vihen në pranga për shkak të moshës, 12-13 vjeç. A ka ndonjë plan për të rihapur ato që dikur kanë qenë shkolla riedukimi, apo dhe vende dënimi për minorenë?
Lidhur me shkollat e rieduikimit, personalisht nuk do të isha kundër. Minorenë që kryejnë vepra penale për mua duhet të shkollohen. Ka organizata që e kundërshtojnë këtë, por nga ana tjetër a do ta pranonin prindërit që në shkolla normale të shkojnë fëmijë minorenë si ata që kanë kryer krime aq të rënda dhe që për shkak të moshës nuk i kap dot ligji?!
Përsa i përket Balilit, Koço Kokëdhima thotë se ai është i LSI…
Ai nuk është pjesë e strukturave të LSI, ka qenë kontribues, për shkak të nipit që ka në krye të bashkisë së Delvinës.